Nga Mimoza Picari
Mbyllja e 18 universiteteve në Gusht të Vitit 2014, me argumentin se ishin jashtë standardit, ishte paralajmërimi më i keq për atë që kishte ndodhur në sistemin e lartë arsimor dhe shoqërinë në përgjithësi.
Trafikimi, kishte prekur dhe botën e dijes dhe për pasojë dhe hallkat e shtetit një pas një. Të kishe një diplomë, sidomos për juridik , ishte shembulli më i thjeshtë në armatën e gjerë të kamerierëve dhe kudo. Diploma, u bë si jorgani i atllasit në pajën e nuseve në kohën e diktaturës, që e kishin të gjitha nuset pavarësisht nga gjendja ekonomike e tyre.
Por diplomimi ndodhte në disa mënyra. Ata që e meritonin vërtet nuk ka rëndësi në privat apo në shtet, ata që e merrnin diplomën edhe pse nuk e meritonin, por edhe ata që e merrnin pa qenë asnjë ditë në shkollë.
Pra në tregun e vlerave dhe të dijës të treja këto kategori kishin diplomë dhe për pasojë konkurrenca u deformua keqas duke shtuar edhe koefiçientin e ndikimit të gjjthhershëm politik në procesin e punësimeve.
Fenomeni i shit-blerjes së diplomave u rishfaq së fundmi sot, pasi policia njoftoi se kishte arrestuar Ahmet Mucaj , ish-pronarin e Universitetit “Kristal”, pjesë e listës së universiteteve të mbyllura në gusht 2014. Kundrejt pagesës, siç u tha, ai akuzohet se pajiste shtetas të ndryshëm me diploma që mbanin datën dhe vulën e kohës kur universiteti ishte hapur.
A është ky një rast i veçuar apo pjesë e një tufe rastesh, kur diplomat false kanë veshur edhe njerëzit me pushtet. Në kohen e mbylljes së 18 unviersiteteve dhe pezullimit të 13 të tjerave, u publikuan mjaft emra deputetësh që ishin pajisur me diplomë në Universitetin “Kristal”, (Artan Gaci i PS-së, Albina Dede e PD-së, Shkëlqim Selami i LSI-së, Bedri Hoxha i PD-së, Ylli Shehu i PR-së por dhe Këshilltari i Kulturës në atë kohë Fate Velaj, sot Deputet i PS-së) ndërsa vetë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla masterin e ka kryer në një prej universiteteve që iu pezullua licenca, por që më pas iu aktivizua sërish.
Nuk po hyjmë në cilësinë e këtyre diplomave dhe as në frekuentimin ose jo rregullisht të mësimit deri në marrjen e saj. Dhe të gjithë mbajmë mend dhe kryeministrin Rama në fushatën e tij kundër asaj që e quante “kristalizim diplomash”. Sot u arrestua Ahmet Mucaj ( i njohur si Meti i Kristalit) për falsifikim të diplomave, i cili pak muaj para se t’i mbyllej Universiteti u shpall dhe qytetar nderi i Corovodës në qershor 2014.
Dhe pyetja që shtrohet sot është: A do të prekë penalizimi dhe ata që janë pajisur me diploma falso, që kanë punuar në poste të larta shtetërore apo që na kanë përfaqësuar në Kuvend.
Sepse ka një Met që e jep, po ka dhe një që e merr. Dhe nëse kërkoni hajdutë në listën e hajdutëve të diplomave, kujdes se ka gjasa që “kristalizimi” të na trokasë në derë, i veshur si avokati, infermieri, mësuesi dhe ministri. /dritare.net
Diskutime rreth kësaj post