Në një intervistë ekskluzive të dhënë për Gazetën Tema për opinionin publik në Republikën e Shqipërisë, Tomë Gashi, avokati i rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, tregon për zhvillimet e fundit lidhur me hetimet për vdekjen e Deharit në burgun e Prizrenit. Sipas Gashit, tashmë ekziston dyshimi i bazuar për vrasje. Rezultatet e para të autopsisë gjithashtu treguan se Astriti kishte lëndime në njërën dorë, gërvishtje në tjetrën, gërvishtje në qafë, një lëndim në ballë dhe gërvishtje në hundë dhe brenda në fyt. Astrit Dehari ishte një student i mjekësisë, 26 vjeçar, i cili mbahej në burg prej 68 ditësh pa aktakuzë. Vdekja e tij në burg ka nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë Kosovës, përfshirë edhe reagimin nga Ministri i Jashtëm Britanik, Boris Johnson, i cili ka kërkuar hetim të pavarur për rastin. Megjithatë, avokati Tomë Gashi, tregohet i habitur për faktin se si krerët e institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësuesit e partive politike në Tiranë, ende nuk kanë bërë asnjë deklaratë për rastin dhe vazhdojnë të heshtin edhe pse tashmë kanë kaluar 11 ditë që prej vdekjes së Astritit. Ai thote se Tirana zyrtare duhet te inkurajoj hetime te ndershme dhe duhet te shprehet per vdekjen e Astritit.
Sipas të dhënave që ju keni, çfarë ndodhi me Astrit Deharin në burgun e Prizrenit në datën 5 nëntor?
Lajmi i parë zyrtar për vdekjen e Astritit është dhënë në datën 5 nëntor nga Komandanti i Rajonit Policor të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili është deklaruar publikisht se Astriti ka vdekur nga një mbidozë medikamentesh dhe ka vdekur rrugës për në spitalin e Prizrenit. Pas kësaj deklarate, Shërbimi Korrektues i Kosovës (burgjet) ka deklaruar se Astriti ka vdekur në spitalin e Prizrenit. Ndërkohë, kryeprokurori i Prizrenit në të njëjtën ditë ka thënë se vdekja e Astritit ka qenë e dyshimtë. Pra, që në ditën e parë, institucionet e Kosovës kanë lëshuar deklarata kontradiktore lidhur me vdekjen e Astritit, dhe prandaj familja ka kërkuar prezencën e ekspertëve mjeko-ligjor të pavarur në autopsinë që u mbajt në datën 7 nëntor 2016. Përmes presionit publik, kërkesa e familjes u pranua nga institucionet dhe në autopsi morën pjesë si vëzhgues dy mjekë ligjorë të caktuar nga familja, të dy shqiptarë, njëri nga Republika e Shqipërisë dhe tjetri nga Londra, si dhe një profesoreshë e Mjekësisë, që i ka dhënë Astritit mësim në Universitetin e Prishtinës. Përveç mjekëve të pavarur, në autopsinë që zgjati rreth dy orë e gjysmë, morën pjesë edhe tre mjekë ligjorë të caktuar nga shteti i Kosovës, një monitorues nga EULEX-i, kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, dhe unë.
Rezultatet e para të autopsisë treguan se shkaku i vdekjes së Astrit Deharit ishte asfiksia. Një mjet i fortë është futur në fytin e Astritit dhe i ka penguar frymëmarrjen. Këtë e konfirmojnë edhe deklaratat e shokëve të qelisë së Astritit të cilët thonë se Astritin e kanë gjetur në dhomë vetëm, pasi janë kthyer nga shëtitja në oborrin e burgut, të shtrirë përmbys, dhe me një shishe plastike të mjaltit në gojë. Analizat gjatë autopsisë gjithashtu treguan se Astriti nuk kishte marrë asnjë medikament. Për këto konkludime ranë dakord të gjithë ekspertët mjeko-ligjor që morën pjesën në këtë autopsi, dhe këto të dhëna iu bënë me dije publikut nga kryeprokurori Sylë Hoxha, dukë përgënjeshtruar kështu deklaratat kontradiktore të dhëna nga policia e Kosovës. Rezultatet e para të autopsisë gjithashtu treguan se Astriti kishte lëndime në njërën dorë, gërvishtje në tjetrën, gërvishtje në qafë, një lëndim në ballë dhe gërvishtje në hundë dhe brenda në fyt. Ditën e autopsisë neve na janë treguar edhe fotografi nga qelia e burgut ku u gjet i vdekur Astriti, e cila ishte rrëmujë, dhe me plot sende (një peshqir, një sapun, sirtarët, etj.) të mbuluara me gjak. Aty kishte edhe një stilolaps dhe brisqe roje në tokë. Megjithatë, duhet theksuar se mjekëve ligjorë të caktuar nga familja nuk ju lejua qasja në vendngjarje dhe as nuk ju lejua mundësia që të analizonin sendet e gjetura në qelinë e Astritit, dhe nuk iu treguan xhirimet e kamerave të burgut. Raporti zyrtar i autopsisë ende nuk ka dalë, por për mjekët ligjorë të pavarur, të caktuar nga familja, autopsia nuk mund të konsiderohet e plotë për shkak të kufizimeve në qasje të provave. Pas autopsisë, mjekët ligjorë të caktuar nga familja u shprehën se për ta është vështirë e besueshme që Astriti të ketë vrarë veten.
Tashmë, ekziston dyshimi i bazuar se vdekja e Astrit Deharit ka qenë vrasje.
Pse mbahej në burg Astrit Dehari?
Astriti është arrestuar dhunshëm nga Policia e Kosovës në datën 30 gusht, në orët e para të mëngjesit, në shtëpinë e tij, dy ditë para protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për të kundërshtuar marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Në të njëjtën kohë janë arrestuar edhe pesë aktivistë të tjerë, të gjithë studentë të Universitetit të Prishtinës. Në një seri deklaratash dhe konferencash për shtyp të mbajtura pas këtyre arrestimeve, Policia e Kosovës ka thënë se ata dyshoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në datën 4 gusht. Pas këtij arrestimi të bujshëm, të cilin Policia e Kosovës e cilësoi si aksion anti-terror, tre prej aktivistë lëshohen nga burgu me masën e arrestit shtëpiak, ndërsa tre të tjerë mbahen në paraburgim, mes tyre edhe Astriti. Duhet të shpjegojmë që ndaj Astritit dhe të tjerëve nuk është ngritur ende aktakuzë, dhe prokuroria nuk i ka marrë në pyetje. Pra, Astriti u mbajt në burg 68 ditë rresht, nën dyshimin për terrorizëm, por ndërkohë as nuk u morë në pyetje, dhe ndaj tij nuk u ngritë asnjë aktakuzë. Nga të gjitha provat që ne kemi, mund të themi pa mëdyshje se arrestimi dhe burgosja e Astritit përbëjnë një rast tipik të persekutimit për shkak të bindjeve dhe angazhimit politik. Fakti mbetet se po mos të kishte qenë i burgosur, sot Astriti do të ishte i gjallë dhe pranë miqve dhe familjarëve të tij, të cilët janë të njohur si familje patriotike me një histori të gjatë rezistence kundër okupatorit serb. Astriti ishte i martuar dhe kanë lënë pas gruan shtatzëne.
Ju keni kërkuar në emër të familjes Dehari një hetim të pavarur lidhur me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit. Cilat janë arsyet që ju kanë shtyrë për këtë kërkesë?
Siç shpjegova edhe në fillim të kësaj interviste, deklaratat dhe veprimet e institucioneve të Kosovës, kanë qenë shumë kontradiktore, duke e ulur krejtësisht besueshmërinë e tyre jo vetëm në sytë e familjes por edhe sa i takon publikut të gjerë. Duhet të përmendim edhe faktin që ndërkohë që mjekëve ligjorë nuk ju lejua qasja e plotë në prova, javën që kaloi, pesë ditë pas vdekjes së dhunshme të Astritit, dy media nxorën disa xhirime nga burgu i Astritit, si pasojë e një rrjedhjeje që duhet të ketë ndodhur nga autoritetet e shtetit. Kryeprokurori Sylë Hoxha, kishte siguruar publikun e gjerë, një ditë para se këto xhirime të bëheshin publike, se të gjitha provat janë nën administrimin e hetuesisë policore, të sekuestruara, dhe se ato po analizohen dhe ruhen me kujdes. Nga ana tjetër, të nesërmen në media dalin xhirime të pa verifikuara nga asnjë ekspert, dhe madje Kryeprokurori Sylë Hoxha deklaroi se xhirimet e kamerave të burgut nuk i ishin dhënë as prokurorisë, e cila ende nuk i kishte parë ato. Në këtë mënyrë, janë ngritur edhe më shumë dyshimet tona për mënyrën se si institucionet e Kosovës po e trajtojnë rastin, dhe prandaj kemi insistuar zyrtarisht dhe publikisht që të pushojnë hetimet nga ky grup i zyrtarëve që e kanë cenuar procedurën hetimore dhe që në hetimet për këtë rast të përfshihen edhe hetues të pavarur me miratimin e familjes.
Janë bërë 11 ditë që prej vdekjes së Astritit dhe as gardianët e turnit, eprori i tyre, drejtori i burgut të Prizrenit, Drejtori i përgjithshëm i burgjeve të Kosovës, komandanti rajonal i Prizrenit, hetuesit policorë, zyrtarët e institutit të forenszikës nuk ju është komunikuar as pezullimi nga vendi i punës për të gjitha këto shkelje kaq të rënda që kanë ndodhur. Në kushte normale shumë prej tyre tani do të duhet të ishin të ndaluar nga organet ligj-zbatuese. Po ashtu as të burgosurit që ishin në qeli me Astritin nuk janë transferuar në institucione të tjera. Në burgun e Prizrenit gjithçka ka mbetur sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Kjo flet shumë për të gjithë rastin dhe dyshimet tona.
Cila ka qenë përgjigja që keni marrë nga institucionet për hetim të pavarur dhe a keni siguruar përkrahje për këtë kërkesë?
Deri tani nuk kemi pasur asnjë përgjigje nga institucionet e Kosovës lidhur me kërkesën e familjes për hetime të pavarura. Përfaqësuesit e institucioneve kanë dhënë deklarata të shumta lidhur me mënyrën se si janë angazhuar të gjitha organet e shtetit për këtë rast, por thuajse çdo ditë ka pasur shkelje të shkaktuara pikërisht nga këto institucione. Deri tani kërkesa për hetime të pavarura është përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga shumë personalitete publike të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjithashtu këtë kërkesë e ka përkrahur zyrtarisht edhe Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Komiteti i Helsinkit, Internacionalja Socialiste, si dhe Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili e ka bërë këtë kërkesë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës javën që kaloi gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
Duhet thënë se unë kam mbetur shumë i çuditur nga fakti se nuk kemi dëgjuar asnjë prononcim apo deklaratë nga përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Shqipërisë apo të partive politike në Tiranë lidhur me këtë ngjarje. Nuk është vonë për të kërkuar drejtësi për Astritin, dhe deklarata që mund të vinin nga Republika e Shqipërisë do ta mbështesnin edhe më shumë kërkesën legjitime të familjes për një hetim të pavarur. I bëj thirrje të gjithë aktorëve, e sidomos përfaqësuesve në Shqipëri, të mos heshtin për këtë rast kaq të rëndë.
Ju keni ngritur padi në lidhje me daljen e provave të rastit (xhirimet filmike të burgut) në media. Ndaj kujt e keni ngritur këtë padi dhe çfarë po ndodh me këtë rast?
Pas publikimeve nga disa media të disa prej pamjeve që aludohet të jenë pamje të kamerave të burgut të Prizrenit në ditën që ka vdekur Astrit Dehari, unë kam dorëzuar një padi kundër autoriteteve përgjegjëse për ruajtjen e këtyre provave. Sipas ligjit në fuqi, rrjedhje të tilla informacioni nga organet e shtetit përbëjnë vepër të rëndë penale, dhe ata që e kanë bërë këtë gjë duhet të mbajnë përgjegjësi.
Diskutime rreth kësaj post