Presidenti Ilir Meta vijon të thellojë përplasjet me mazhorancën. Dekretimi i Sandër Lleshit kaloi, por tani molla e sherrit është kthyer reforma në drejtësi. Në fillim të dhjetorit duhet të hidhet shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe dje kanë nisur përplasjet mes Presidencës dhe Kuvendit. Gazeta e paralajmëroi që pak ditë më parë, pasi sinjalet u dhanë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ky i fundit drejtohet nga Ilir Meta dhe nuk dorëzoi fillimisht kandidatë për KED, me argumentin se tani duhet të jenë KLGJ dhe KLP organet që do të propozojnë kandidatët. Por dje Meta i është drejtuar me një shkresë kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku refuzon të hedhë shortin, ndërsa po ashtu shprehet se ka vakum ligjor dhe nuk mund të zgjedhë ai tani anëtarët e KED. Gazeta ka mësuar se dhe Meta, ashtu si KLD ka përdorur të njëjtat argumente. Sipas tij, dispozitat tranzitore kanë skaduar dhe nuk mund të hidhet shorti pa u ngritur më parë KLGJ e KLP, të cilat duhet të propozojnë kandidatët. Madje Meta ka deklaruar se duhet të bëhen ndryshime në ligj me qëllim që të mundësohet hedhja e shortit dhe që KED të jetë funksionale. Por me këtë lëvizje, e drejta për të hedhur shortin i kalon Kuvendit. Ky i fundit pritet që mes datave 5 dhe 10 dhjetor të hedhë shortin. Burime në Komisionin parlamentar të Ligjeve thanë për gazetën se ata kanë në dorë një raport nga Komisioni i Koordinimit dhe Monitorimit të reformës në drejtësi, i cili deklaron se pavarësisht se kanë skaduar aktet nënligjore, në mungesë të KLGJ dhe të KLP, i takon prokurorisë dhe KLD të propozojnë emrat. Mbi bazë të këtij raporti Kuvendi do të hedhë shortin, ndërsa nuk do të ketë asnjë lëvizje për të ndryshuar ligjin. Ligji kërkon 84 vota dhe mazhoranca nuk ka ndërmend të marrë një tjetër iniciativë, ku kërkohen votat e opozitës, pasi mund të ndodhë si me ligjin për magjistratët.
Letra e Metës
Në letrën drejtuar Ruçit, Meta e sheh imediate ndryshimin e ligjit për organet e reja të drejtësisë. Po ashtu, ai i ka dërguar disa mesazhe Kuvendit. “Presidenti i Republikës, vlerëson gjithashtu se, Kuvendi duhet të analizojë në mënyrë të kujdesshme këtë proces, për të siguruar njëkohësisht jo vetëm përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së së re, por duhet të sigurojë njëkohësisht dhe vazhdimësinë dhe funksionalitetin e këtij organi përgjatë gjithë vitit 2019. Mbi këtë çështje, Presidenti i Republikës me shkresë nr.1464/1 prot, dt 16 korrik 2018, i ka rekomanduar Kuvendit marrjen e masave që nëpërmjet procesit legjislativ te zgjidhë çdo situate problematike. Kuvendi i ka të gjitha mundësitë për të ndërmarrë nismën për ndërhyrje legjislative me qëllim rregullimin e dispozitave që kanë shfaqur problematikë gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në letër, ku Meta kërkon ndryshime ligjore. Nga ana tjetër, Meta ka kritikuar reformën në drejtësi. Ai e sheh si mjaft shqetësuese situatën e krijuar. “Institucioni i Presidentit të Republikës po ndjek me shqetësim të madh ecurinë e të gjitha proceseve të krijimit të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Ndryshimet kushtetutese u miratuan më 22 korrik 2016, duke parashikuar një periudhë tranzitore 8-mujore, brenda së cilës parashikohej të ngriheshin institucionet e reja, por tranzicioni ende nuk ka përfunduar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 2 vjet e 4 muaj nga miratimi i këtyre ndryshimeve. Aktualisht, prej disa muajsh vendi është në një situatë tepër shqetësuese për shkak të mosfunksionimit të institucioneve më të larta të dhënies së drejtësisë, si dhe të mos krijimit ende të institucioneve të reja të parashikuara nga legjislacioni i miratuar për reformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë”, thuhet në letër. Më tej ai përmend situatën në Kushtetuese ku e sheh shqetësues faktin që ka vetëm dy anëtarë.
Diskutime rreth kësaj post