Tashmë kuptohen qartë sulmet e njëpasnjëshme të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryetares së LSI Monika Kryemadhi ndaj SPAK javët e fundit. Alarmi i tyre, thirrja e papritur për protesta në një moment kur Meta i doli kundër Sali Berishës për te zgjedhur dhunën në rrëzimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 14 majit, përmendja e ekstradimeve, konferenca urgjente, janë produkt i një zhvillimi të bujshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka tronditur familjen e ish-presidentit. Sipas burimeve konfidenciale, në vizitën e fundit që kanë qenë në SHBA, e cila përkon rreth një viti më parë kur ai mbante postin e Presidentit të Republikës, zoti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Kryemadhi, por edhe një bashkëpunëtore e tyre që ka rolin sekseres tek Partia e Lirisë, mësohet se janë marrë në pyetje për rreth 19 orë nga agjentët e FBI-së. Mesa duket Ilir Meta dhe Kryemadhi kanë hyrë në një rrugë që nuk ka kthim pas. Kjo lëvizje ka tronditur ish-presidentin, por jo vetëm, gjithë partinë e Lirisë për faktin se hetimet që i janë hapur në SHBA mund ta çojnë drejt skenarit të Almir Rrapos. Meta brenda disa muajsh e ka përmendur shumë herë fjalën ekstradim e tani e gjitha kjo përbën sens. Babai i korrupsionit në Shqipëri është më pranë se kurrë më parë në rrethin e ferrit.
Për çfarë po e heton SHBA Metën?
Frika nga ekstradimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pushtuar në familjen e Metës. Bëhet me dije se arsyet janë duke filluar nga lobimet e LSI në SHBA, te roli dhe bashkëpunimi që ka pasur me Almir Rrapon, por sigurisht edhe fakti që Ilir Meta kryeson tek lista e politikanëve të akuzuar si i korruptuar dhe inkriminuar në Shqipëri. Pas ardhjes së letërporosive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë konfirmuar shpenzimet gjatë viteve 2016-2017, me para që nuk janë deklaruar në organet përkatëse në Shqipëri dhe marrjes në pyetje për 19 orë, bëhet e qartë se ish-presidentit i është prerë bileta vetëm vajtje në “listën e zezë” të SHBA-së.
Dosja që po trondit Metën
Ekstradimi i Ilir Metës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është i pamundur. Ditët e fundit në media është raportuar se po përgatiten letrat për të kërkuar arrestimin e Ilir Metës për pastrim parash dhe korrupsion me dosjen e lobimit në SHBA, ku kupola e LSI me në krye ish-presidentin ka pastruar lekë të pista. I perceptuar dhe i lakuar si babai i korrupsionit në Shqipëri, Ilir Meta është në rrethin e ferrit për dosjen e lobimit në SHBA. Madje vetë ish-presidenti ka dhënë sinjale se mund të përfundojë në “listën e zezë” të SHBA si person që kërcënon sigurinë kombëtare. Ish-presidenti për herë të parë ka akuzuar pak kohë më parë kryeministrin Edi Rama se ka dashur të ndikojë në vendimet e ndërkombëtarëve për ta shpallur “non-grata”. “Emri im ka qenë i pari në çdo takim të Ramës, me çdo ndërkombëtar. Ai gjithmonë ka pasur një shqetësim se si ti korruptojë ndërkombëtarët, që të tregojë se Meta ka një problem me Amerikën e vendet e tjera për shkak se ka dashur të shpallem “non-grata”, është shprehur Meta.
Ilir Meta trafikant droge dhe i korruptuar
Pra amerikanët e paskan dosjen gati për Ilir Metën. Këtë e ka konfirmuar dhe pak javë më parë dhe aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane Evi Kokalari, e cila ishte e para që zbuloi se Meta është nën hetim nga FBI. Kokalari zbardhi disa informacione “bombë” për ish-presidentin Ilir Meta. Në rrjetin e saj social “Facebook”, Kokalari tregoi se çfarë i kanë thënë në Kongres në lidhje me kreun e Partisë së Lirisë. Sipas saj, ata në Kongres që po merren me investigimin e McGonigal, e njohin shumë mirë se kush është Ilir Meta, e njohin me emër, dhe madje ishin specifik në korrupsion e tij kur i përmendën dhe trafikimin e drogës. Kokalari në reagimin e saj flet dhe për një deklaratë të Sali Berishës disa vite më parë ku të njëjtat akuza që i thanë amerikanët, ish-kryeministri demokrat ia ka plasur publikisht Ilir Metës. Sot Berisha dhe Meta janë të lidhur si “mishi me thoin” por vite më parë, kur marrëdhëniet mes Berishës dhe Metës ishin të prishura, kishin parashikime tepër të zymta për njëri tjetrin. Madje Sali Berisha kishte një parashikim tepër të rëndë për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, teksa paralajmëronte se do ta mbyllin jetën e tyre pas hekurave të burgut. Ish kryeministri demokrat në atë kohë ka parashikuar se Ilir Meta do ta mbyllë jetën në burg për një gamë të gjerë krimesh, sipas tij, të konsumuara sa herë ka qenë në pushtet. “Për PD, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij, ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve. Mbi këta të dy (për Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij) rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbyllë jetën e tij pas hekurave të burgjeve”, deklaronte Berisha para disa vitesh për mikun e tij aktual Ilir Metën. Janë akuza të rënda, që për hir të së vërtetës nuk janë artikuluar nga media por nga njeriu që e njeh shumë mirë Ilir Metën, vetë Sali Berisha, i cili nga viti 2009 e deri më 2013 ka bashkëqeverisur me të.
Mesazhi i DASH
Është përfolur për një kohë të gjatë se Meta do shpallet “non grata”. Pika kulmore ku filloi të përflitej ky skenar ishte reagimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit në momentin kur futën në listën e zezë, Sali Berishën. Në letrën e DASH thuhet se “Për më tepër, siç vuri në dukje Sekretari, vetë retorika e z. Berisha tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”. Po kush janë aleatët e Sali Berishës, të cilëve u referohet SHBA, si të përfshirë në praktika korruptive, në përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar dhe që mbrohen nga Berisha që t’i shpëtojnë veprimit të drejtësisë? Sali Berisha aleat më të ngushtë dhe kryesor ka pasur Ilir Metën gjatë ushtrimit të pushtetit 2005-2013, kohë gjatë të cilës DASH thotë se është përfshirë në korrupsion, sikundër u faktua me zë dhe figurë edhe gjatë një video të publikuar nga ish-ministri Dritan Prifti, teksa kreu aktual i PL asokohe kërkonte 700 mijë euro ryshfet. Pra amerikanët e konsiderojnë Metën një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ilir Meta i trembur nga ekstradimi
Marrja në pyetje për 19 orë e Ilir Metës shpjegon edhe përmendjen e fjalës ekstradim dhe hetim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa herë brenda muajve të fundit. Në një deklaratë të dhënë pak kohë më parë, ish-presidenti e shpreh qartë që ka marrëveshjen e ekstradimit. “Nuk i druhem asnjë veprimi të askujt përballë Ilir Metës apo përballë PL. Sepse ne jemi përballë qytetarëve. Ne jemi përballë publikut dhe të vërtetave. Ne kemi qenë dhe jemi me ligjin. Me Kushtetutën dhe transparencën. Duhet ta dini se këta bosët e inceneratorëve në kërkim janë në Austri dhe nuk ka qenë çudi për ne edhe shkrimi i porositur i gazetës spekulative në Austri. Ne kemi marrëveshje ekstradimi dhe e përmend këtë për t’i dhënë fund çdo spekulimi qesharak që nxitet nga mediat e Ramës dhe ata delikuentët që ai i paguan për të mbushur ekranet dhe të shmanget vëmendja nga inceneratorët, duke krijuar lajme të rreme për denoncuesit kryesorë të kësaj afere. Çdo veprim i PL ka qenë transparent. Ka qenë përmes bankës. Janë audituar nga KQZ. E përmend marrëveshjen e ekstradimit sepse kjo i jep drejtësisë amerikane që kanë shqetësim, për çdo qytetar që ka shkelur një ligj të Amerikës ta vënë në lëvizje. Janë përralla ordinere”, tha Meta. Ish-presidenti gjithashtu është shprehur se “Në rast se një qytetar shqiptar, Sali Berisha, Ilir Meta, dhe kushdo tjetër ka shkelur ligjet e SHBA-së kemi marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë kam pasur kënaqësinë ta firmos vetë”, tha ndër të tjera ish-presidenti. Pra, Ilir Meta fundosi veten me ligjin që dekretoi në vitin 2021, pasi marrja në pyetje nga FBI rrezikon të tronditë pozitat e tij.
A do përfundojë Ilir Meta si Almir Rrapo në SHBA?
Gazeta ka hequr një paralele të Ilir Metës me rastin e Almir Rrapos, i cili ishte një nga njerëzit me të besuar të tij, kur ky i fundit ishte ministër i Jashtëm, pas nisjes së bashkëqeverisjes me Sali Berishën, në shtator të vitit 2009. Rrapo shërbente si sekretar personal i Ilir Metës. Në duart e tij kalonin të gjitha shkresat, pritjet, përcjelljet, organizimi i takimeve etj. Rrapo ishte pjesë e klanit mafioz “Krasniqi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Klani akuzohej për vrasje, zjarrvënie, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge, grabitje me dhunë etj. Ndaj Rrapos u kërkua ekstradimi nga SHBA, ndërkohë që shërbente në zyrën e Metës. Ai u arrestua në korrik të vitit 2010, në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe u ekstradua me urgjencë në SHBA, ku u dënua me 6 vjet burg, pasi bashkëpunoi me drejtësinë dhe pranoi të gjitha krimet. FBI erdhi edhe e mori në Rinas Rrapon. Nëse kërcënohet siguria, SHBA nuk fal. Shtojmë këtu faktin që Meta u ka shpallur disa here luftë amerikanëve duke mos u tërhequr dhe duke i sfiduar me protesta masive për të qëndruar në pushtet me dhunë. Madje është Meta që po e mban në lojë Sali Berishën. SHBA bëri thirrje për gjithë politikën që të mos bashkëpunonin me “non gratat”, madje paralajmëruar të gjithë Partinë Demokratike se nëse e merrnin nën mbrojtje Sali Berishën do të futeshin të gjithë në “listën e zezë”. Meta doli kundër premtimeve që iu bëri agjentëve të FBI në SHBA, ndërkohë që u desh zbarkimi i zyrtarit të lartë të DASH, Gabriel Escobar, i cili e paralajmëroi para zgjedhjeve të 14 majit që të qëndronte larg Berishës. Kështu që i ndodhur përpara presionit të madh, ish-presidenti u detyrua të priste në besë aleatin e tij, Sali Berisha, të cilin e futi në zgjedhje, por e çarmatosi, pasi gjithë këshilltarët bashkiakë i mori Partia e Lirisë dhe “Foltorja” mbeti thatë. Megjithatë pavarësisht se ka përmbushur disa nga ultimatumet që i kanë kërkuar amerikanët, sikundër është distancimi nga Berisha, por dhe duke parë gjithë këtë panoramë, lind pyetja, a do të përfundojë Meta si ish-besniku i tij Almir Rrapo?
Ja si u shit Ilir Meta nga besniku i tij, Almir Rrapo
Edhe pse Almir Rrapo ishte prej 7 vitesh në kërkim nga Drejtësia Amerikane, Ilir Meta e kishte emëruar krye-këshilltar diplomatik deri më 2 korrik 2010, kur FBI dhe DEA e prangosën brenda Ambasadës së SHBA në Tiranë. Kjo ngjalli dyshime pse ish-presidenti i jepte post të rëndësishëm dikujt që SHBA-ja ishte në kërkim të arrestimit. Në këmbim të dënimit vetëm 6 vite burg dhe pajisjes me identitete të tjera si i penduar i drejtësisë, Almir Rrapo çoi në qeli 20 anëtarët e bandës mafioze “Krasniqi”, ku bënte pjesë vetë. Por, çfarë tha Almir Rrapo për Metën pas prangosjes? Mediat kanë zbuluar disa kohë më parë se ai ka thënë para FBI dhe gjykatës së Neë York, se e kishte ofruar Ilir Meta, për ta shpëtuar nga prangat, madje që prej vitit 2005 e kishte pajisur dhe me identitet tjetër, për të mos u zbuluar nga policia. Almir Rrapo ka lënë gjithashtu te drejtësia amerikane, një dosje me dëshmi të shumta, si i përdorur nga Ilir Meta në vitet 2000-2010 për trafiqe, kërcënime, rrëmbime, vrasje e kontrabandë e çdo “hall” që Meta e zgjidhte me “të fortë” të botës së krimit. Madje ish-i besuari i Metës ka dëshmuar, se në vitet 2000-2002 kur ishte 19 vjeç e ish-presidenti ishte kryeministër, e kishte punësuar si krye-inspektor doganash e pajisur me “Stemë Garde”, si pjesë e grupit të shoqërimit të tij. Këto deklarata të dhëna nga Rrapo mund t’i kenë hapur punë ish-presidentit.
Lidhjet ruse, pastrimi i parave dhe përmendja e emrit të Metës në vrasje
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë piketuar Ilir Metën dhe bashkëpunëtorët e tij si kërcënim për sigurinë kombëtare, pasi ndër vite ai ka pasur akuza të tmerrshme për vrasje, pastrim parash dhe lidhje ruse. Ish-presidenti është akuzuar se ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Gjithashtu një tjetër akuzë që rëndon mbi ish-presidentin është se në kohën kur ai ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, u akuzua se kishte porositur vrasjen e ish-deputetit Tom Doshi, sot kryetar i Partisë Social Demokrate. Kjo akuza e rëndë u pohua madje edhe nga goja e Tom Doshit. Ndërkohë versionin se Meta donte të eliminonte Doshin e ka mbështetur edhe ish-deputeti i ndierë, Dritan Prifti. Ai tha gjithashtu se ka pasur një plan për të vrarë edhe atë. Akuzat dhe dyshimet ndaj Ilir Metës nuk njohin limite. Një tjetër çështje është edhe afera e CEZ, madje cilësohet si zhduki Meta ata që kishin dijeni mbi përfshirjen e presidentit në skandalin CEZ-DIA. Nuk mungojnë as faktet nga mediat evropiane ku rezulton se çifti Meta-Kryemadhi, por edhe gjithë partia e Lirisë është përfshirë në vitin 2017 në një operacion masiv, duke pastruar paratë e pista. Monika Kryemadhi dyshohet se është aksionere në kompaninë offshore të kontrolluar nga rusët, pasi në mandat pagesat thuhet se shuma prej 13 mijë e 500 euro është marrë si divident për aksioneren. Kryemadhi gjithashtu ka bërë një pagesë për një kompani offshore, “Vradus Holdings”, e cila kontrollohej nga Vitaly Savvin, një oligark rus nafte, që sikurse u zbulua nga Forbes ishte një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit. Bashkëshortja e ish-presidentit është akuzuar se kishte një llogari bankare në Zvicër. Përputhja e lëvizjeve në TIMS me transaksionet e paligjshme në Zvicër është një tjetër provë e fortë. Këto akuza e bëjnë Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij si politikanët më të lakuar ku ka afera korruptive, por edhe ngjarje me sfond kriminal, të cilat janë konsumuar gjatë këtyre 30 vitesh demokraci.
Diskutime rreth kësaj post