Në muajin janar të këtij viti, eksportet e mallrave arritën vlerën 16 miliardë lekë, duke u ulur me 7,8 % në krahasim me janar 2015 dhe 8,1 % në krahasim me dhjetor 2015. Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar këtë të hënë nga Instituti i Statistikave, INSTAT, importet e mallrave në muajin janar të këtij viti arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u ulur me 1,5 % në krahasim me janar 2015 dhe 34,6 % në krahasim me dhjetor 2015. INSTAT raporton se defiçiti tregtar i këtij muaji është 18 miliardë lekë, duke u rritur me 5,0 % krahasuar me janar 2015 dhe duke u ulur me 48,0 % në krahasim me dhjetor 2015.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Ulja vjetore e eksporteve prej 7,8 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,0 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me -6,4 pikë përqindje,
“makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet “tekstile dhe këpucë” me +6,0 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,0 pikë përqindje, “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,6 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Ulja vjetore e importeve prej 1,5 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet “materiale ndërtimi dhe metale” me -3,5 pikë përqindje, “produkte kimike dhe plastike” me -3,1 pikë përqindje dhe “ushqim, pije duhan” me -0,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +1,3 pikë përqindje, “minerale,
lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,5 pikë përqindje.
Tregtia e jashtme e mallrave:
Në muajin janar 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me janar 2015 janë Italia me 8,1 % dhe Greqia me 17,9 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Kosova me 7,4 %, Gjermania me 1,5 %, dhe Kina me 36,8 %.
Gjatë muajit të parë të vitit, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me janar 2015 janë Italia me 18,3 %, Gjermania me 3,1 % dhe Polonia me 34,8 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Kina me 4,2 %, Turqia me 5,6 % dhe Greqia me 3,8 %.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 67,4 % të gjithë tregtisë. Në janar eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 86,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (42,3 %), Kina (7,4 %) Greqia (6,4 %), dhe Turqia (5,7 %).
Diskutime rreth kësaj post