John Bolton është një nga emrat më të njohur të Partisë Republikane amerikane dhe ish-ambasador i Kombeve të Bashkuara. I njohur si një nga “skifterët” e Presidentit Bush, njeriu që u përfol si kandidat i mundëshm për Sekretar Shteti dhe këshilltar për Sigurinë Kombëtare, është sot një nga njerëzit më të afërt të Donald Trump.
Ai ishte në Top Story me Sokol Ballën për të folur për SHBA-të, Rusinë, Ballkanin, Sorosin, reformën në drejtësi dhe për t’iu përgjigjur pyetjes se sa mund të ndryshojë politika e Uashingtonit ndaj Tiranës?
Intervista e plotë
Sokol Balla: Ambasadori John Bolton faleminderit që jeni me mua sonte. Cilat janë arsyet e vizitës tuaj në Tiranë?
Ambasadori Bolton: Është kënaqësi! Kam ardhur që të qëndroj me opozitën iraniane që të festojmë Sulltan Novruzin, që është viti i ri iranian. Është udhëtimi i parë në Shqipëri dhe e kam për kënaqësi që më jepet mundësia që të vizitoj shkurtimisht Shqipërinë. Është një vizitë shumë e shkurtër, por është interesante të shikoj sesi refugjatët iranianë janë përshtatur dhe dua t’i shpreh mirënjohjen time qeverisë së Shqipërisë që u ka dhënë azil.
Sokol Balla: Deri ku shkon mirënjohja amerikane ndaj Shqipërisë për këtë që ajo bëri për opozitën iraniane?
Ambasadori Bolton: Në fakt, trajtimi i opozitës iraniane ka qenë një mundësi e rrallë për një bashkëpunim dypartiak sot në SHBA. Ka qenë një mjedis shumë i përçarë mes Partisë Republikane dhe asaj Demokratike. Në fakt, në këtë rast gjetën unitetin që t’i japin një zgjidhje kësaj krize me iranianët, prandaj i jemi shumë mirënjohës qeverisë shqiptare që u ka dhënë statusin e refugjatit disamijëra personave. Në këtë rast është pritur shumë mirë në mbarë spektrin politik amerikan.
Sokol Balla: A ka ndryshim në pozicionin e Uashingtonit përsa i përket opozitës iraniane, sidomos tani në fuqi është administrata Trump, që ka një qasje tjetër për marrëveshjen me Iranin, ndryshe nga administrata Obama?
Ambasadori Bolton: Është një situatë tjetër në politikën amerikane pas 20 janarit. Shumë dimensione lidhur me Iranin, programin bërthamor dhe opozitën aty vazhdojnë të qëndrojnë, sepse janë rutinë për administratën e re, por unë mendoj që është e qartë që Presidenti Trump ka një kendvështrim krejt tjetër sa i takon rrezikut që vjen nga Irani dhe ai vazhdon luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Pra le të themi që është një kendvështrim krejt tjetër nga ai i Obamas.
Sokol Balla: Pra, roli i Shqipërisë në këtë çështje, me ndryshimin e administratës Trump merr një vlerë tjetër?
Ambasadori Bolton: Sigurisht që është më i konsiderueshëm si qëndrim, sepse ky qëndrim ndaj opozitës iraniane do të pritet mirë në Uashington. Ka shumë opozitë ndaj regjimit të Teheranit, kryesisht të rinj dhe shumë të tjerë. Mendoj se Ajatollahu është shumë jopopullor atje dhe pikërisht fakti që qëndron në pushtet është përmes forcës ushtarake dhe trupave të gardës revolucionare iraniane. Ka edhe shumë forca të tjerë të opozitës që nuk i dimë, por qasja ndaj Iranit do të jetë ndryshe. Ne nuk e kemi parë ende të gjitha provat dhe dëshmitë për këtë, por kemi parë udhëtimin e Sekretarit të Shtetit në Lindjen e Largët, ku ka thënë se vjen një rrezik tjetër bërthamor nga Koreja e Veriut, ku qëndrimi që mbante Obama nuk vazhdon më. Pra, nuk do të mbahet më nga administrata e re amerikane.
Sokol Balla: Pra ju shikoni ata mijëra pjesëtarë të opozitës iraniane që kanë statusin e refugjatit politik në Shqipëri, ndoshta në një moment të dytë mund të jenë subjekt i trajnimit, stërvitjeve, pra riaktivizimit të tyre në betejën në kundërshtimin ndaj regjimit në Iran?
Ambasadori Bolton: Nuk mendoj se do të jetë e mundur që të parashikohet në këtë moment se çfarë do të ndodhë, sepse varet shumë opozita iraniane. Unë personalisht kam ca kohë që mendoj se regjimi i Ajatollahut përbën rrezik ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në nivel global dhe përgjigja afatgjatë do të ishte ndryshimi i regjimit të Teheranit. Ne shpresojmë që populli i Iranit ta zgjedhë vetë qeverinë. Ne nuk e dimë se kush do ta fitojë zgjedhjet, por aspirata jonë duhet të jetë që të kemi mundësinë për të patur zgjedhje të rregullta dhe të lira. Është shumë herët, sepse jemi në fillimet e administratës së Trumpit dhe nuk i dihet si do të vazhdojë. Mendoj se popujt e Europës, por edhe në SHBA duhet të kuptojnë se nuk është më administrata e Obamas. Është një kendvështrim krejtësisht tjetër sa i takon rrezikut që përbën regjimi i Teheranit përmes programit bërthamor dhe mbështetjes që i japin terrorizmit.
Sokol Balla: Do të takoheni në Tiranë me zyrtarë shqiptarë dhe do ta diskutoni këtë çështje me ta?
Ambasadori Bolton: Po, parashikohet në kalendarin e takimeve. Mezi i pres këto takime, por për fat të keq është një udhëtim shumë i shkurtër në Tiranë.
Sokol Balla: Gjatë kohës që ju keni qenë Ambasador i Kombeve të Bashkuara dhe tashmë jeni një nga njerëzit, së paku të kontaktuar nga Presidenti Trump për të qenë pjesë e administratës së tij dhe ndoshta do të jeni një ditë, ju pra keni dijeni për situatën e rajonit. Si e shikoni ju situatën e Ballkanit zoti Ambasador?
Ambasadori Bolton: Në fakt është pjesë e një çështjeje më të madhe sa i takon marrëdhënieve mes Rusisë, SHBA dhe Aleancës së NATO-s. Unë kam qenë mbështetës i fuqishëm që Shqipëria të anëtarësohej në NATO dhe më bëhet qejfi që kjo ka ndodhur. Mendoj se sigurua në Europën Qendrore dhe Juglindore dhe më gjerësisht në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Ballkan, varet nga fakti nëse do ta kuptojë apo jo Moska që nuk do të mund të vendoset më hegjemonia ruse në këtë hapësirë. Do të jetë një kohë shumë e vështirë dhe me këtë administratë të re mbeten shumë çështje për t’u diskutuar dhe zgjidhur. Unë fuqimisht mendoj se fundi i Luftës së Ftohtë ka shënuar një ndryshim dramatik në Europën Lindore. U ka dhënë mundësi të gjitha vendeve të Europës Lindore që të marrin pjesë në Perëndim përmes shumë dimensioneve, ekonomike dhe ushtarake.
Sokol Balla: Pak ditë para shpalles së Pavarësisë së Kosovës, patët deklaruar se shpallja e njëanshme e saj do të sillte destabilitet. Bëhet fjalë për shkurtin e vitit 2008. A i qëndroni sërish asaj deklarate?
Ambasadori Bolton: Unë mendoj se rreziku i destabilizimit mbetet dhe ka influenca të jashtme që do të donin të shfrytëzonin tensionet që ende ekzistojnë në Ballkan, që për fat të mirë nuk kanë qenë fort të dukshme vitet e fundit. Por kjo nuk do të thotë që tensione nuk ka. Nuk duhet të nënvlerësojmë situatën, edhe pse në sipërfaqje gjërat duken të qeta dhe të patrazuara, por unë jam në dijeni që ka forca të jashtme që duan të shfrytëzojnë këtë përçarje që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në Ballkan dhe për këtë duhet të tregojmë kujdes.
Sokol Balla: Ka një shqetësim në rritje në përgjithësi dhe të BE në veçanti për destabilitetin në të cilin mund të futet Ballkani. Kryesisht lidhet, ashtu siç thatë edhe ju, me ndikimin e Rusisë dhe të Turqisë. Pra për rikthim tek trazirat, e gati 20 viteve më parë, me valë të mëdha migratore dhe kriza të mëdha sociale. A duhet të jemi realisht të shqetësuar?
Ambasadori Bolton: Mendoj që vetë BE duhet të shqetësohet, sidomos për flukset e refugjatëve që kanë sjellë në Europë valë që nuk kanë pasqyruar konsultimet e bëra mes vendeve. Unë kam ca kohë që jam i shqetësuar se Bashkimi Europian do të duhet të ishte fokusuar më shumë me integrimin ekonomik dhe më pak në integrimin politik për gjithë Europën. Duhet të ishte më mirë. Unë e kuptoj pse vendet e Europës Lindore dhe Juglindore janë disi të shqetësuara sa i takon vendimarrjes që vjen nga Brukseli apo nga kryeqytetet e tjera Europiane, vendimarrje ku nuk marrin pjesë. Unë mendoj se Europa ndodhet përballë vështirësive ekonomike dhe sociale të cilat nuk mund t’i fshehë.
Sokol Balla: Ju, në atë deklaratë të vitit 2008 për pasojat që mund të kishte shpallja e Pavarësisë së Kosovës në mënyrë të njëanshme, patët folur për një angazhim pozitiv të Rusisë, ndërkohë që Moska sot akuzohet për përfshirje në Shtetet e Bashkuara, deri në procesin zgjedhor të nëntorit të kaluar. Tani Gjermania ka të njëjtën frikë dhe ndërkohë 11 Senatorë amerikanë kanë shprehur frikën se e njëjta gjë mund të ndodhë dhe në rajonin e Ballkanit, ku disa vende këtë vit janë në proces politik zgjedhor. A ka baza për të bezuar ekzistencën e një ‘gogoli rus’, apo ky është thjesht një imazh mediatik?
Ambasadori Bolton: Mendoj se në SHBA ka patur raporte publike se Rusia është përpjekur që të ndikojë në zgjedhje, jo se ka qenë në favor të një kandidati apo një, por thjesht për të kompromentuar besimin që kanë amerikanët tek institucionet e tyre. Ka patur shumë raporte për përpjekje të ngjashme edhe në gjithë botën. Ne do të bëjmë një shqyrtim të të gjithë përfshirjes ruse. Unë e di që shumë ligjvënës amerikanë janë të shqetësuar në lidhje me këtë. Është e papranueshme për cilëndo qeveri që ndërhyn në zgjedhjet e një vendi tjetër. Unë mendoj se, nëse do të bëhet publike një influencë e tillë, do të ketë pasoja. Nuk do të ketë një rikthim të Paktit të Varshavës dhe influencës sovjetike në Europën Lindore dhe Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë. Popujt nuk duan t’i kthehen kësaj periudhe. Amerika do të jetë shumë vigjilente përmes NATO-s dhe marrëdhënieve dypalëshe që kjo të mos ndodhë.
Sokol Balla: Ju thoni që SHBA do të punojnë, por në Ballkan nuk e kemi situatën aq pozitive. Në Maqedoni jemi në kushtet e thuajse një grushti shteti. Presidenti Ivanov refuzon t’i japë mandat një mazhorance parlamentare për të formuar qeverinë, në Shqipëri jemi në një ngërç politik, Kosova kërkon në mënyrë të njëanshme të ngrejë ushtrinë e saj. Çfarë mund të bëjë administrata Trump kur ka një perceptim që rajoni nuk është në vëmendjen e SHBA aq sa ishte më parë?
Ambasadori Bolton: Unë mendoj se ka shumë kërkesa që po vendosen mbi administratën e Trump për përkeqësimin e situatës në mbarë botën. Unë mendoj se është shumë e qartë për kongresmenët, senatorët dhe të tjerët në SHBA që ka një cënueshmëri në Ballkan, por edhe në Europën Qendrore dhe Lindore dhe në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik. Kemi dëgjuar para një dekade Putinin që ka thënë se prishja e Bashkimit Sovjetik ka qenë një nga katastrofat e shekullit të 20-të, por ne nuk mendojmë kështu. Ne nuk i neglizhojmë mundësitë që Rusia jo vetëm do të përpiqet të rindërtojë Bashkimin Sovjetik, por të vendosë hegjemoninë ruse në këtë territor dhe territore të tjera. Kemi parë presion mbi Gjeorgjinë, apo përdorimin e njëanshëm të forcës për të ndryshuar kufijtë në Ukrainë, kemi parë ndërhyrjet në Ballkan, kemi parë rrëzikun përmes luftës kibernetike. Unë mendoj se ekziston ky rrezik, por ka edhe rreziqe të tjera, siç është radikalizmi dhe terrorizmi që mund të shfrytëzojnë rrethanat në rajon. Administrata e Trump e di që njëra prej vështirësive është situata në rajon. Prej shumë vitesh SHBA, administrata republikane, por edhe demokrate i kanë dhënë BE më shumë hapësirë veprimi nga çdo të duhet t’i kishim dhënë për të vepruar këtu në rajon. E kuptoj që vende si Shqipëria duan të anëtarësohen në BE, por ama nuk duhet harruar siguria, paqja dhe stabiliteti i Europës, që vjen përmes NATO-s dhe jo përmes BE.
Sokol Balla: Pra, shqiptarët duhet të jenë të qetë sepse në vija të trasha, politika amerikane në Ballkan dhe për shqiptarët, ky prioritet nuk do të ndryshojë as në administratën Trump?
Ambasadori Bolton: Po të shikojmë mjedisin me të cilin përballet SHBA në gjithë botën për shkak të vendimit që bëri administrata Obama për të pakësuar influencën amerikane në mbarë botën, për shkak të mendimit të tij se Amerika ishte pjesë e problemit dhe jo zgjidhjes, strukturat politike që u bënin ballë presioneve janë dobësuar në mbarë botën, ndaj ndodhemi në një situatë të rrezikshme në detin e Kinës Lindore, po ashtu me programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit, por edhe përpjekjet e Rusisë për të vendosur hegjemoninë si në Lindje, ashtu edhe Perëndim e Ballkan. Ka shumë problematika dhe nuk mund t’u jepet zgjidhje e njëkohëshme, por kjo nuk do të thotë që nuk jemi në dijeni të problemeve.
Sokol Balla: A ka nga republikanët, nga konservatorët e saj ndonjë problem me miliarderin George Soros?
Ambasadori Bolton: Ka shumë njerëz që i konsiderojnë aktivitetet e tij në Europën Qendrore dhe Lindore si shqetësuese. Unë nuk kam shumë besim tek teoritë e konspiracionit. Megjithatë, është pjesë e zinxhirit të administratës Obama dhe do të ketë disa ndryshime me kalimin e kohës.
Sokol Balla: Si USAID…
Ambasadori Bolton: Kërkon kohën e vet që administrata e re të marrë në dorë shumë aspekte të politikës amerikane, sepse është shumë e komplikuar dhe mbase do të na duhet ta bëjmë tranzicionin sa më efikas, por gjërat janë ato që janë. Duhet të kemi durim dhe gjithsesi do të ketë ndryshim.
Sokol Balla: Këtu në Shqipëri, nga opozita dhe faktorë të tjerë politikë, edhe nga brenda mazhorancës, ka një pritshmëri se administrata Trump do të ndjekë një kurs komplet tjetër në Shqipëri, e para sepse kryeministri aktual, Edi Rama ishte kritika ndaj Donald Trump dhe tezave të tij në fushatë, ka mbështetur hapur zonjën Clinton. Së dyti, opozita dhe elementë të tjerë politikë, edhe jashtë saj, konsiderohet si një njeri i mbështetur nga George Soros. Mendoni se kjo mund të ndodhë?
Ambasadori Bolton: Që të jemi të qartë, unë nuk kam ardhur këtu si përfaqësues i administratës Trump dhe nuk dua të përfshihem në politikën shqiptare. Unë shpresoj që të diskutoj me njerëz si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita për të kuptuar situatën. Ka një sërë njerëzisht të huaj që kanë thënë kritika të ndryshme kundër Donald Trump, por unë mendoj se politika e jashtme e Trump nuk do të mbështetet nga gjëra të tilla, por vetëm në interesin më të mirë të SHBA. Unë me çiftin Clinton kam qenë në shkollë bashkë dhe unë jam shumë i kënaqur dhe shpresoj që ajo të jetë në një pension të përhershëm.
Sokol Balla: Kur flas për ndryshim kursi, kam parasysh edhe njëfarë skepticizmi të një pjese të opinionit shqiptar, kur ju u përfolët mes kandidaturave për Sekretar Shteti, nisur nga deklarata e vitit 2008 që kishit bërë për Kosovën. Në Ballkan është shumë e lehtë që një deklaratë ta interpretojnë në mënyrë personale. Për një pjesë të shqiptarëve, deklarata juaj të bën “armik” të Kosovës, por nuk është ky rasti besoj, apo jo?
Ambasadori Bolton: Para 10 vitesh ishte sesi të arrihej diçka që do të ndodhte dhe ndonjëherë kam disa mënyrë më të mira për të bërë diçka. Unë atë kohë kështu mendoja, ndaj edhe e kam mirëpritur këtë mundësi që të vij këtu dhe të dëgjoj kendvështrime të ndryshme për këtë çështje.
Sokol Balla: Ju jeni intervistuar dy herë nga zoti Trump, pasi ai u zgjodh President, një herë për postin e Sekretarit të Shtetit dhe më pas për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare që është një nga postet më të rëndësishme në një administratë amerikane. Në të dyja rastet u vlerësuat maksimalisht nga administrata Trump, por në të dyja rastet u tha se do të jeni për një moment tjetër. Ka ndonjë mundësi t’u shikojmë në ndonjë nga postet e administratës pranë Presidentit Trump?
Ambasadori Bolton: Këtu ndodhem privatisht dhe për mua ka qenë një nder i madh që t’i shërbej administratës amerikane, si në administratën Regan ashtu edhe të Bushit. Tani nëse do të ndodhë, mbetet për t’u parë.
Sokol Balla: Ajo që mbetet për t’u parë është se si do të jetë Donald Trump si President? A keni ju ndonjë ide, ndonjë opinion pas gati 100 ditësh të tij në pushtet?
Ambasadori Bolton: Po të shohim ato që ka thënë gjatë fushatës, unë mendoj se gjëja më e rëndësishme që ka thënë përsa i takon politikës së sigurisë, është rindërtimi i buxhetit të mbrojtjes pas 8 vitesh shkurtimesh të konsiderueshme nga administrata Obama. Efekti që kanë patur këto shkurtime kanë lidhje me aftësinë tonë për të ruajtur strukturën e elementeve frenuese që kemi patur në mbarë botën. Mungesa e vëmendjes amerikane ne vende të tilla si Afrika e Veriut, Lindja e Largët, Azia Juglindore dhe Europa Qendrore e Lindore kanë shtuar mungesën e stabilitetit pasi forca të ndryshme kanë parë mundësi që janë përpjekur t’i shfrytëzojnë. Qëllimi i pasjes së një force ushtarake të fortë amerikane është që të mos futemi në konflikt, por përkundrazi të jemi aq të fortë saqë kundërshtarët të frenohen për t’u futur në konflikt. Kjo ka qenë edhe motoja e Reganit, paqe përmes fuqisë dhe ne e kemi parë që me administratën Obama ka qenë më e vështirë që ta ruajmë këtë element të paqes përmes fuqisë. Pra, nëse e forcojmë forcën tonë do të ketë më shumë mundësi për paqe, por për gjithë botën. Shumë gjëra që ka thënë Trump janë keqinterpretuar. Marrim rastin e NATO-s. Unë mund vërtetoj nga përvoja ime që vendimarrja e NATO-s është e ngadaltë dhe e vështirë dhe kjo nuk është funksionale për një aleancë jetike dhe Trump kërkon ta bëjë me efikase këtë vendimarrje dhe ka thënë që pret nga të gjithë anëtarët e NATO-s që të respektojnë angazhimin që 2 përqind të PBB ta shpenzojnë për mbrojtjen. Disa vende anëtare e përmbushin këtë detyrim, disa të tjera jo. Ai vetë ka thënë se vendet anëtare të NATO-s duhet ta bëjnë këtë për veten e tyre. Kjo nuk do të thotë një NATO më e dobët, është një Aleancë më e fortë.
Sokol Balla: Një perceptim tjetër për Presidentin Trump është afria e tij, komunikimet e tij, lidhjet e biznesit me rusët apo me Rusinë. Vetëm 2-3 ditë më parë, një tjetër lajm se gati 98 përqind e pronave të tij ishin blerë nga miliarderët rusë. Sa të vërteta ka në këto, sa realisht Trump ka një tjetër qëndrim, sjellje, kontakte edhe në këtë perspektivën e rikthimit të perdes së hekurt?
Ambasadori Bolton: Ta nisim nga e para. Së pari, Presidenti Trump është biznesmeni i parë që është zgjedhur President. Ai nuk ka një karrierë në fushën politike, pra nuk është një politikan konvencional amerikan dhe këto dy muaj ai e ka drejtuar Presidencën e tij ndryshe nga të tjerët. Në fakt këtë donte edhe populli amerikan mendoj unë. Ishin të lodhur nga politikanët konvencionalë. Bëhet fjalë për një person që vjen nga një formim tjetër. Fakti që ka patur lidhje biznesi në gjithë botën, unë nuk e di ç’marrëdhënie ka patur, por unë mendoj dhe jam i bindur që Presidenti Trump e di që detyra e tij tani është që të mbrojë interesat amerikane edhe pse është folur shumë për lidhjet mes përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në zgjedhje dhe fushatës së Trump, të gjithë anëtarët e Kongresit që kanë parë këto dëshmi, kanë thënë publikisht që nuk ekzistojnë këto lidhje. Ndaj, unë mendoj se kjo bie në kategorinë e tyre që quhen lajme të rreme.
Sokol Balla: Ju jeni tek ajo pjesë e republikanëve që quhet neokonservatorë, megjithëse ju nuk e keni qejf këtë si term, por si është Donald Trump si person?
Ambasadori Bolton: Është një vëzhgues shumë i vëmendshëm i skenës politike. Kam bërë biseda shumë të frytshme për politikën me të. Njerëzit arrijnë në përfundime të nxituara duke nënkuptuar që qëndrimi i tij politik do të jetë i njëjti me atë që ka mbajtur në biznes. Njerëzit që e kanë parë më herët e dinë që qasja e tij varet nga rrethanat dhe duket sikur është i cënueshëm dhe kjo është arsyeja se përse një prej kandidatëve republikanë në krahasim me 16 kandidatë të tjerë, apo arsyeja se përse Clinton humbi zgjedhjet është se amerikanët kanë arritur në përfundimin se politikanët më konvencionalë nuk po kryenin detyrën. Ata nuk janë mësuar që në Uashington të ketë një person që është ndryshe nga qëndrimi publik. Në fakt, zoti Trump do të vazhdojë të ketë të njëjtin qëndrim publik në Twitter. Roosvelt u drejtohej amerikanëve nga radio dhe njerëzit në fillim nuk e pritën mirë sepse ishte diçka e re. Kështu është edhe Twitter, është një gjë e re.
Sokol Balla: Nëse do t’u krijohej mundësia që pas kësaj vizite në Tiranë, do të bisedonit me Presidentin Trump, çfarë do t’i thonit për ne?
Ambasadori Bolton: Do t’i thoja që si një prej shumë vendeve që kanë dalë nga komunizmi ka shumë suksese, por është ende i paplotësuar. Shoqëria është e cënueshme në shumë dimensione, sa i takon problemeve të brendshme për të patur një qeveri transparente që përfaqëson popullin dhe SHBA mund të luajë një rol, jo përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë, por duke nxitur njerëzit që duan të jenë pjesë e Perëndimit, që ne i kuptojmë dhe i mbështesim ata. Kjo kërkon shumë gjëra të ndryshme, jo medoemos rritje e ndihmës financiare, por rritje e mbështetjes politike dhe unë besoj se do të ishte i hapur ndaj këtyre propozimeve.
Sokol Balla: Një nga gjërat që është nga më të rëndësishmet në vend, është ajo në drejtësi, një reformë që është mbështetur gjerësisht edhe nga SHBA, ndihmë financiare, suport politik. Kjo ka ngjallur një reagim nga ajo pjesë e opinionit publik dhe e klasës politike që ka qenë skeptike për reformën dhe në këtë pikë nuk ka shpëtuar as ambasadori i SHBA në Tiranë, që është akuzuar se po ndjek një vijë të tijën duke mbështetur reformën në drejtësi dhe qeverinë, është quajtur i vijës sorosiane. Ju keni qenë vetë ambasador dhe më i rëndësishëm i një administrate amerikane, sa e mundur është që një ambasador i SHBA të ndjekë një vijë të ndryshme nga ajo që i jepet nga Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë?
Ambasadori Bolton: Edhe mund të ndodhë që ambasadorët mund të vazhdojnë në kokë të tyre. Është edhe një kulturë në Departamentin e Shtetit. E kam shprehur në kujtimet e mia se DASH kërkon një revolucion kulturor që të jetë më reagues, t’u përgjigjet më mirë nevojave të administratës. Nuk e kam fjalën për rastin konkret, por mbetet punë për të bërë për të ndryshuar pikëpamjet e administratës së Obamës dhe qasja e administratës së Trumpit do të jetë ndryshe në mënyrë të konsiderueshme. Sa i takon drejtësisë, kur kam qenë anëtar tek Reganit për të ndihmuar në rritjen e pavarësisë së gjyqësorit, kjo ka qenë pjesë më e rëndësishme për mua asaj kohe. Unë mendoj se reforma në drejtësi është e rëndësishme. Është një element jetik për vetë evolucionin dhe ndarjen e pushtetit në mënyrë që të parandalojmë përqendrimin e pushtetit vetëm tek një degë. Si do të jenë programet amerikane në ndihmë të vendeve, kjo varet shumë nga administrata e re.
Diskutime rreth kësaj post