Ofrimi i shërbimit të internetit të përballueshëm dhe me shpejtësi të lartë për çdo amerikan do të ishte ekuivalent me projektin e viteve 1930 të qeverisë federale për elektrifikimin rural, thotë Presidenti Joe Biden.
“Krijoi bazën për një bum ekonomik masiv, të qëndrueshëm që do të pasonte Luftën e Dytë Botërore”, tha Presidenti Biden të martën në Wisconsin lidhur me planin Presidentit Franklin Roosevelt.
Interneti i shpejtë “nuk është një luks. Tani është domosdoshmëri, sikurse uji dhe energjia elektrike ”, tha presidenti gjatë fjalimit të tij të fundit jashtë kryeqytetit amerikan në përpjekjet për të nxitur miratimin e një pakete dypartiake 1.2 trilion dollarëshe për infrastrukturën.
Paketa ka për qëllim të rrisë punësimin e klasës së mesme duke krijuar “vende pune me pagesë të mirë, riparimin e rrugëve dhe urave”, tha Presidenti Biden në Shërbimin Komunal të Transportit në La Crosse të shtetit Uiskonsin (Wisconsin).
Shtëpia e Bardhë thekson se 90% e vendeve të punës të krijuara nga shpenzimet për infrastrukturën mund të jenë për punonjësit pa arsim të lartë.
Paketa legjislative, e arritur përmes kompromisit, u negociua javën e kaluar me një grup prej 10 senatorësh të qendrës, pesë republikanë dhe pesë demokratë. Paketa përfshin investimin më të madh në trasnportin publik në histori, sipas Shtëpisë së Bardhë. Ajo gjithashtu ka për qëllim të ndërtojë një rrjet mbarëkombëtar për karikimin e automjeteve elektrike dhe të eliminojë tubacionet prej plumbi.
Një dokument i Shtëpisë së Bardhë thotë se paketa e rindërtimit është katër herë më e madhe se investimi në infrastrukturë i miratuar pas recesionit të madh të viteve 2008-2009, dhe më i madhi që nga depresioni i viteve 1930, që u pasua nga paketa e shpenzimve të Presidentit Roosevelt.
Paketa përfshin investimin më të madh në shërbimet hekurudhore për pasagjerë që nga krijimi i sistemit Amtrak. Vetëm në Wisconsin, tha Shtëpia e Bardhë, paketa do të ndihmojë në riparimin e 979 urave dhe më shumë se 3,100 kilometra të autostradave në gjendje të keqe.
Përpjekjet e zotit Biden për miratimin e paketës për infrastrukturën patën një fillim të vështirë javën e kaluar pasi ai e njoftoi arritjen e konsensusit së bashku me grupin dypartiak të ligjvënësve.
Presidenti u tha gazetarëve se do ta refuzonte paketën nëse Kongresi nuk miratonte gjithashtu një tjetër projektpropozim shpenzimesh disa triliona dollarë për familjet në nevojë dhe energjinë e pastër, që kundërshtohet me vendosmëri nga shumica e ligjvënësve republikanë.
Të shtunën zoti Biden tha se komentet e tij kishin “krijuar përshtypjen se po lëshoja një kërcënim me veto ndaj planit për të cilin sapo kisha rënë dakord, që sigurisht nuk ishte qëllimi im”.
Duke u tërhequr nga kërcënimi me veto ndaj paketës për infrastrukturën, Presidenti Biden tha se ai mbështet me gjithë zemër si paketën dypalëshe për infrastrukturën ashtu edhe legjislacionin e shpenzimeve shoqërore ende në hartim e sipër, duke vënë në pah se republikanët do të përpiqen ta mposhtin të ashtuquajturin legjislacionin të “infrastrukturës njerëzore”.
Nëse Kongresi përfundimisht miraton legjislacionin e sigurimeve shoqërore, ka mundësi që vetëm ligjvënësit demokratë do ta votojnë atë.
Presidenti pret që të nënshkruajë “të dy projektligjet në ligj dhe ai do t’ua lërë udhëheqësve në Kongres për të përcaktuar rendin dhe renditjen”, – tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
Udhëheqësi i opozitës republikane në Senat, Mitch McConnell, tha të hënën se presidenti “ka shkëputur në mënyrë të përshtatshme një projekt-ligj të mundshëm dypartiak nga planet masive, të palidhura me taksat dhe shpenzimet që demokratët duan të ndjekin mbi një bazë partiake”.
Ai tha se tani dëshironte që Presidenti Biden të angazhohej me udhëheqësit e Partisë Demokrate në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve për “t’u siguruar që ata ndjekin shembullin e tij.”
Shtëpia e Bardhë vlerësoi të martën një sondazh të ri nga Yahoo/YouGov që tregon se 51% e të rriturve amerikanë e mbështesin marrëveshjen dypalëshe për infrastrukturën dhe 60% e republikanëve mund ta mbështesin atë.
Disa vëzhgues shprehin besimin se kompromisi do të qëndrojë pas sqarimeve nga zoti Biden dhe garancive të përsëritura se të dy projektligjet do të trajtohen të ndara.
“Argumenti për lidhjen e marrëveshjes dypalëshe me legjislacionin e ardhshëm duhet të kuptohet në kontekstin e kësaj gare midis përparësive. Presidenti ka sqaruar në mënyrë të përshtatshme se është i përkushtuar të ndjekë axhendën e tij të plotë, por nuk do ta kushtëzojë suksesin e një komponenti me tjetrin”, – tha Jason Grumet, themelues dhe president i Qendrës për Politika Dypartiake.
Zoti Biden “ka qenë një ligjvënës efektiv për 30 vjet dhe e pranon që politika ‘gjithçka ose asgjë’ prodhon një rezultat të parashikueshëm, dhe nuk është ‘gjithçka’ tha zoti Grumet.
Ndërkohë, aktivistët e klimës po shprehin shqetësimin se presidenti po braktis premtimet e fushatës në lidhje me ngrohjen globale në mënyrë që të arrijë një marrëveshje me ligjvënësit e opozitës. Një grup protestuesish u mblodhën pranë Shtëpisë së Bardhë të hënën.
“Në disa raste, njerëzit kanë nevojë t’u kujtohet se cili komunitet i futi në lojë,” u tha protestuesve ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez. “Ne e ftojmë Shtëpinë e Bardhë në lojë”.
Diskutime rreth kësaj post