Ndonëse shqiptarët vazhdimisht e shfaqin unitetin kombëtar me valëvitje flamujsh, fjalime të mëdha e gjeste simbolike, në të vërtetë vetëm pak nën sipërfaqe vlojnë konflikte për pushtet e shtetësi. Në rastin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, tensionet politike dhe ambiciet konfliktuese po ziejnë dhe efekti do të favorizojë në radhë të parë axhendën rajonale të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për përkrahjen që i jep presidentit serb Aleksandar Vuçiç duke e ndihmuar në projektimin e një statuti për njësinë autonome serbe në Kosovë pa u konsultuar me Prishtinën. Ai vuri në dukje edhe se Rama nuk ka arritur të bëjë një propozim të ngjashëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ndonëse Neni 8 i Kushtetutës Shqiptare e detyron Tiranën të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në të gjitha vendet, sidomos në Ballkan.
Në fakt, Prishtina ka inate të mbledhura me Tiranën e sidomos kundër qeverisë aktuale socialiste. Liderët kosovarë kanë ngritur pyetje serioze për përkrahjen e Ramës për iniciativën e Ballkanit të Hapur – një format që favorizon objektivat ekspansioniste dhe tregtare serbe. Qeveria në Tiranë shfaq fare pak solidaritet publik me Prishtinën për çështje vitale në dialogun me Beogradin. Madje shpesh duket se lidhjet personale mes Ramës e Vuçiçit kanë më tepër vlera se shqetësimet për sigurinë e Kosovës dhe integrimin ndërkombëtar të saj.
Por, një lojë më e madhe po luhet. Rama beson se Tirana duhet të jetë qendra e “botës shqiptare” me Prishtinën vetëm si një kryeqytet provincial. Synime të tilla shihen me keqardhje nga thuajse të gjithë liderët politikë të Kosovës që e shohin shtetin si arritjen e tyre më të madhe pas vitesh nën Serbi e Jugosllavi. Ndonëse Kurti ka shprehur përkrahje potenciale për një shtet të vetëm shqiptar përmes procedurave demokratike dhe një referendumi të hapur, është e vështirë të imagjinosh që ai do të pranojë një bashkim me Shqipërinë ku statusi i Kosovës do të degradonte në nivel province. Për më tepër, sa më gjatë që Kosova ekziston si shtet, aq më e thellës është ndjesia e dallimit midis popullatës së saj dhe mungesa e dëshirës për të qenë sërish të varur.
Rama shfaq një pikëpamje pan-shqiptarizmi me Tiranën në qendër, ku mund të bëhen marrëveshje pa përfshirjen e liderëve të zgjedhur në Prishtinë. Prej aty buronte edhe përkrahja e heshtur e Tiranës për ndarjen e Kosovës gjatë presidencës së Trumpit, me veriun e Kosovës që do t’i jepej Serbisë dhe pjesa tjetër do t’i bashkohej Shqipërisë. Ndonëse kjo marrëveshje sekrete nuk u bë publike, u zbuluan mjaft detaje për ndryshimin e kufijve që implikonin bashkë Serbinë dhe Shqipërinë. Propozimet e Trumpit në fund u futën në sirtarë pasi hasën në rezistencë të fortë ndërkombëtare dhe kërcënuan të rindiznin rajonin.
Nga Janusz Bugajski, The GeoPost
Diskutime rreth kësaj post