Deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në emisionin “Top Story”, se Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj për refugjatët, është pasqyruar pothuajse në të gjitha mediat greke.
Në fillim kanalet shtetërore ERT3 dhe ERT, që kanë transmetuar pjesë nga emisioni i gazetarit Sokol Balla, kanë theksuar se, “Rama, duke parë vendet fqinje të reduktojnë gradulaisht hyrjen e refugjatëve, ka deklaruar se nuk do të lejojë që Shqipëria të bëhet një korridor i ri kalimi për ta”.
“Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj ndaj refugjatëve”, është titulli i pro-qeveritares “Avgji”, që thekson midis të tjerash se, autoritetet shqiptare kanë marrë masa të rrepta si në kufijtë me Greqinë dhe Maqedoninë, ashtu dhe në rrugët kryesorë që lidhin vendin me fqinjët, në mënyrë që të shmangin kalimin e refugjatëve nga jugu drejt veriut të Shqipërisë, apo qyteteve bregdetare.
“Mbyllim kufijtë. Nuk do shpëtojmë ne botën”, është titulli i artikullit që publikon e përditshmja “Ta Nea”, e cila iu referohet deklaratave të kryeministri shqiptar në Top Channel, të cilat, siç thekson gazeta, përgënjeshtruan deklaratat e disa orëve më parë të ministres së Integrimit, Klajda Gjosha nga Korca.
Lajmi është transmetuar pa shumë komente nga disa portale të mëdha greke, ndërsa disa të tjera fshikullojnë kryeministrin shqiptar për ndryshimin e pozicionimit të tij, duke i rikujtuar atij se me këtë linjë të ashpër, duke mbyllur kufijtë, harron shpejt se kanë kaluar vetëm 25 vjet nga viti 1991 kur mijëra shqiptarë, brenda dy muajve, gjetën strehim në Greqi e më pas një lumë shpirtrash njerëzorë, njëri mbi tjetrin në portet e Durrësit dhe Vlorës, udhëtuan me çfarë mundën drejt Italisë.
Siç komenton “Epirouspost”, do të priste dikush nga udhëheqja e këtij populli që të tregojë më shumë ndjeshmëri dhe të mos rezultojnë më të fuqishme oportunizmi dhe interesat.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post