Propaganda online vazhdon të përdoret nga Shteti Islamik për t’i nxitur njerëzit t’i bashkohen kësaj organizate.
Një e tillë me emrin “Hilafeti”, tashmë është edhe në gjuhën shqipe.
Pavarësisht faktit që institucionet e Kosovës kanë miratuar ligje përmes të cilave dënojnë të gjithë ata që rreshtohen përkrah grupeve ekstremiste në veçanti ISIS-it, disa persona janë shumë aktivë duke bërë propagandë në gjuhën shqipe për t`iu bashkuar luftës së ashtuquajtur për xhihad.
Në disa video në “Youtube”, të cilat janë përkthyer në gjuhën shqipe, nuk kursehen as fëmijët të cilët prezantohen si pjesëtarë të ISIS-it.
Këto video ndodhen edhe në faqen me emrin “Hilaffeti” e cila në ballinë ka flamurin e ISIS-it, ndërsa në gjuhën shqipe poston lajme nga aktivitetet e pjesëtarëve të këtij grupi ekstremist.
Televizioni publik është interesuar që të ketë më shumë informacione rreth kësaj faqeje, por përgjigjja që ka marrë është vetëm konfirmim për pranimin e kërkesës sonë në këtë faqe me emrin “Shteti Islam”.
Policia është në dijeni se ekzistojnë ueb-faqe që bëjnë propagandë. Organet e rendit thotë se me kohë ka identifikuar dhe ka trajtuar një dukuri të tillë.
“Drejtoria kundër terrorizmit, në bashkëpunim me Njësinë e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, në vazhdimësi monitoron dhe përcjell në internet, me qëllim të identifikimit të ueb-faqeve, portaleve apo edhe rrjeteve sociale, të cilat propagandojnë ideologjinë ekstremiste, apo që përdoren për të bërë thirrje apo për rekrutim të individëve, të cilët rrezikojnë të bien pre e kësaj propagande. Varësisht nga të gjeturat merren edhe veprimet e nevojshme, duke përfshirë mundësinë e inicimit të hetimeve penale dhe ndjekjes penale, apo edhe shqyrtimi i mundësive për të ndërmarrë veprime të kufizimit të ndikimit tek shoqëria e këtyre ueb-faqeve, portaleve apo llogarive në rrjete sociale”.
Organet e rendit pranojnë se ky fenomen mbetet sfidë për të gjitha institucionet e sigurisë, jo vetëm në Kosovë.
Ndërkohë, Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare e Sigurisë thotë se kohëve të fundit Kosova qëndron më mirë sa i përket luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, por që sipas tij ende mungon kundër narracioni sa herë që publikohen video nga grupet ekstremiste të cilat mundohen të shtojnë numrin e të rekrutuarve në Siri.
Njohës të problemeve në Lindjen e Mesme, japin sqarime të fjalës Hilafet, emër ky i kësaj faqeje propagandistike. Krijimi i një faqeje me këtë emër mbrapa vetes ka qëllim jo të mirë për shqiptarët.
Organizata të ndryshme nga shoqëria civile kohët e fundit kanë bërë shumë hulumtime lidhur me propagandën online që po bëhet nga grupet ekstremiste, me theks të veçantë nga ISIS-i, ku thuhet se radikalizmi online është në rritje bashkë edhe me përdorimin e internetit.
Sipas disa të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, të publikuara nga Internet World Stat, gjatë vitit 2014 Kosova kryeson në rajon me përdorim të internetit deri në 76,6%. Bazuar në këtë edhe rreziku nga propaganda online e ISIS-it po rritet. /RTK/
Diskutime rreth kësaj post