Lëshimi i urdhër-arrestit në Maqedoni për Nikola Gruevskit duket se ka filluar të shqetësojë dhe politikën shqiptare. Gazeta prej disa ditësh e ka thënë se shembulli maqedonas shumë shpejt do të trokasë në Tiranë dhe dje janë dhënë sinjale se dhe vetë presidenti është i shqetësuar. Dje Meta foli për rastin e Nikola Gruevskit, ku dënoi arratisjen e tij. Ai deklaroi se politikanët duhet të përballen me akuzat dhe të mos tregojnë asnjë shenjë dobësie. Por kjo deklaratë e Metës duket se është dhe një sinjal se nëse ndaj tij ndodh që të ketë akuza, ai do qëndrojë përballë tyre. “Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike.
Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”, deklaroi Meta. Ai solli në vëmendje edhe një rast personal, ku në vitin 1992 prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar flet arrest. Në atë kohë tha Meta, iu ofrua strehim politik në Greqi dhe Itali, por nuk e pranoi. Pra Meta u shpreh i bindur se nuk do të iki jashtë vendit edhe nëse ka akuza ndaj tij. Ai deklaroi me forcë se politikanët në Ballkan duhet të jenë burra. “Kam edhe një rastin tim në vitin 1992 në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje padashje. Për këtë çështje prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë dhe në Itali. Edhe pse isha i ri nuk e pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe të qëndrojnë si burrat”, u shpreh presidenti Meta.
Sinjalet e Metës
Por nga vjen guximi i kreut të shtetit? Ai është një person që është përballur me drejtësinë dhe atëherë e fitoi betejën me Dritani Priftin 5 me zero. Duket se kjo e ka bërë dhe më të fortë kreun e shtetit, i cili dje në një studio televizive deklaroi se shmangia e drejtësisë është shenjë dobësie. Pyetja tjetër që shtrohet është nëse presidenti po paralajmëron diçka? A është dhe ai i trembur nga ajo se çfarë po ndodh në Maqedoni? Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, por ditët e fundit sulmet ndaj reformës në drejtësi janë bërë të shumta. Opozita në çdo dalje të saj sulmon procesin e vetingut, ndërsa dhe kreu i shteti nuk i ka kursyer kritikat. Këto sulme shihen si dobësi por dhe si sinjal shqetësimi. Por Meta dje duket e ka ndezur akoma dhe më shumë debatin. Ai theksoi disa herë se politikanët duhet të qëndrojnë të fortë përballë akuzave. Por nëse shihet në një tjetër aspekt, kjo duket dhe si sinjal shqetësimi mbi atë se çfarë po ndodh në Maqedoni.
Arrestimet në Ballkan
Vitet e fundit arrestimet në nivele të larta në Ballkan kanë qenë të shumta. Ishte Kroacia që e nisi dhe më pas e vijoi Rumania. Në të dyja këto shtete u arrestuan ministra, deputetë e madje ish-kryeministra. Më pas stafeta ka kaluar te Maqedonia, ndërsa sinjalet janë se e njëjta gjë do të ndodhë dhe në Tiranë. Por në vendin tonë sinjalet janë se do ketë goditje më të forta. Jemi të vetmit që po reformojmë totalisht drejtësinë dhe kur SPAK të jenë gati, nuk do ketë asnjë ndikim politik.
Diskutime rreth kësaj post