Ish-kryeministri Sali Berisha i përmendi emrin gjatë një interviste ku e etiketon si ekzekutor të Azem Hajdarit.
Bëhet fjalë për ish-bodiguardin e Berishës, Izet Haxhia, njeriu më i afërt i ish-kryeministrit për vite më radhë, por sot i kthyer në armikun më të egër të tij.
Në një intervistë për Shqiptarja.com, reagon Izet Haxhia ku nuk ngurron të tregojë disa të vërteta sipas tij, mbi vrasjen e Azem Hajdarit, ku ai është akuzuar nga Berisha si ekzekutor.
Haxhia shprehet se Fatmir Haklaj është vrasësi direkt i Azem Hajdarit, por nxjerrja në pritë u bë nga Sali Berisha. Sipas ish-truprojës, mbesa e Berishës, Sh. B luajti një rol të veçantë më 12 Shtator të vitit 1998, që i kushtoi jetën Azem Hajdarit. Izet Haxhia duke kujtuar vitet kur punonte pranë Berishës kujton momente sesi ish-shefi i tij e poshtëronte Azem Hajdarin në mënyra të ndryshme. “I premtonte poste ministrash që jo vetëm që nuk ia jepte më pas, por pas shpine i vendoste SHIK-un ta përgjonte”, thotë Haxhia duke sjelle detaje në intervistën që jua sjellim si më poshtë.
“Azem Hajdarin e ekzekutuan majorë Fatmir Haklaj, ish-drejtor i komisariat të Tropojës, kapiten Jaho Salihi ish shef i krimeve të Policisë së Tropojës, nipi i Skënder Gjinushit që e kanë vrarë në Itali, Ismet Haxhia, Izet Haxhia, që të gjitha këta, e ekzekutuan para selisë së PD-së”. Berisha i ka bërë këto deklarata gjatë një interviste. Berisha ju fut në një ‘thes’ të gjithëve, dhe nipin e Gjinushit, keni dëgjuar për të? Çfarë dini?
E lexova në media monologun e serbofilit Berisha dhe për serbofilin tjetër Berat Buzhala. Nje monolog kryekëput i mbushur me mashtrime tipike alla Berishe. Ka thënë aq shumë mashtrime sa duhet një kohë e gjatë për t’u marrë me to, por unë po mundohem t’u përgjigjem disa prej tyre. Rasti i vrasjes së Azem Hajdarit.
Është folur e stërfolur për këtë vrasje, për autorët ,urdhërdhënësit, bashkëpunëtorët etj. Dhe këto personazhe janë ndryshuar vazhdimisht sipas kohës dhe interesit të Berishës, në fillim u tha prej tij që është vrarë me urdhër të Fatos Nanos sepse Nano ishte kryeministër në atë kohë dhe ishte rasti i artë për t’u goditur nga Berisha për ta rrëzuar nga pushteti.
Pastaj u akuzua Gjinushi, më vonë Fatos Klosi dhe vetë Rexhep Mejdani..u tha se kanë marrë pjesë rreth 120 veta në ekzekutimin e Hajdarit, por deri sa u vra ne nëntor të 1999, Fatmir Haklaj që ishte ekzekutori i vetëm i Hajdarit, Besim Çerës dhe aksidentalisht i shokut të tij Naim Cangut.
“Trimi “ Sali Berisha nuk guxoj t’i përmendte asnjëherë emrin ekzekutorit. Meqë ishte kaq i informuar desha ta pyes ‘trimin’ Berisha, “Pse nuk ja përmende asnjëherë emrin Fatmir Haklajt sa ishte gjallë si ekzekutor i Azem Hajdarit edhe pse ti e dije shume mire se Fatmiri ishte ekzekutori i Hajdarit ,sepse e ke ndjekur live nga zyra jote ekzekutimin e Hajdarit prapa perdeve?
Të thuash që nuk e njihje edhe këtu gënjen, sepse të ka njoftuar që një orë më parë mbesa jote, Sh.B që ishte vetëm pesë metra larg makinës së parkuar ku ndodhej Fatmir Haklaj pa maskë dhe pa u munduar të fshihte identitetin e tij edhe pse përreth PD vlonin tropojanët që të gjithë e njihnin Fatmirin. Si ai vrasësi që e torturon ideja se mos është zbuluar krimi i tij dhe kthehet në vendin e krimit.
I pari, edhe Berisha i është kthyer herë pas here kësaj vrasje që ka për autor të vetëm Fatmir Haklajn dhe nxjerrës në pritë Sali Berishën. Unë nuk kam pasur zyrë në PD që të thërras Hajdarin, këtë zyrë e ka pasur Berisha, unë nuk kam pasur fuqinë as hierarkike as miqësore që të nxjerr në pritë të Fatmir Haklajt, Azem Hajdarin këtë e ke pasur ti Sali Berisha. Unë nuk e kam thirrur me urgjencë të kthehej në Tiranë nga Lushnja Azem Hajdarin atë pasdite të 12 Shtatorit, sepse nuk isha as kryetar i PD. As ish-President, as bashkëpunëtor i Hajdarit , këtë fuqi e kishte vetëm Berisha dhe e ka thirrur. Sqaroje pse e thirre me urgjencë Azemin në Tiranë atë pasdite? Trego nga zyra e kujt doli Azemi jot i ‘dashur’ për tek makina e vdekjes, aq shumë e doje Azemin, ti o besëprerë sa i the që: shko dhe largoj ata që ke sjellë këtu para PD.
Po nipi i Gjinushit?
Berisha është aq i pafytyrë në gënjeshtrat e tij sa kur i intereson përzien të dreqin e të birin në një ngjarje apo krim dhe kur i prishet punë nuk njef as baxhanakun ..kështu është edhe kjo puna e nipit të Skënder Gjinushit që egzistencën e tij e kam marrë vesh vite më vonë, pas denoncimit që ka bërë Berisha në ambasadën amerikane në lidhje me vrasjen e Hajdarit dhe personat e përzier në këtë vrasje, në ambasadën amerikane ..as nuk e kam njohur, as kam ditur ekzistencën e një personi të tillë që emrin mesa mbaj mend nga denoncimi i Berishës e ka Adrian Këlliçi, në mos gabohem ..
Çfarë mendimi kishte Sali Berisha për Azem Hajdarin në ato vite. Ai sot e cilëson si ‘kafshë politike’…
Në qoftë se ka pasur një njeri të poshtëruar , të përdhosur , keqpërdorur e sulmuar me çdo mënyrë , ky ka qenë Azem Hajdari nga ana e Berishës, e veglave te tij. Po ju jap një shembull konkret se sa i pështirë është Berisha në karakterin e tij kur është pa fuqi e kur kërkon të arrije diçka. Ka qenë vizita e parë e një delegacioni të PD, të sapokrijuar në Amerikë në mars të vitit 1991, në këtë delegacion merrnin pjesë, Hajdari, Berisha, Meksi, Pashko e Selami…nga ana e grupit te Helsinkit në Kongresin Amerikan u zgjodh për të folur e pyetur për pluralizmin në Shqipëri, Azem Hajdari. Berisha i lutet Hajdarit që ta merrte përkthyes në këtë bisedë sepse Azemi mezi fliste shqipen e jo më të dinte Anglisht, dhe të mos merrte Gramoz Pashkon …Pra ky është karakteri i Berishës, që kur don të arrijë diçka bëhet urë e kujtdo dhe kur merr fuqinë në dorë të bën gjëmën edhe atyre që ja kanë dhënë atë fuqi apo ndihmuar të ngrihet..asnjëherë në të gjallë të Azemit, Berisha nuk e ka vlerësuar apo përkrahur Azemin edhe pse Azemi luajti rolin deçiziv në zgjedhjen kryetar të PD të Berishës më 13 shkurt të vitit 1991.
Berisha vetëm e ka poshtëruar e përdorur Hajdarin gjatë gjithë jetës së tij politike, duke e mashtruar herë pas here. I premtoi se do ta bënte ministër të Brendshëm pas 22 Marsit, sa Azemi filloi të ndante poste shefash komisariati e drejtor policie tek kafja e 15-katëshit. Pasi e la me gisht në gojë për postin e ministrit ja hoqi mandatin e deputetit për një shpullë që Azemi i dha shefit të Adiministratës së PD, Sotir Qirjaqi, për arsyen se Sotiri po me urdhër të Berishës i mori zyrën që kishte në PD, Hajdarit. Berisha sa ishte president nuk e ka pritur kurrë në zyrën e tij Hajdarin aq shumë e donte.
Azemi ka qenë i pari politikan që është vënë në përgjim me urdhër të Berishës nga SHIK-u i Gazidedes.
Po në cfarë mënyrash e ka përgjuar SHIK dhe si e zbuloi?
I vunë përgjues në çatinë e shtëpisë dhe kjo i kushtoi postin nën kryetarit të SHIK-ut, Gëzim Balisha, sepse u akuzua nga Gazidede që ky ka njoftuar Azemin për përgjuesin në çatinë e shtëpisë, pasi Hajdari arriti të kapë në çati dy punonjës të SHIK-ut dhe përgjuesin e tyre..Pas këtij dështimi një makinë e SHIK-ut përplas tek ura e madhe e Lanës në bulevard makinën BMË të Azemit, që ti venë përgjues në servisin ku do riparohej .
Në fund të mandatit të tij pas humbjes së zgjedhjeve të 29 qershorit dhe pas arratisjes së ministrit të Brendshëm të PD, Belul Çelo me 10 milion marka të vjedhura gjatë këtij posti, Berisha i premton në drekë Hajdarit që do të bëj ministër të Brendshëm qoftë edhe për një muaj dhe në darkë dekreton Ali Kazazin apo rasti i atentatit të dështuar në Tropojë në qershor të 1998 ku u plagos Bardhyl Pollo.
Berisha i kërkoi me këmbëngulje Azemit të shkonte në Tropoje të vizitonte të ardhurit nga Kosova edhe pse situata në Tropojë ishte e rrezikshme për Hajdarin sepse ai shihej nga Haklajt si i përzier në atentatin e Qafe Luzhës, Berisha e dinte mirë këtë gjë, por këmbënguli të shkonte Azemi ngaqë e donte shumë me siguri, ndërsa unë, “vrasësi” i Azemit edhe pse nuk flisja me Azemin i thashë vëllait te tij dhe atyre që do e shoqëronin që, mbushini mendjen Azemit të mos shkojë sepse situata është e rrezikshme për të dhe mund të ndodhë gjithçka. Pra kjo është ‘dashuria’ e Berishës për ‘kafshën e tij politike’ Hajdari. Nuk arriti ta bënte hero në qershor të vitit 1998 në Tropojë, por e bëri tre muaj më pas duke e nxjerrë në priten e atyre që dështuan ta vrasin në qershor kur ua coi Berisha.
Keni qenë i pranishëm në takimet që Berisha ka pasur me Nanon?
Nuk kam qenë asnjëherë i pranishëm në takimet e të dyve, as në atë të parin në Trieste ku u arrit marrëveshja e turpshme e riciklimit të vazhdueshëm të këtyre të dyve dhe forcave politike që përfaqësojnë kjo me bekimin e një hajduti italian si Betino Craksi , as në atë të Stambollit të vitit 2003 në mos gaboj në ‘Avcilar Hospital’ ku Nano kishte shkuar për të bërë zbukurimin estetik të radhës dhe Berisha i ftuar në një përurim të një centrali elektrik me gaz natyror të mikut dhe bashkëpunëtorit të tij në bizneset e fshehta, Şarik Tara. Këtu u arrit edhe pajtimi midis Berishës e Nanos pas dhuratës së burgut që i kishte bërë Berisha gjithmonë në funksion të riciklimit të njëri-tjetrit.
Diskutime rreth kësaj post