Ka disa sinjale të qarta që tregojnë se marrëdhënia e kryeministrit shqiptar me kancelaren gjermane, nuk është më ajo e fillim qeverisjes së rilindjes. Kush e mban mend atë kohë, kujtohet se kundërshtarët më pa takt të Edi Ramës e paraqisnin atë si një zhigolo që po përpiqej të joshte gruan e fortë të Berlinit me mjete ekstrapolitike. Këshilltarët e Ramës tregonin me mburrje mesazhe që u vinin nga kabineti i kancelares, që tregonin se sa i lezeçëm kishte qenë kryeministi piktor dhe artist i Shqipërisë në darkën e liderve ballkanikë. Humori, barcaletat me kohën e komunizmit (edhe Merkel e njeh atë mentalitet se vjen nga Lindja), fjalori i zgjedhur dhe aftësia për ekzibicionizëm e patën bërë Ramën që të binte në sy.
Në vitet 2013- 2015, kur filloi edhe procesi i Berlinit, nuk qe më një sekret se Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç ishin të preferuarit e kancelares gjermane.
Megjithë ndonjë tronditje të vockël, që i vinte nga deputetët e krahut konservator të partisë së saj (ata që bojkotuan darkën e Ramës në Berlin kur shkoi të lobonte për negociatat), deri pak kohë më parë Gjermania e mbajti mbështetjen për Shqipërinë. Ishte vetë Merkel që në samitin e Luksemburgut iu kundërvu Francës dhe Holandës, që as e mendonin hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ajo gati vuri veton duke gjetur një rrugë të mesme që edhe negociatat të mos hapeshin menjëherë, sipas rekomandimit të Komisionit Europian, por që edhe qeverisë Rama mos i jepej një shuplakë. Kështu u shpik data e dhjetorit 2019.
Përpos kompromisit brenda vetë shteteve europiane, e më tepër akoma, midis shteteve dhe Komisionit në Bruksel, kjo datë shërbeu që edhe qeverisja Rama të mos turpërohej. Asaj iu dha bonusi që në politikën e brendëshme të thërriste: “Fitore, negociatat i hapëm”.
Por, pikërisht atë bonus që Merkel i dha Tiranës tre muaj më parë, po ia tërheq sot. Ministri i Jashtëm i Merkel, Heiko Maas , deklaroi para dy ditësh se hapja e negociatave në fund të 2019 nuk është automatike (lexo këtu poshtë), duke hedhur poshtë gjithë propagandën zhurmuese që ishte zhvilluar ne Tiranë.
Po pse u bë ky kapërcim, cilët qenë faktorët që e shpërfaqën në publik këtë thyerje.
Natyrisht ato kanë të bëjnë me një qëndrim shumë më eksigjent ndaj korrupsionit, kriminalizimit, trafiqeve dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, që një pjesë e deputetëve të koalicionit CDU- CSU kanë në krahasim me qeverinë gjermane. Ata përbëjnë një bërthamë shumë të fortë që ndikon në politikat e kësaj qeverie.
E dyta vjen nga përgjimet që shërbimet sekrete gjermane kanë zhvilluar në Shqipëri dhe ku rezultojnë hierarkë me zë të qeverisjes të lidhur me krimin.
Por pika që me sa duket i ka vënë kapakun gjithçkaje, është devijimi i Edi Ramës nga politikat që mbështet Merkeli. Ajo është shprehur hapur për mosndryshimin e kufijve të Kosovës, ndërkohë që qeveria e saj ka dijeni të plotë të faktit se Rama është mbrapa marrëveshjes Thaçi- Vuçiç, madje ka një projekt edhe më ambicioz: Bashkimin e Shqipërisë me pjesën e mbetur nga Kosova pas ndarjes.
Merkel mesazh nga Shkupi për Kosovën: Jemi kundër ndryshimit të kufijve
Duke e kuptuar që kjo marrëdhënie, dikur në kufijtë e flirtimit, ka përfunduar dhe pasi ka lexuar edhe sinjalet që i kanë ardhur nga Berlini, edhe Rama nuk ka arritur ta fshehë këtë ftohje. Për dy herë me radhë, edhe në emisionin “Open” një javë më parë edhe këtë të enjte në “Opinion”, kur u pyet se për ndarjen e Kosovës, ai ka një mendim krejt të ndryshëm nga Merkel, Rama u përgjigj: “Ajo është kancelare e Gjermanisë… Unë jam kryeministri i Shqipërisë”. A e imagjinonte njeri një batutë të tillë në kohën e muajit të mjaltit, kur të dy pozonin të qeshur nga ballkoni i kancelarisë së Berlinit?
Diskutime rreth kësaj post