“Një skandal grek po jehon, ndërsa përgjimet po zgjerohen në Evropë” është titulli i artikullit të gazetës amerikane NY TIMES, i fundit dhe më i zhurmshmi sa i takon reportazheve të shtypit të huaj pas zbulimeve në Greqi se telefoni celular i një politikani të lartë të opozitës dhe jo vetëm, u përgjua.
Akuzat për funksionin e shërbimeve inteligjente të vendit dhe përgjimeve cilësohen në artikull, si një skandal i gjerë që tani po trondit majat e qeverisë greke.
Gazeta amerikane thekson se Greqia sot është e zhytur në biseda për shantazhet, për të ashtuquajturin Watergate dhe një shtet policor sekret që përdor programe përgjimi dhe mbikëqyrjeje ligjore me më shumë se 15,000 urdhra vetëm vitin e kaluar . Gjithashtu pjesë e fjalorit grek është bërë programi Predator, një spyware që vendoset në telefonat celularë për përgjim.
Artikulli që rikujton se edhe babai i z. Mitsotakis është akuzuar se përgjonte kundërshtarët e tij politikë 30 vjet më parë kur ishte kryeministër, nënvizon faktin se i biri, Kyriakos Mitsotakis kur erdhi në pushtet në 2019,morri edhe kontrollin personal të Shërbimeve të Inteligjencës duke emëruar në krye të tij një shef besnik, të cilin e pushoi pas shpërthimit të skandalit, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të qeverisë,të cilin e kishte edhe nip.
Skandali -thotë NYTIMES -ka jehonën e ditëve të vjetra të errëta të juntës ushtarake të Greqisë. Ndërsa ekziston shqetësimi në rritje, pas përgjimeve të kryeministrit spanjoll Sánchez, presidentit francez Macron, ish-kryeministrit belg apo zyrtarëve të lartë të BE-së se Evropa, aq krenare për mbrojtjen e saj të privatësisë dhe sundimin e ligjit, është gjynjëzuar nga pajisjet e përgjimit dhe spiunazhi në një moment kur demokracitë e saj po kërcënohen nga agresioni rus.
Shtrirja e mbikëqyrjes së shtetit mund të mos kishte dalë kurrë në dritë nëse nuk do të zbulohej se Nikos Androulakis, eurodeputet dhe kreu i partisë së tretë më të madhe politike të Greqisë, Pasok-Kinal, ishte në përgjim nga inteligjenca greke. Dhe nuk ishte i vetëm. Javën në vijim do të deponojë tek prokurori gazetari Thanasis Koukakis, një reporter investigativ i cili në vitin 2020 tek hetonte për veprimtarinë e bankave greke , zbuloi se përgjohej celulari i tij.
Skandali ka shkaktuar reagime të fuqishme politike në Greqi, me zgjedhjet parlamentare që afrohen verën e ardhshme dhe është bërë objekt i mediave më të mëdha botërore si britanikja Guardian, gazeta belge L’Echo, italiania Corriere della Sera , gjermaneve Die Zeit dhe «Handelsblatt» , Al Jazzeera, portalit Politico apo edhe gazetës franceze “Le Monde”.
Diskutime rreth kësaj post