Zbardhet misteri i mesazhit që kryeministri Edi Rama i përmendi paraardhësit të tij Sali Berisha. Dy javë më parë, Rama deklaroi se Berisha është në hall të madh, pasi ka marrë një mesazh të mistershëm. Gazeta ka mësuar të vërtetën e mesazhit që përmendi kryeministri, i cili një javë më pas i kujtoi Berishës se nuk mund të udhëtojë përtej oqeanit. Burime shumë të sigurta të gazetës bënë me dije se Sali Berisha ishte përgatitur për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë te “Mëngjesi i Lutjeve”. Ashtu si presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri ka arritur të sigurojë një ftesë përmes Fatmir Mediut. Ky i fundit njihet për miqësinë me amerikanët dhe arriti të sigurojë një ftesë për presidentin dhe për ish-kryeministrin. Si Meta, ashtu e Berisha ishin përgatitur që të shkonin bashkë dhe përmes kësaj vizite të godisnin qeverinë, duke treguar se ata janë me amerikanët dhe administrata e Donald Trump i përkrah. Por plani është thyer në mes nga ambasada e SHBA në Tiranë. Kjo e fundit është informuar se nga Shqipëria kanë marrë ftesa Ilir Meta, Pandeli Majko, Fatmir Mediu, Damin Gjiknuri dhe Sali Berisha. Por ambasada i ka dërguar një mesazh ish-kryeministrit, duke i sugjeruar që të mos aplikojë për vizë për të marrë pjesë në këtë ceremoni, pasi atij do i refuzohet viza. Duke qenë se Berisha është ish-kryeministër dhe nëse atij i refuzohej viza zyrtarisht, do të ishte një ngjarje tepër e rëndë, zyrtarë të ambasadës i kanë sugjeruar që të mos aplikojë, pasi ai nuk mund të udhëtojë drejt SHBA. Ky është dhe mesazhi që ka mbërritur në celularin e zotit Berisha, për të cilin foli kryeministri. Vetë ambasada më pas tha për mediat se nuk i është revokuar viza zotit Berisha. Ligjërisht dhe zyrtarisht atij nuk i është refuzuar, por vetë ambasada i kërkoi që të mos aplikojë pasi nuk mund të hyjë në territorin shqiptar ai dhe familja e tij. Kjo ka bërë që Berisha të tërhiqet dhe të mos figurojë në listën e SHBA si person që i është revokuar viza. Nëse kthehemi në seancën e javës që lamë pas, Rama e bëri pothuajse të qartë se Berisha nuk mund të kalojë oqeanin nëse ai dëshiron të shkojë. Ndërsa vetë Berisha tha se ka marrë shumë ftesa, por nuk ka dashur vetë të udhëtojë. Në të vërtetë ambasada i ka dërguar atij një mesazh, duke i sugjeruar që të mos udhëtojë. Të vetmit që më pas morën vizat janë Meta, Mediu, Gjiknuri dhe Majko.
Paralajmërimet e Ramës
Dy javë më parë Rama u kërkoi deputetëve të tij në sallën e Parlamentit që të mos e ngacmojnë Berishën, pasi ai ka marrë një mesazh shqetësues. Madje ai me ironi i tha se ja qan hallin. Por të enjten e javës që shkoi Rama dha të tjera detaje mbi atë se çfarë kishte ndodhur. Rama deklaroi nga salla e Parlamentit se Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA. Teksa po replikonin me njëri-tjetrin në sallën e Parlamentit mbi bankën ku punon bashkëshortja e tij, Rama fillimisht i kërkoi Berishës të përgjigjet nëse mund të udhëtojë në SHBA apo jo. “Sali, ABI Bank është një bankë, e cila monitorohet drejtpërdrejtë nga Enti Rregullator i Bankave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nëse bashkëshortja ime do të ishte aksionere, të jesh i sigurt që mua nuk do të më lejonin ta kapërceja më oqeanin. Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali, ti e kapërcen dot oqeanin po të duash? Hajde përgjigju. Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë për të të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë. Ti, po të duash, e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurt që unë nuk do e kapërceja dot oqeanin e jo më të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi të kërkoj diçka të tillë”, tha ai. Në fund Rama deklaroi hapur se SHBA i ka vënë vijën e kuqe Berishës.
Diskutime rreth kësaj post