Ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli, tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se, sipas tij, gjendja në PD sot është më keq se më parë, sepse ajo është e përçarë dhe në PD-në e Berishës mendon vetëm Doktori, ndërsa nuk ka as figura dhe as ide të reja.
“PD është kthyer në gjendjen që nuk mendon, sepse çdo gjë e mendon Berisha. Të gjithë presin se çfarë thotë Doktori. Nuk dëgjon ndonjë fjalë nga ata që dalin nëpër studio, në publik, apo në parlament dhe thonë ndonjë fjalë që nuk është 100 për qind e tyrja. Ky është një dëshpërim, sepse jemi kthyer në model të kryetarokracisë, por jemi kthyer edhe tek e vjetra.
Sot kemi një PD të copëtuar. Unë jam në mes të dyja palëve, sepse ato nuk japin përgjigje. Kam një dyshim se kjo spirale zbritëse e partisë do të vazhdojë e do të thellohet edhe më tepër me situatën e zgjedhjeve vendore.
Ajo që Berisha sot thotë revolucion është thirrja e Berishës që njerëzit të përmbysin Edi Ramën. Nëse do ta përmbysim si pakicë, këtë s’mund ta bëjmë. Nëse jemi shumicë, e përmbysim me votë, por Berisha më duket se ka frikë vetë nga votimi, sepse deri më sot e kemi faturuar që “na i ble dhe na i vjedh Rama”. Unë nuk e besoj dhe nuk e blej më këtë.
Natyrisht që pushteti ka një avancë që e përdor gjithnjë. Edhe kur ka qenë Berisha në pushtet ka patur avancën ndaj opozitës, edhe kur ka qenë Nano.
Që të ndryshojë pushteti duhet që opozita të propozojë diçka të re, ide të reja politike, figura të reja dhe të ngjallë besueshmëri, duke lidhur idenë e re politike me fytyrën. Kjo nuk është, se janë po ato fytyra të vjetra”-tha Kadilli.
Diskutime rreth kësaj post