Ish-presidenti Alfred Moisiu ka folur për situatën politike në vend. Në një intervistë me Adi Krastën, tek “E Diell” në Top Channel, Moisiu thekson se mazhoranca mund të bjerë nëse LSI del nga koalicioni me PS. Ai thotë se nuk jemi në kushtet për një gjë të tillë, pasi vendi nuk ka ndonjë situatë emergjence, por edhe mazhoranca që po qeveris i ka votat në Kuvend.
“Qeveria bie vetëm nëse LSI del nga koalicioni. Nëse largohet LSI qeveria bie sepse mazhoranca nuk i ka votat”, theksoi Moisiu. Ai bëri me dije se ka qenë edhe vetë në vitin 92 në Qeverinë teknike që u krijua asokohe, por theksoi se nuk janë kushtet as si në atë kohë dhe as si në periudhën e qeverisë teknike të dretyruar nga Bashkim Fino pas ngjarjeve të vitit 1997.
Moisiu nga ana tjetër evidentoi se shqetësimi për zgjedhjet është i drejtë pasi vendi ka nevojë për zgjedhje të drejta. Ish-presidenti theksoi se nuk zgjidhet problemi teksa Rama e Basha flasin nga njëri cep në tjetrin.
“Ata duhet të ulen, të flasin e të merren vesh, nuk është situata si dikur kur njerëzit flisnin nga kalaja në kala”, tha Moisiu. Moisiu kritikoi edhe bllokimin e vettingut duke thënë se kjo është rezistencë e faktit se do të preken disa emra të përvecëm në sistemin e drejtësisë.
Diskutime rreth kësaj post