Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se me Vjosa Osmanin Presidente Kosova nuk mund të marrë asnjë njohje të re. Ai akuzon Presidenten për deklarata të papërgjegjshme që rrezikojnë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, ndër të tjerash e ka cilësuar si anti-Kushtetues moratoriumin njëvjeçar të dalë nga Marrëveshja e Uashingtonit, gjë që kufizonte aplikimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Edhe pas kalimit të afatit të këtij moratoriumi, Kosova nuk është se ka arritur të futet në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
“Dikush mund të shet mend se ngrirja e aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombërare për një vit, sipas Marrëveshjes së arritur në Zyrën Ovale në Ëashington, ka rrezikuar rendin kushtetues të Kosovës, por këtë e vlerësoj deklaratë të kotë. Boshe. Sepse askush s’na ka pritur në rend të anëtarësohemi dhe se institucionet e Kosovës edhe pas kalimit formal të afatit të moratoriumit nuk kanë aplikuar për anëtarësim”, ka deklaruar Mustafa.
Mustafa ka thënë se këto lloj deklarata dëmtojnë partneritetin e Kosovës me SHBA-të, të cilat angazhohen për implementimin e Marrëveshjes.
“Nëse dikush është i bindur se Kosova mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare pa përkrahje të Amerikës, le të provojë. Në qoftë se vlerëson se është rrezikuar rendi kushtetues, e ka për obligim ta mbrojë Kushtetutën. Prej kujt? Në këtë rast po del, prej aleatit tonë strategjik që ishte vendimtar ta bëjmë shtetin e Kosovës. Unë dyshoj që Kosovën do të mund ta anëtarësojnë në organizata ndërkombëtare liderët që çdo ditë e më shumë po e izolojnë Kosovën. As të arrijnë ndonjë njohje të re, për fat të keq! Letrat dhe mikrofonat durojnë çdo gjë; deklarime të mençura e të pamençura, por logjika e shëndoshë nuk i duron të gjitha”, është shprehur Mustafa.
Diskutime rreth kësaj post