Shqiptarët do të duhen të paguajnë më shumë taksa vitin që vjen. Pas njoftimit se nga 1 janari 2018 do të vendoset taksa e banesës në disa qytete pilot, deri në përfundimin e kadastrës fiskale që parashikohet të përfundojë brenda dy viteve do të jenë drejtuesit e automjeteve që krahas taksës së qarkullimit që paguajnë brenda çmimit të karburanteve, do të shpenzojnë edhe një tarifë për rrugët kombëtare ku kalojnë.
Pritet që e para rrugë ku do të duhet të paguhet për të kaluar do të jetë ajo e “Kombit”. Çdo makinë do të paguajë 5 euro me TVSH për kalimin në këtë rrugë, ndërsa koncesionari pas vitit të tretë do të marrë një shtesë prej 5 milionë eurosh në vit deri në vitin e 15-të si pagesë subvencioni. Rreth 4 km në hyrje të Tunelit të Kalimashit, rruga do të zgjerohet nga katër, në gjashtë korsi, ndërsa do të ndërtohen mbi dhe nënkalimet, rrethimi dhe çdo element tjetër sigurie në autostradë, i cili plotëson kushtet për pagesën e rrugës. Ndërkohë, po punohet për ndërtimin e urave të lëna për mungesë fondesh në segmentin Kukës-Morinë.
Sipas koncesionarëve të mirëmbajtjes së rrugës, për mjetet me ndjeshmëri sociale do t’i jepen bashkisë 100 mijë euro (për autobusë, etj). Por, nuk do të shpëtojnë nga pagesa banorët e Kukësit. Nga ana tjetër pritet që në rradhë të jenë edhe rrugë të tjera kombëtare. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka paralajmëruar këtë fakt. “Do të fillojmë shumë shpejt, brenda programit tonë “1 miliardë për rindërtim”, rindërtimin tërësor dhe aty ku mungon, ndërtimin e elementëve të munguar të rrugës nga Plepat në Durrës deri në Vlorë. Kjo është një rrugë kombëtare me rëndësi strategjike dhe me rëndësi themelore për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin e ekonomisë tonë”, deklaroi ai në muajin shtator. Dhe duket se kësaj strategjie po i paraprin edhe pastrimi i këtyre akseve nga tabelat e reklamave buzë rrugëve, aksion që nisi pikërisht në këtë muaj.
Konsulenti për rrugët
Por, duket se vendosja e pagesës për rrugët e tjera kombëtare do të vonojë në kohë. Kjo, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur të marë një konsulent për të krijuar një sistem të saktë të dhënash për të gjitha rrugët në vend. Kompania do të ketë si detyrë që të mbledhë të dhëna të sakta për gjendjen e rrugëve. Projekti do të financohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe parashikohet të zgjasë 12 muaj.
Kompania që do të përzgjidhet do të ketë si detyrë krijimin e një sistemi me të dhëna të detajuara për rrugët, midis të cilave dhe menaxhimin e urave, trotuareve dhe të sistemit të mirëmbajtjes. Gjithashtu, një tjetër detyrë me rëndësi është edhe analiza që do të ofrohet për gjendjen e rrugëve dhe përcaktimin e atyre ku duhet të ndërhyhet për t’i mirëmbajtur. Ky projekt realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore në kuadër të mirëmbajtjes dhe rritjes së sigurisë rrugore. Në këtë kuadër Banka Botërore do të ofrojë 50% të financimit që do të kërkohet nga kompania e cila do të shpallet fituese. Kërkohet që kompanitë që do të aplikojnë të kenë një eksperiencë 10-vjeçare në manaxhimin e aseteve rrugore.
Diskutime rreth kësaj post