Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një vizite që zhvilloi në muajin janar të këtij viti në vendin tonë, theksoi se duhet që të merren masa për të larguar nga Shqipëria gylenistët dhe duhet që të mbyllen institucionet që ata financojnë në Shqipëri.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat disa ditë pas kësaj deklarate, i ka kthyer përgjigje ultimatumit që presidenti turk Erdogan dha gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Gazetarët e pyetën kryeministrin Rama nëse do të përmbushte kushtin e Presidentit Erdogan për të sulmuar lëvizjen Gulen në Shqipëri në mënyrë që të rifillonin punimet për Xhaminë e Namazgjasë. Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh, se Shqipëria nuk i ka asnjë borxh presidentit turk Erdogan dhe as Turqisë, ashtu siç edhe sipas tij as Turqia dhe as Erdogani nuk ka ndonjë borxh ndaj Shqipëri.
“Ne nuk i kemi asnjë borxh presidentit të Turqisë, sikundër presidenti i Turqisë nuk na ka ne asnjë borxh, sepse mes miqsh dhe vëllezërish nuk ka borxhe”, tha Rama duke i dhënë kështu përgjigje edhe ultimatumit të Erdoganit kundër lëvizjes së Fethullah Gulen.
Por reagimi i Ramës erdhi pas mesazhit që një natë më parë i dha ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
“Duhet të jemi të qartë këtu se kush janë aleatët dhe miqtë tanë, dhe se çfarë duhet të bëjmë bashkë për t’u përballur me sfidat përpara. Do them këtë: mendoj se populli shqiptar e di shumë mirë se çfarë ndodh bazuar në përvojat e tyre në histori”, nënvizoi ambasadorja Kim.
Diskutime rreth kësaj post