Presidenti Ilir Meta duket se e ka humbur arsyen. Teksa mazhoranca i hoqi kompetencat dhe po afron shkarkimi, kreu i shtetit i mbërthyer nga paniku ka dalë sërish nga kostumi presidencial. Pas sulmeve paradite, në mbrëmje Meta ka arritur kulmin, pasi ka paralajmëruar rezistencë të armatosur, ndërsa ka kërcënuar me shpërndarje të Parlamentit. Në studion e Eni Vasilit, ai deklaroi se është i përgatitur për çdo skenar të mazhorancës, përfshirë edhe sulmin me tanke të Presidencës.
“Jam përgatitur për të gjithë skenarët. Edhe me tanke po të vijnë ne Presidencë do marrin përgjigjen më shembullore. Përpara se të më shkarkojnë ata mua, i shkarkoj unë më përpara. Çfarë legjitimiteti ka ky Parlament? Unë do të bëj çfarë është e mundur që të shmang përplasjen, por nëse ata e kanë me kaq dëshirë t’i shkojnë deri në fund grushtit të shtetit, le t’i shkojnë. Unë do të bëj gjithçka kam në dorë. Si do të reagoj unë? Unë do të flas me dekrete. Kur të vijë momenti unë do t’ju drejtohem si President i të gjithë shqiptarëve. Nuk ka ardhur momenti ende”, – tha ai.
Po ashtu presidenti nuk nguroi të kërcënonte edhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë, duke deklaruar se ata duhet të jenë të paanshëm dhe të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë. Meta shtoi më tej se e rëndësishme për të janë raportet e dala nga zyrat e Brukselit dhe jo deklaratat e ambasadorëve në vend. “Ata nëse do të ishin në krah të atyre nuk do të shtonin kushtet. Unë jam në krah të Kushtetutës dhe të shqiptarëve. Unë nuk them është kështu se më tha ambasadori por them është kështu se më thotë Kushtetuta. Mua ata më respektojnë dhe nuk me ngrenë nga tryeza. Unë u kam kërkuar të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të jenë të paanshëm. Unë shikoj raportet ndërkombëtare si janë ca më duhen mua deklaratat. Unë nuk kam sulmuar ambasadën amerikane por unë u kam dhënë mesazh për çështjen e Venecias.
Në sulm ndaj Dvoranit
Më herët Meta mbajti një konferencë për shtyp, nga ku sulmoi kreun e KED. Ardian Dvorani. Meta me një gjuhë të ashpër dhe urdhëruese kërkoi që t’i ndërpritet menjëherë mandati zotit Dvorani si kreu i KED, ndërsa theksoi se ka fakte të reja të cilat do t’i dorëzojë në Prokurori për të thelluar më tej hetimet. “Prej sot, do të përgatitet dhe depozitohet një shtesë në kallëzimin penal që kam depozituar në muajin nëntor 2019, për këtë shtetas: Jo vetëm për të thelluar hetimin penal ndaj tij për veprat penale që ka konsumuar, dhe pasojat e të cilave po i vuan ende sistemi i drejtësisë për shkak të mosplotësimit të kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sepse të kallëzuarit Ardian Dvorani, duhet t`i ndalohet menjëherë ushtrimi i veprimtarisë kriminale përmes shpërdorimit të funksionit publik, me qëllimin e pastër, të nxitur nga presioni politik, për Kapjen e Gjykatës Kushtetuese! Të kallëzuarit Ardian Dvorani duhet t`i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, që vendin e fundit vakant në të t’ia ruajë vetes”, deklaroi ai.
Meta akuza mazhorancës
Përveç kreut të KED, Ardian Dvorani, sulmeve dhe akuzave të presidentit Ilir Meta nuk i ka shpëtuar as mazhoranca qeverisëse. Kjo e fundit javën e parë votoi në Kuvend ndryshimet për ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe atë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i hequr kreut të shtetit të drejtën e betimit. “Përmbajtja e këtij ligji të votuar me kaq urgjencë nga Kuvendi, dhunoi në mënyrë flagrante nenin 129 të Kushtetutës dhe me të gjitha parimet themelore kushtetuese të shtetit të së drejtës dhe ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Votimi i këtij ligji është një tjetër atentat i mazhorancës ndaj Kushtetutës, me qëllimin e vetëm kontrollin mafioz të procesit të emërimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj synon vendosjen e këtij procesi nën kontroll politik të Partisë Socialiste dhe të nxijë integritetin e çdo anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke dhënë mesazhin se çdo emërim në këtë gjykatë do të kalojë përmes testit të besnikërisë politike. Kjo nuk do të pranohet kurrë nga Presidenti i Republikës”, nënvizoi Meta.
Diskutime rreth kësaj post