Nga Kastriot Islami
Edi Rama po përpiqet ta kalojë krizën aktuale më mashtrime e gënjeshtra, brenda dhe jashtw vendit, ndonëse frika i ka shkuar në palcë…
Mashtrimet e tij, Rama jua përcjell ndërkombëtarëve, një pjesë e të cilëve i besojnë, një pjesë tjetër i përqeshin, dhe një pjesë tjetër e komprometuar jo vetëm i marrin por edhe i përsërisin në mënyrë të turpshme…Po ashtu mashtrimet e tij të trasha jua shpërndan manekinëve dhe kukullave të tij të cilat pasi ‘gëlltisin’ kasetën me mashtrime llomotisin nëpër media sikur të ishin pa tru duke recituar si papagallë marrëzitë e mashtrimet idioteske të Ramës…
Madje pjesa më ‘agresive’ e këtyre kukullave fillon dhe i beson këto marrëzi sepse janë zgjedhur më mediokër se mediokri pikërisht për ta konsideruar kryemediokrin Zotin e të gjithëve…!
Ja disa nga mashtrimet kryesore me të cilat Rama u torrollis kokën ndërkombëtarëve?
Së pari, Rama i mashtron ndërkombëtarët duke iu thënë me ton të lartë e pirueta trupore se ‘në Shqipëri nuk ka krizë….?!’. Ky s’është thjesht mashtrim, por marrëzi, injorancë, idiotësi, apo halucinacione prej një të sëmuri mendor që percepton ëndrrat e tij si realitet, që kërkon të fusë minaren në thes. Dhe kjo i duket ndonjë dëgjuesi naiv si ‘gjenialitet’ por në fakt është vetëm diagnoza e qartë e një të sëmuri psikik.
Përgjigja është evidente: Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, pra pa sistem drejtësie që në një vend demokratik përbën një nga mekanizmat kryesorë institucionalë të zgjidhjes së konflikteve apo të krizave. Vendi s’ka më opozitë zyrtare dhe të gjithë shqiptarët e kanë të qartë si drita e diellit si janë vjedhur zgjedhjet, pra që maxhoranca është ilegjitime.
Thënë ndryshe janë plagosur rëndë për të mos thënë është vrarë edhe demokracia edhe pluralizmi. Tani maxhoranca kokëfortë e ilegjitime gjendet përballë qytetarëve, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë tjetër më parë sepse arsyet që çuan në këto situatë janë të paprecedentë. Parlamenti s’funksionon, përderisa maxhoranca mblidhet ilegalisht dhe s’ka as legjitimitetin, as guximin e as moralin të komunikojnë me qytetarët por ju fshihen atyre.
Rama s’qeveris më që nga 2017 kur vodhi i vetëm ‘timonin e tepsinë’ e pushtetit, por sorrollatet sa jashtë vendit nëpër ekspozita zhgarravinash sa nëpër bashki në antimitingje me njerëz të administratës të grumbulluar nga forca e pushtetit apo nga frika e humbjes së vendit të punës.
Së dyti, Rama i mashtron ndërkombëtarët, duke ju thënë se jam i gatshëm për zgjidhje politike por opozita më kërkon pushtetin në tavolinë. Kjo është një gënjeshtër me bisht, por që disa dëgjues të pa mësuar me sharlatanizmat e Ramës, çuditen si është e mundur një kërkesë e tillë nga opozita në një vend ku pushteti vendoset me votën e qytetarëve.
Dhe po këta dëgjues habiten kur dëgjojnë nga opozita se kërkesa e vetme është zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe që opozita do të respektojë vullnetin e qytetarëve nëse zgjedhjet do të certifikohen të lira e të ndershme. Por opozita më tej sqaron se ‘zgjedhjet e lira e të ndershme s’mund të bëhen me Ramën kryeministër’ sepse edhe në raportin e OSBE/ODHIR flitet për blerje të votës e kërcënim të votuesve, por edhe Zëri Amerikës, i cilësuar nga Rama si kazan mediatik, i ka bërë me dije shqiptarëve se në katër bashki të rëndësishme të vendit, kryetarët e zgjedhur të bashkive kanë bashkëpunuar me kriminelët për të blerë votat.
Por edhe sikur këto të mos ishin bërë publike, qytetarët shqiptarë kanë parë me sytë e tyre sesi janë blerë votat dhe si janë kërcënuar votuesit. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën konsiderohet nga opozita si e vetmja mundësi për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, dhe për të dalë kështu nga kriza. Askush nga opozita s’kërkon pushtet në tavolinë; kurse largimi i Ramës nga drejtimi i qeverisë për të çliruar zgjedhjet nga korrupsionin e krimi, kërkohet vetëm që zgjedhjet të çlirohen nga korrupsioni dhe krimi…
Së treti, një nga tezat që artikulohet më shpesh gjatë këtyre ditëve është mashtrimi i trashë se ‘opozita i ka djegur mandatet se ka frikë nga drejtësia, nga SPAK e BKH, që po ngrihen’. Ky është mashtrimi më idiot.
Sepse mbi të gjitha, tani që drejtuesit e opozitës, ish-deputetë, janë pa mandate, SPAK e BKH e kanë shumë të lehtë ti marrin në hetim të gjithë përfaqësuesit e dyshuar të opozitës për më tepër që ata janë pa mandat. Së dyti, përveç momentit të miratimit të amendamenteve kushtetuese për reformën zgjedhore kur opozita votoi me unanimitet, s’ka pasur dhe s’ka asnjë moment tjetër që opozita, mund të pengonte apo mund të pengojë ngritjen e SPAK apo BKH. Së treti, s’ka më asnjë dyshim për askënd se shumica e institucioneve të drejtësisë së reformuar kontrollohen nga Rama, i cila ka një synim të dyfishtë, të mbrojë veten dhe klientelën e tij nga ndëshkimi për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar e trafiqet dhe të kryejë gjueti shtrigash kundër çdo opozitari apo kundërshtari të tij real, apo për të bërë diversion brenda opozitës duke promovuar disa e duke kërcënuar disa të tjerë.
Së katërti, njerëz pranë Ramës por edhe vetë Rama kanë transmetuar ‘argumentin qesharak’ te ndërkombëtarët se ‘Rama ka në dorë stabilitetin jo vetëm të Shqipërisë, por së bashku me lidershipin shqiptar në Kosovë e Maqedoni, të cilin e kontrollon, mund të hedhë në erë edhe stabilitetin e rajonit?!’ Ky është mashtrimi më idiot.
Këtë Rama e përhap te ndërkombëtarët përmes kukullave idiote në qeveri dhe në grupin parlamentar apo këshilltareve të tij injorantë e të blerë. Ky mashtrim është në fakt kundër-argument, sepse në rast se Rama qenka kaq ‘i zoti’ për shkak të forcës që zotëron apo kaq i poshtër për shkak të pafuqisë e dobësisë që e karakterizon, sa të hedhë në erë Ballkanin, atëherë ndërkombëtarët jo vetëm që s’do ta besonin këtë mashtrim por edhe nëse do të kishin frikë nga kjo lëvizje do të kërkonin me urgjencë largimin e tij si një zullumqar i marrë që rrezikon jo vetëm stabilitetin e demokracinë në Shqipëri por edhe si një përgjegjës të destabilitetit të rajonit.
Në fakt Rama është shumë i dobët dhe ky është një blof që askush në perëndim s’e beson dhe të gjithë tallen me të, përveç ndonjë tellalli të mirëpaguar prej tij.
Së pesti, Rama i ka përcjellë disa ndërkombëtarëve mashtrimin se ‘dorëzimi i mandateve pengon hapjen e negociatave’?! Ky është një mashtrim po aq qesharak dhe i trashë sa të tjerët më lart. Mbi të gjitha, të gjithë e dinë shumë mirë se ‘negociatat fatkeqësisht s’do të hapen as në 2019’, vetëm për shkak të keqqeverisjes së Ramës…
Me këtë rast më së pari do të shtrohej pyetja: Përse vjet apo parvjet, kur opozita ishte në parlament e luftonte për hapjen e negociatave, Gjermania, Franca dhe Holanda e ‘grisën’ raportin e sheqerosur të Mogherin-Hahnit dhe i dhanë një shuplakë Ramës për shkak të qeverisjes së tij të korruptuar, të inkriminuar dhe të lidhur me trafiqet e drogës dhe s’pranuan të hapnin negociata derisa Rama të jetë në krye të qeverisë?! Po ashtu mund të shtrohet pyetja se çfarë ka ndryshuar nga vjet në sivjet për Gjermaninë, Francën e Holandën lidhur me qeverisjen e Ramës, ndërkohë që Zëri i Amerikës ka transmetuar me zë e me figurë pamje sesi anëtarë të kupolës së Ramës të lidhur me grupe kriminalë bëjnë para të dyshimta për të blerë votat apo që ministri i Ramës, Saimir Tahiri akuzohet për bashkëpunim me një grup kriminal dhe trafik të drogës.
Apo media gjermane, ajo franceze a zvicerane flasin për një ‘pranverë ballkanike’ ku në krye të listës është Shqipëria për shkak të korrupsionit e klientelizmit të qeverisë së Ramës që po i detyron shqiptarët të emigrojnë masivisht duke u kthyer në azilkërkuesit më të mëdhenj në Europë, madje duke ja kaluar edhe vendeve në luftë apo pas-krizë.
Kancelaritë serioze e njohin shumë mirë realitetin shqiptar dhe s’i besojnë këto mbroçkulla të Ramës dhe ja kanë dhënë mesazhin e qartë Ramës.
*Autori është ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë në periudhën 2003-2005
Diskutime rreth kësaj post