Italianët iu drejtuan sot kutive të votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme që shikohen si nga më të rëndësishmet për shkak të tematikave që mbizotëruan klimën politike. Ka shqetësim në rritje për pasojat që mund të krijohen drejt një paqartësie më të madhe politike dhe sociale, si dhe një Italie më të përçarë rreth çështjes së emgracionit, në një periudhë të mbizotëruar nga rrymat populiste.
Megjithëse në zgjedhje janë regjistruar 21 parti, shumë italianë ndjehen të pakënaqur me alternativat e paraqitura.
Shqetësimet rreth emigracionit
Një ndër çështjet më dominuese gjatë fushatës elektorale ishte çështja e emigracionit. Shqetësimet në mbarë vendin për perspektivën ekonomike, nivelin e lartë të papunësisë tek të rinjtë, si dhe keqfunksionimi i shërbimeve publike, u shndërruan në një furi anti-emigracion.
Koalicioni i djathtë i Silvio Berluskonit, që përfshin partinë e tij Forza Italia, partinë Lega si dhe atë të së djathtës së skajshme Vëllezërit e Italisë, nxitën një axhendë kundër emigrantëve, duke deklaruar se 600 mijë emigrantët e ardhur kryesisht nga Afrika duhet të dëbohen nga Italia.
Madje edhe lëvizja jokonformiste 5 Yjet shfaqi retorikë anti-emgracion, duke e bërë të vështirë dallimin nga qëndrimet e koalicionit të djathtë. Një ndër kandidatet e Lëvizjes 5 Yjet madje përqafoi gjatë fushatës slloganin “Më shumë turistë, më pak emigrantë”.
Populizmi radikal
Ndërsa 20% e votuesve italianë rezultuan të pavendosur për votën e tyre, zgjedhjet në Itali mund të rikthejnë populizmin radikal në hartën politike të Evropës Perëndimore, duke zbrapsur kështu edhe fitoret rishtazi në zgjedhje të forcave të qendrës në Francë dhe në Gjermani. Rezultati mund t’i komplikojë edhe më tej proceset brenda Bashkimit Evropian, si negociatat për daljen e Britanisë nga blloku, ndërsa shfaqen sfida edhe nga udhëheqës populistë në ish-vendet komuniste të Evropës lindore.
Italianët hedhin dy fleta votimi, një votë të drejtpërdrejtë për ligjvënësit dhe tjetrën për grupimin politik. Ky sistem i përzier elektoral favorizon partitë që janë pjesë e koalicioneve elektorale. Koalicioni i majtë në pushtet, i udhëhequr nga Partia Demokratike e Kryeministrit Matteo Renzi pritet të humbasë mbështetje, kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike të vendit.
Shumica e analistëve parashikuan një fitore të koalicionit të djathtë të udhëhequr nga 81-vjeçari Berluskoni, të cilit megjithatë nuk i lejohet pjesëmarrja në garë për shkak të një dënimi në vitin 2013 për mashtrim me taksat. Megjithatë, asnjë koalicion nuk pritet të fitojë shumicën absolute, duke rritur kështu shanset për javë të tëra pasigurie për Italinë, ndërsa pritet të pasojnë negociime për krijimin e një koalicioni qeveritar.
Mes kësaj vale populizmi, italianët mund të gjenden me një qeverisje që do të përqëndrohet tek goditja kundër emigracionit. /VOA
Diskutime rreth kësaj post