Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ndihmës administratorin për Evropë dhe Euro Azi të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Thomas Melia, i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.
Lajmi bëhet i ditur në një postim në Facebook, pasditen e së martës nga Presidentja Jahjaga ku shprehet se gjate takimit falënderoi ndihmës administratorin Thomas Melia për ndihmën e vazhdueshme të USAID-it dhe popullin amerikan për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe fuqizimin e institucioneve të bazuara në sundimin e ligjit.
Po ashtu, Presidentja Jahjaga theksoi se “institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara në thellimin e partneritetit me USAID-in. Presidentja Jahjaga vlerësoi programet e ndryshme të USAID-it në sundimin e ligjit dhe qeverisjes, aktivitetet për rritjen e investimeve dhe punësimit në sektorin privat, si dhe programet për përmirësimin e kapitalit njerëzor në Kosovë. Presidentja theksoi se këto programe tashmë kanë dhënë rezultate inkurajuese duke shndërruar sektorët ekonomik të Kosovës në sektorë konkurrues”.
“Ndihmës administratori i USAID-it për Evropë dhe Euro Azi, Thomas Melia tha se USAID-i do të vazhdojë përkrahjen dhe partneritetin me Kosovën përmes programeve të ndryshme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, demokracinë, qeverisjen dhe sundimin e ligjit” thuhet në postimin e presidentes Jahjaga.
Diskutime rreth kësaj post