Shkarkimi i kreut të Bashkisë Kavajë rikthen në skenë debatin mbi zgjedhjet e reja në atë bashki. Afrim Krasniqi qe drejton Institutin e Studimeve Politike shpjegon proceduren se si do te shkojë procesi i zëvendësimit të Rroshit në Kavajë.
Sipas Kushtetutës (neni 115) “organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse”. Të njëjtën logjikë që lidh aktin e KQZ për mandatin, atë të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, të drejtën e animimit në Gjykatën Kushtetuese dhe periudhën e vendimmarrjes prej saj, – rregullon edhe Kodi Zgjedhor (neni 10). Konkretisht, “në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar (rasti Kavajë) zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”.
Kjo do të thotë, se nëse nuk ka ankimim nga vetë ish kryetari i bashkisë Kavajë, procedura mbyllet brenda 15-20 ditëve dhe Presidenti shpall zgjedhjet e reja midis 30-45 ditëve pasuese. Nëse ka ankimim brenda këtij afati, atëherë procesi shtyhet në varësi nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Praktikat e deritanishme kanë treguar se praktika të tilla kanë zgjedhur 3-4 muaj. Për shembull, kryetari i bashkisë Dibër u shkarkua nga KM në maj 2016, zgjedhjet në Dibër u bënë me 11 shtator 2016, pra rreth 4 muaj. Për ironi, zgjedhjet në Kavajë mund të bëhen në prag të fushatës elektorale parlamentare, pra partitë konkurrojnë në Kavajë dy herë brenda një periudhe tremujore, – diçka e pazakontë për traditën e zgjedhjeve shqiptare në një zonë me rëndësi simbolike, ish bastion i të djathtës dhe prej dy mandatesh zonë bastion e kandidati të majtë por me kredenciale të dukshme kriminale.
Diskutime rreth kësaj post