I pari shqiptar që ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte nga Korça. Një histori fati që mesa duket i ndjek dhe sot korçarët, të komentuar në publik si persona që u del masivisht Lotaria Amerikane. Kot nuk thonë: Fati fillestar të ndjek gjithmonë! Më poshtë ju ftojmë të lexoni historinë e Kolë Kristoforit.
Për shkak të kushteve politike, sociale dhe ekonomike shqiptarët e kanë njohur që herët emigracionin, e ndërsa vendet e afërta ishin ato që i tërhiqnin më së shumti , një vend përtej oqeanit shpejt filloj të zgjonte interesin e tyre. Amerika e kthyer në ëndërr ka pritur që herët shqiptarë, që në vitin 1892 kur edhe aty ka shkuar shqiptari i parë.
I pari shqiptar që ka shkuar në Amerikë, ishte Kolë Kristofori nga fshati Katund i Korçës në vitin 1884. Pas gjashtë vjetëve, Kola u kthye në Katund i veshur me rroba alla frënga, me një kapelë luksoze, kollaro të hekurosur dhe xhepat plot me para. Ai u rrëfeu fshatarëve për ato që kishte parë në Botën e Re dhe se në Amerikë, një punëtor fitonte 10 dollarë në ditë, duke shitur lule e fruta në udhë, kur një punëtor në Shqipëri mezi i bënte në një vit. Në vitin 1892, Kolë Kristofori u kthye prift në Boston me 17 shokë të këtij fshati që ishin më parë në kurbet në Rumani e Greqi.
Kështu, pionierët e parë shqiptarë në Amerikë janë: At. Kolë Kristofori, Hari Take Rrapo Laska, Dhoskë Sotir Adham, Thoma Sotir Adham, Josif Sotir Adham, Sotir Lezi, Geli Goni Stevenson, At Dhosi Katundi, Dhime Pano Peterson, Fani Kosta, Thoma Kosta, Hari V. Kaçka, Argjir Peto, Fani Cico Angjel, Dhima Andrea Pano, Rrapi Fanes, Toli Dhami.
Costandin Demo në librin e tij “Shqiptarët në Amerikë. Emigrantët e parë”, ka cituar si më poshtë për një nga pionierët e parë: “Të 17 emigrantët e parë ishin tepër aktivë në lëvizjen kombëtare dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të Sotir Peçit dhe Fan Nolit. Më i dëgjuari ndër ta dhe më punëtori ishte Hari Kaçka. Në këto vite të para ,çdo mbledhje që bënin shqiptarët si me karakter politik, shoqëror nuk mund të quheshin zyrtare ose autentike pa prezencën e Hari Kaçkës. Kur fliste Hari Kaçka të jepte kurajo, të bënte të qeshnje dhe i kishte gati anekdotat e përshtatshme për ndonjë ngjarje. Ai s’kishte shok në të rrëfyerit e ngjarjeve.”
Po kush ishte At Kolë Kristofori?
Sipas C.Demos “Lindi në fshatin Katund të Korçës më 1860. U dorëzua prift më 1917 dhe vdiq në Boston më 26 Korrik 1940, në moshën 80 vjeçare. Ishte i ndershëm, i drejtë, i sinqertë, gati kurdoherë të ndihmonte, i paepur në principet e tij dhe patriot i fortë. Në fillim të shekullit XX, në shtëpinë e At Kolës në Katund u hap shkolla e parë private për çupa, gratis. Motra e At Kolës, Sofia u jepte mësime pesë çupave, një prej të cilave ishte motra ime Sana. Nga librat e shkollës që sillte motra ime në shtëpi, unë mësova të këndoj shqip dhe e mbaj mend edhe sot akoma një vjershë që mësova për mendsh në atë kohë e quajtur “Fyelli i Bariut”.
Ju të rinjtë kur të shkoni nën vështrim të shkuarën, si dhe të mirat që gëzoni, duhet të kujtoni me mirënjohje edhe emrin e këtij njeriu të thjeshtë nga Katundi, i cili hapi udhën për në Amerikë. Ky vend i bekuar ku kemi plotësuar dëshirat tona dhe kemi realizuar ëndrrat tona, këtu ku jetët tona lulëzuan”. Një tjetër emigrant, Thanas Viso Mborja, i lindur në Mborje të Korçës më 1876, në kujtimet e tija, ndër të tjera shkruan për fillimet e para të jetës në Amerikë: “Largimi ynë nga Rumania për në Amerikë, ndodhi në vitin 1901.
Pasi arritëm në Amerikë, ne u drejtuam së pari në qytetin Filadelfia. Aty kishte pak shqiptarë dhe këta ishin të pa organizuar fare. Në të gjithë Amerikën, në vitin 1901 kishte rreth 200 shqiptarë, të cilët ishin mbledhur kryesisht në Xhemstoun, Boston dhe fshatrat e tij, si dhe në Neë-York e në Bufalo. Këta ishin pothuaj se të gjithë nga zona e Korçës. Pas Philadelfias shkuam në Bufalo, ku gjetëm shumë shqiptarë, të cilët nuk kishin më shumë se dy-tre vjet që kishin ardhur në Amerikë për të punuar. Midis tyre gjeta Kristo Poçin, të birin e Papa Kostës nga Korça. Ky ishte një burrë i mirë dhe i urtë. Ai ndihmonte shqiptarët, u gjente punë dhe kur merrte vesh se do të vinte ndonjë shqiptar në Bufalo, e mbyllte dyqanin dhe shkonte në stacionin e trenit për ta pritur. Edhe unë zura punë në Bufalo në një fabrikë, ku transportonja dërrasa nga një repart në tjetrin. Në atë fabrikë, punëtorët gjermanë, ishin më të kualifikuarit dhe kishin punëra të mira.
Në vitin 1906, në Bufalo erdhi Fan Noli, të cilin vajta e prita në stacionin e trenit dhe e mora në konakun tim. Në fillim, Fan Noli ishte ngushtë nga ana ekonomike dhe deri sa gjeti punë, e mbajta me shpenzimet e mia. Puna në fabrikë për të ishte e rëndë dhe atje punoi vetëm disa muaj, deri sa patrioti Sotir Peci, filloi të botojë në Boston, gazetën “Kombi”. Në Bufalo filluan të vijnë shumë shqiptarë nga kolonitë e Rumanisë, Misirit, Bullgarisë, e në mënyrë të veçantë në Xhejmstoun.”
Mundësia e punësimit më shumë ishte në uzinat dhe fabrikat e shtetit Massachusetts. Fillimisht emigrantët jetonin 5-6 vetë në një apartament për të kursyer të holla që t’ja u dërgonin familjeve të tyre në Shqipëri.
Fillimisht në emigracion erdhën vetëm burrat. Më vonë, pasi u integruan në jetën amerikane dhe bënë pak para, u kthyen në Shqipëri për të marrë gratë e tyre ose për tu martuar duke krijuar shtëpinë dhe familjen e tyre në këtë vend të ri. Kishte emigrantë, që nuk u ambientuan me jetën amerikane, me punën e rëndë ose pas një farë kohe i këpuste malli për familjen dhe vendin ku ata kishin lindur e jetuar dhe u kthyen përsëri në Shqipëri. Emigranti Mitti S. Gilo nga Vithkuqi, i cili kishte ardhur që në vitin 1902 në Biddeford, boton në vitin 1912 një libër me 24 faqe nga të cilat 22 me poezi dhe 2 faqe me tregime ku tregon vështirësitë për të ardhur në Amerikë si dhe punët dhe jetën e vështirë në Amerikë që bën një emigrant.
Kam shkëputur një pjesë të vogël nga parathënia dhe fillimi i poezisë: “Duk më ndodhur në Amerikë prej 1902 e gjer më sot, sido që jam i paryrë në skule nga të vojturit që kam hequr anangasem të dëftenj. Vojtjen në Amerikë, jo se vuajnë të gjithë po më të shumtë ose më mirë të gjithë dëshirojnë bukurinë dhe lezenë e vendit të tyre dhe njerëzit e tyre sido që kam mpesim të pakë kam shpresë do mbetemi të kënaqur.
Shokë u hap Amerika
Do ti veç me njëzet lira
Kur dalim që nga shtëpia
Shkojmë që nga Italia
Ca shkonjën nga Gjermania
Po që kur dalim në portë Kastërganë e kujtonjmë
Vallë a do na lenë të shkojmë
E jemi pa mënt në kokë
E të ftohtë si dëborë
O zot na lënçin të shkojmë
Po si ikinjëm ndo një javë
E i qasemi detit mbanë
E harojmë kasterganë.
Diskutime rreth kësaj post