Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka dënuar vendimin e gjykatës së Mianmarit (Burmas) për të ndëshkuar ish-lideren, Aung Saan Suu Kyi me gjashtë vjet shtesë burgim, nën akuzat për korrupsion.
Seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura. Borrell e ka konsideruar dënimin ndaj politikanes 77-vjeçare si të padrejtë dhe ka bërë thirrje për respektim të “dëshirës së popullit”.
“E dënoj vendimin e padrejtë ndaj Aung San Suu Kyi-së për gjashtë vjet shtesë burgim dhe i bëj thirrje regjimit të Mianmarit që menjëherë dhe pakushte ta lirojë atë, të gjithë të burgosurit tjerë politikë, si dhe të respektohet dëshira e popullit”, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.
Në raportimet e mëhershme është thënë se Suu Kyi – fituese e Çmimit Nobel për Paqe më 1991 – është shpallur fajtore për keqpërdorim të fondeve në organizatën që ajo ka themeluar.
Suu Kyi, e cila është duke u mbajtur në burg, tashmë është dënuar me 11 vjet burgim për shkak të akuzave tjera që rëndojnë mbi të, prej kur ushtria e ka rrëzuar nga pushteti përmes një puçi në shkurt të vitit të kaluar.
Ushtria pretendon se zgjedhjet që i ka fituar Suu Kyi kanë qenë të manipuluara. Mirëpo vëzhgues të pavarur zgjedhor kanë thënë se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të drejta, dhe akuzat ndaj saj janë të motivuara politikisht.
Si pasojë e shtypjes ushtarake ndaj disidentëve, dhjetëra mijëra njerëz janë burgosur. Ka raportime të besueshme se disa prej tyre janë rrahur apo vrarë. /REL
Diskutime rreth kësaj post