Sali Berisha është takuar dhe ka bashkëpunuar në Tiranë me terroristin më famëkeq të të gjitha kohërave, Osama Bin Laden, armikun më të përbetuar dhe më të rrezikshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përpos furnizimit të Millosheviçit me armë dhe naftë për masakrimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të myslimanëve të Bosnjës, përpos bashkëpunimit me udhëheqjen e Libisë dhe Iranit, Sali Berisha rezulton se ka bashkëpunuar edhe me Osama Bin Laden. Nuk kemi të bëjmë me një deklaratë ditore politike, por me një akuzë të fortë të bërë nga analisti i njohur, Frrok Çupi. Ky i fundit përmes një shënimi të publikuar këtë fundjavë në rrjetet sociale, e teksa heq një paralele mes situatës aktuale në Kosovë dhe asaj të ndodhur në Shqipëri në vitet 1992- 1998, akuzon Berishën se lejoi fuqizimin e mafies në këmbim të favoreve financiare. Madje analisti i njohur ka shkuar deri atje sa akuzon “non-gratën”se takonte fshehurazi Osama Bin Laden në Tiranë për të ngritur celulat e para në Shqipëri. “Qeveria e këtushme e dalë nga një përsëritje e diktaturës, që në revolucionin e vitit 1991, kishte nisur minimin e pasurisë kombëtare. Ky popull që u drobit në punë për 40 e ca vjet, kishte ndërtuar diçka, jo vetëm diçka- por shumë, edhe pse i varfër. Berisha, në krye të shtetit- njësoj si Kurti sot, i vuri kazmën dhe zjarrin. Nisën vrasjet dhe dhuna mbi qytetarët. Shteti theu embargon e Kombeve të Bashkuara mbi ‘hitlerizmin’ në Serbi. Katër vjet me radhë Shqipëria, përkundër botës demokratike, i hapi rrugë furnizimeve me energji dhe me armë për makinën që po vriste Ballkanin. Europa e quajti ‘qeveri gangstere’. Shtetet e Bashkuara u ndëshkuan me shpifjen se ‘po na nxit luftën civile’. Të dërguarit e lartë të Amerikës nuk u pranuan në zyrat e shtetit të Berishës. Askush nuk dinte cili ishte drejtimi që po merrte shteti shqiptar, njësoj si sot Kosova. Fitimet e popullsisë shqiptare u mbyllën në skema piramidale dhe u zhdukën. Berisha, as Meksi, nuk dhanë dorëheqjen. Shteti shpalli armik Perëndimin, deri ditën kur ata u detyruan të dërgojnë 7000 forca ushtarake për ruajtjen e paqes mes shqiptarëve. Nisi lufta civile… Ku po shkonte shteti?As këndej, as andej. Berisha nuk tregonte për lidhjet që krijoji me forcat anti- perëndimore të Botës, sidomos me shtetet ku kultivohej terrorizmi Islamik. Kreu i terrorizmit, Bin Laden, hynte e dilte sa fshehurazi edhe haptazi… E njëjta pyetje po bëhet sot në Kosovë: Në cilin drejtim po shkon shteti, përderisa i ka kthyer shqelmat Perëndimit. Analistët nuk e pranojnë se qeveria po lëpihet andej nga janë kundërshtarët e shtetit të Kosovës, por kjo duhet qartë.… Po përsëritet e njëjta gjë si në Tiranë (1992- 98), në Kosovë sot”, shkruan Çupi.
Paralajmërimi
Megjithatë takimin Berisha- Bin Laden e kanë paralajmëruar disa vite më parë CIA dhe agjencitë inteligjente, të cilat raportonin për veprimtarinë e Osama Bin Laden. Në veprimtarinë e terroristit shfaqet edhe Sali Berisha, i cili sipas, dokumenteve ka bashkëpunuar me Osama Bin Laden në Tiranë, për të ngritur celulat e para në Shqipëri. Dokumentet janë bërë publike nga një sërë portalesh dhe mediash prestigjioze dhe investigative, si “Qendra për Paqe në Ballkan”, “Historycommons”, apo dhe revista e inteligjencës “Jane”, të cilat u janë referuar dhe raportimeve të mediave të kohës dhe dokumenteve të Interpolit. Duke ju referuar informacioneve të dhëna nga një agjent i CIA-s, raportohet se në 9 prill të vitit 1994 Bin Laden ka udhëtuar në Shqipëri, si pjesë e një delegacioni të qeverisë saudite dhe është takuar me zyrtarët e qeverisë vendase. “Bin Laden vizitoi Shqipërinë si anëtar i delegacionit të qeverisë së Arabisë Saudite dhe u takua me zyrtarët e qeverisë vendase. Ai e prezantoi veten si mik të qeverisë së Arabisë Saudite dhe se mund të financonte projekte humanitare. Megjithatë, qeveria e Arabisë Saudite, më herët, po atë muaj kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me Bin Laden. Një ish-oficer i zbulimit amerikan do të ankohej në vitin 1999: ‘Pse ishte ai një anëtar i atij delegacionit? Sauditët supozohej të ishin aleatët tanë. Ata na thanë se ai ishte person non grata, por këtu ai ishte në një vizitë zyrtare’”, thuhet në dokument, për të cilin ka raportuar dhe “Washington Times” në vitin 2001. Ndërsa medias prestigjioze kanadeze, “Ottawa Citizen” ka raportuar se CIA dhe Interpoli ishin në vëzhgim të vazhdueshëm të aktiviteteve të Al-Kaedës në Shqipëri. Edhe ajo dhe mediat greke kanë deklaruar se Bin Laden vizitoi Tiranën.
Ngritja e celulave
Ndërkohë mediat ndërkombëtare, të cilat ju referohen informacioneve të agjencive të inteligjencës, por edhe raportimeve të kohës, kanë raportuar se që nga viti 1994 e deri më 1999 ka pasur një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe Bin Laden e grupit të tij, me qëllim ngritjen e celulave terroriste në vendin tonë. “Në vitin 1994 kryeministri shqiptar Sali Berisha ndihmoi Bin Laden pas vizitës së tij në Shqipëri, për të ngritur një rrjet në Shqipëri përmes fondeve te bamirësisë të Arabisë Saudite”, raporton “Qendra për Paqe në Ballkan”. Sipas saj, pas marrjes së pushtetit nga Partia Socialiste, pati një bashkëpunim të ngushtë me CIA-n dhe amerikanët, të cilët dhanë kontributin e tyre për shkatërrimin e këtyre celulave. Duke ju referuar dokumenteve të vetë CIA, raportohet se gjatë vitit 1998 amerikanët për shkak të informacioneve që dispononin për ekzistencën e këtyre celulave rritën ndjeshëm sigurinë në ambasadë dhe tërhoqën një pjesë të madhe të personelit. Më tej është theksuar se Al-Kaeda dhe Bin Laden kishin arritur të formonin një grup prej 500 muxhahedinësh, të cilët për shumë muaj u stërvitën në juglindje të Shqipërisë, kryesisht në zona të Korçës dhe të Pogradecit. Mediat serbe në atë kohë i trembeshin faktit se këta muxhahedinë mund të përdoreshin për luftën e Kosovës. Po ashtu është theksuar se ka pasur lidhje të ngushta mes shërbimit sekret shqiptar dhe Al-Qaeda-s.
Diskutime rreth kësaj post