Autoritetet italiane konfirmuan të parin shtetas nga ky vend të prekur nga koronavirusi. Ai është një 29-vjeçar nga rajoni i Reggio Emilias, i cili është infektuar në Wuhan, vatrën e përhapjes së koronavirusit në Kinë. I riu rezultoi pozitiv ndaj testeve që iu nënshtrua sëbashku me 56 bashkëkombas të tjerë, të cilët u riatdhesuan pas vendimit të autoriteteve italiane.
Numri i të infektuarve në Itali ka arritur në 3, por dy rastet e mëparshme janë turistë kinezë të cilët po kurohen. Sakaq autoritetet italiane vijojnë të mbajnë të pezulluara fluturimet drejt Kinës.
Në Wuhan ka ndërruar jetë mjeku, i cili paralajmëroi autoritetet kineze që në Dhjetor për përhapjen e koronavirusit. 34-vjeçari Li Uenliang ishte infektuar me virusin e rrezikshëm, teksa kuronte pacientët në Wuhan.
Autoritetet kineze nuk e besuan dhe e vunë në hetim për përhapje lajmesh të rreme, pasi Uenliang ishte shprehur se në Kinë rrezikohet të përhapet një tjetër virus i rrezikshëm si SARS. Vdekja e tij ka shtuar pakënaqësinë ndaj autoriteteve kineze, çka duket qartë në mesazhet nga qytetarët në rrjetet sociale.
61 pasagjerë kanë rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit në një traget në Japoni, ku mbahen të bllokuar 3700 persona. Virusi tashmë është përhapur në 28 vende të botës, ku ka shkaktuar 640 të vdekur e mbi 31 500 të infektuar. Por 99% e këtyre rasteve janë në Kinë.
Diskutime rreth kësaj post