Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit nuk doli me një deklaratë të përbashkët në Bruksel, sepse opozita votoi kundër pjesës më të madhe të amendamenteve të propozuara nga pala europiane.
Partia Demokratike këmbënguli deri në fund që në deklaratë të mos ishte paragrafi ku Parlamenti Europian i kërkon Komisionit dhe Këshillit Europian që të hapë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, kur të përmbushen 5 kushtet kryesore.
Përfaqesuesi demokrat, Aldo Bumçi këmbënguli që në vend të kërkesës për hapjen e negociatave drejtuar Komisionit dhe Këshillit, deklarata të përmbante një kërkesë për Shqipërinë që të siguronte zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe luftën kundër drogës.
Bumçi këmbënguli në këtë kërkesë edhe pasi Parlamenti Europian dhe përfaqësuesi i mazhorancës, Taulant Balla ranë dakord të heqin nga teksti pjesën ku flitej për caktimin e një date për hapjen e negociatave, si dhe përfshinë në amendament kërkesën që Shqipëria të zbatonte 5 prioritetet kyçe.
Përfaqësuesi demokrat, Aldo Bumçi refuzoi edhe një propozim të ish-ministres Majlinda Bregu që paragrafi të përfshinte si kërkesën për Këshillin që të hapë negociatat, ashtu edhe për Shqipërinë që të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Këto përshkruhen nga anëtarët e Komitetit si momente të tensionuara, që kanë përfunduar me votimin kundër nga Partia Demokratike të amendamenteve kryesore të deklaratës.
Ato u votuan nga demokratja Majlinda Bregu, përfaqësuesit e mazhorancës dhe të gjithë eurodeputetët.
Në rrjetet sociale ndërkohë ka pasur irritim të madh dhe ironi me votimin kundra të deputetëve demokratë.
Ironia është se pro Shqipërisë kanë votuar edhe deputetët serbë dhe ata grekë, ndërkohë që kundër kanë votuar pikërisht deputetët e PD-së.
Diskutime rreth kësaj post