Nën masa drakoniane sigurie shkoi në vizitë në vendin fqinj. Kryeministri i Shqipërisë iu tha se janë “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, disa mijëra shqiptarëve që u mblodhën sot në Athinë. Edi Rama i çoi “të fala” Greqisë, me të cilën marrëdhëniet s’i ka fort të mira. Ai e përmendi edhe çështjen e Çamërisë, ndërsa shqiptarëve iu tha “mos e harroni kurrë: me ligj dhe me zakon, Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve”.
Mijëra emigrantë shqiptarë, që tash jetojnë në Greqi, që herët sot nisën të mblidheshin në një pallat të madh sporti në Athinë për ta pritur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në një periudhë ku marrëdhëniet ndërshtetërore nuk janë në gjendjen më të mirë, nga kryeministri shqiptar të pranishmit do të dëgjonin mesazhe të forta, për historinë mes dy vendeve, por edhe për të tashmen.
Fjalimin në tubimin që në Greqi u cilësua edhe si provokim, Rama e nisi duke folur për shqiptarët, të pranishmit në pallatin e sportit “Galatsi” dhe të tjerët që jetojnë e jetuan në vendin fqinj.
“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës”, tha Rama, duke theksuar se shqiptarët nuk janë më “shërbëtorë” atje, por “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”.
“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës. Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur që të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur që të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post