Punonjës të bashkisë Elbasan, u filmuan duke depozituar mbetje në një venddepozitim të paligjshëm buzë lumit Shkumbin, ndërsa situata mjedisore në mjediset e inceneratorit vazhdon të mbetet emergjente.
Edhe pse inceneratori është prej muajsh në remont, për shkak të defekteve teknike, mbetjet urbane në Elbasan po digjen.
Në një venddepozitim të paligjshëm buzë lumit Shkumbin në fshatin Bradashesh, 3 kilometra larg nga inceneratori, BIRN filmoi me 1 Mars një makinë të bashkisë Elbasan duke depozituar mbetje urbane.
Sipas banorëve të zonës, pjesë e një lagje periferike pranë kombinatit Metalurgjik, ky akt i paligjshëm që përbën krim mjedisor ndodh rëndom, pasi kjo nuk është hera e parë që makina me mbishkrimin “Bashkia Elbasan” derdhin mbetje buzë lumit.
Mbetjeve u vihet flaka natën, duke lëshuar shtëllunga me tym të zi mbi fshat.
“Mbi 1 vit e gjys që ne kemi kapur shoferë që thonë jemi me urdhër të bashkisë dhe vazhdojnë çdo ditë që derdhen mbeturinat këtu tek njësia e Bradasheshit. Jemi ankuar në polici, jemi ankuar te prefektura te ato të mjedisit, kanë ardhur para një viti, kanë bërë disa video kanë ikur dhe asgjë nuk kanë bërë deri tani siç e shihni edhe vetë”, tha një banor i zonës në kushtet e anonimatit.
I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, kryebashkiaku i Elbasanit Gentjan Llatja, mohoi që mbetjet depozitoheshin në breg të Shkumbinit nga mjetet e bashkisë.
“Nuk besoj që ka ndodhur. Nëse ka ndodhur, do merren masa ndaj personave që e kanë bërë”, tha Llatja përmes një bisede telefonike.
Diskutime rreth kësaj post