Nga Aurora Allushaj, Bruksel
Philippe Van Dael është një brukseler i veçantë. Që në fëmijëri punon në dyqanin kafesë, pronë e familjes së tij në rrugën Marie-Christine, në Bruksel, ashtu si shumica e banorëve të vjetër të kësaj lagjeje. Por ajo që e bën të veçantë, është përpjekja e tij për të folur shqip për të kënaqur klientët e tij shqiptarë. Dhe në fakt sapo hyjmë në dyqanin e tij e gjejmë një kliente shqiptare aty. Nuk ishte e vështirë ta merrnim vesh origjinën e saj, pasi kishte nisur të komunikonte në shqip me shitësin. Prezantohemi me të. Na thotë që quhet Sheribane Prebreza dhe vjen nga Prishtina. Prej 23 vitesh jeton në Bruksel dhe që nga fillimi kafen e ka blerë gjithmonë në dyqanin Van Dael. Klientja porosit kafen e preferuar të saj dhe shitësi, i cili ia di shijet, e përgatit dhe bluan në çast kafen. Van Dael na thotë se i njeh mirë shijet e shqiptarëve. Të gjithë kërkojnë kafen turke, çka është një përzierje midis dy llojeve të kafesë, Moka e Arabica, një specialitet i dyqanit të tij. Pa humbur kohë i drejtojmë disa pyetje belgut 59-vjeçar, natyrisht rreth marrëdhënies së tij me shqipen.
Përshëndetje, juve flisni shqip. Çfarë e bën një belg që të flasë gjuhën shqipe?
Përshëndetje! Unë kam shumë klientë shqiptarë në dyqanin tim të kafesë. Për të mos thënë që ata përbëjnë shumicën e klientëve. Me ta komunikoj herë pas here dhe kam mësuar shumë fjalë në gjuhën tuaj.
Sa vjet keni që punoni me klientelën shqiptare ?
Ohhh, janë bërë dhjetra vite tashmë. Ky dyqan është themeluar nga stërgjyshi im i quajtur Aurelien plot 125 vjet më parë. Ai ia trashëgoi të birit, gjyshit tim, d.m.th të quajtur Morris, dhe ky djalit të tij, babait tim Eduard, i cili është 88 vjeç dhe punon me mua këtu. Ose më saktë ai drejton dyqanin si dhe kryen të gjitha proceset e përpunimit të kafesë.
Shoh që në dyqanin tuaj keni dhjetëra lloj kafesh. Cila është e preferuara e shqiptarëve?
Shqiptarët preferojnë përzierjen e dy llojeve Moka e Arabica, nga e cila përfitohet ajo që e quajmë kafe turke. Kjo përzierje, këtu në Bruksel, është specialiteti ynë. Këtë prej dhjetra vitesh e bën babai im. Ai punon me makinat të cilat pjekin dhe përziejnë kafen në 200 gradë celsius.
D.m.th, nëse do vinte këtu një klient shqiptar, i cili nuk flet asgjë veç shqipes, do kuptohej më së miri me juve…
Po, po, unë mund të komunikoj me klientin rreth asaj ai çfarë dëshiron nga dyqani im, ndërkohë që di edhe numrat. P.sh, këto dy paketat e kafesë që mori kjo zonja, kushtojnë 7 euro e gjysmë.
Çfarë fjalësh përdor më tepër në shqip?
Përshëndetjet sigurisht. Pastaj pyetjet e thjeshta dhe numrat.
E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?
Jo. Kjo për faktin se e kemi si traditë të familjes që shkojmë në bregdetin e Spanjës me pushime. Por kam dëgjuar se në Shqipëri çmimet janë më të lira dhe shërbimi më i mirë. Përveç kësaj kam dëgjuar që mund të gjenden edhe shumë prodhime bio. E meqë jemi këtu: Mund të përdoren eurot në Shqipëri? Po në Kosovë?
Po, po, mund të përdorësh euro në Shqipëri ose t’i kthesh në lekë shqiptarë. Ndërsa në Kosovë euro është monedha zyrtare. Po planifikon të vizitosh Shqipërinë dhe Kosovën?
Po patjetër. Pse jo?! Unë e njoh lekun shqiptar. Kam disa kartëmonedha këtu. M’i kanë dhënë klientët.
Prebreza: Dy dekada që blej kafen tek Van Dael
Dashur pa dashur, pjesë e këtij artikulli u bë edhe kosovarja Sheribane Prebreza, e cila u gjend rastësisht në dyqanin e kafesë në të njëjtën kohë me ne. Në fakt nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, në biznesin që më së shumti punon me klientelë shqiptare.
Zonjë, ju pohoni se jeni kliente e hershme këtu. A jeni e kënaqur me të?
Po shumë. Kafja është e mrekullueshme. Njëlloj sikur ajo që kemi përdorur gjithmonë në Kosovë.
Sa vite keni në Bruksel?
Kam 23 vjet që jetoj këtu.
Gjithmonë këtu e keni blerë kafenë ?
Po, këtu.
Flisni shqip me zotërinë ?
Përshëndetemi në shqip. Flasim edhe pak në shqip. Ai di shumë fjalë në shqip, për të na shërbyer në rregull. Dhe pastaj për lehtësi vazhdojmë në frëngjisht.
Diskutime rreth kësaj post