Nga Dritan Hila
Nëse ka ndonjë të humbur nga zhvillimet e sotme, ky është Ilir Meta. Njeriu i cili investoi më shumë për këto ndryshime, papritmas shikon se partia e tij trajtohet si çdo partiçkë e zakonshme; nuk bëhet palë e diskutimeve të ngushta dhe është i mbyllur në burgun e artë të presidencës me pak mundësi lëvizjeje. Skenari më i keq në llogaritë e LSI u realizua.
Ndërkohë në Tiranë po ravijëzohet ai që përflitej nga viti 2009: koalicioni i madh. Ka qenë përfolur pas aleancës së Berishës me Metën dhe më vonë të Ramës me Metën. E përmendnin socialistët dhe demokratët si një mundësi që e kishin humbur, sa herë që mendonin se aleati i vogël pa ndihmën e të cilit nuk qeverisnin dot, i kushtëzonte në vendimarje.
Në Shqipëri besnikëria e të vegjëlve konceptohet nga të mëdhenjtë si një detyrë ndërsa tradhëtimi i tyre si argument negociatash lehtësisht i shitshëm.
Koalicioni i madh në mënyrën si po trupëzohet sot, ka pamjen e një martese të detyruar dhe me afat të shkurtër, por i ka të gjitha atributet e një qeverisje të madhe në të ardhmen dhe ka kryer një mision të parë i cili është ai i thyerjes së tabusë. Pas kësaj, për çfarëdolloj arsye, një marrëveshje e dytë PD-PS mund të jetë më e kapërdishme për publikun.
Ndërkohë Ilir Meta nuk ngjan i lumtur nga kjo rrjedhë. Situata ka një ngjashmëri me vitin 2009, ku në disa drejtime është më mirë dhe në të tjera më keq.
Është më mirë, pasi partia është më e konsoliduar pas 13 vjetësh jete dhe ka një elektorat të stabilizuar. Njerëzit që ka përballë, i ka njohur si kundërshtarë dhe si aleatë, ndaj kanë më pak të panjohura.
Në psiqikën e elektoratit është ngulitur ideja se pa LSI është e vështirë të qeveriset.
Por ka edhe shumë pikë të dobëta. Në 8 vjet bashkëqeverisje, aleatët e tij më të mëdhenj janë kujdesur që faturën e problemeve t’ia dërgojnë LSI.
Demonizimi i LSI mund të përdoret si argument për të riafruar edhe një herë demokratë dhe socialistë të pakënaqur nga përfshirja e tyre në tortën e pushtetit në vitet që shkuan.
Tetë vjet në qeverisje, kanë ulur agresivitetin e anëtarëve të LSI të cilët dikur kanë qenë nga më të motivuarit.
Individë nga rradhët e PS me të cilët Ilir Meta ka pasur histori të përbashkët, u spastruan së fundmi nga Rama, dhe ata që shikon në kampin lejla janë ose të panjohur ose ish armiq të tij, por jo interlokutorë.
Por ajo që është më problematikja për vetë Ilir Metën, ka të bëjë me lidershipin e ri të LSI. Qoftë Vasili qoftë Kryemadhi nuk janë persona rishtarë në politikë. Secili prej tyre ka një karierë po aq sa Meta. Por në një vend ku roli i individit, dhe qasja personale e elektoratit ndaj tij është thelbësore, ndërrimi i kuajve të karrocës pikërisht në momentin që do të shkrepi pistoleta e garës, përbën problem. Pasi nuk është testuar asnjëherë sesa kuaj fuqi ka secili prej tyre dhe a ja dalin dot të dy bashkë të zëvendësojnë Ilir Metën. Në politikë jo gjithmonë një plus një, është baraz me dy.
Vizita e Ilir Metës në zyrën e Sali Berishës ditën që Basha dhe Rama po takoheshin kokë më kokë, i ka të gjitha arsyet dhe pyetjet, të cilat dy politikanë me përvojë janë në gjendje ti bëjnë dhe japin përgjigje pa qenë nevoja të flasin. Por Ilir Meta një gjë e ka kuptuar: se ka mbaruar koha e qetësisë dhe dashurisë. Jemi në momentin kur duhet të nxjerrë jashtë tigrin. Përndryshe, viktima e parë e çfarëdolloj makinacioni, do të jetë ai. Në Shqipëri nuk vlejnë aspak idealet apo fjala e dhënë por vetëm realpolitika. Jemi në vendin ku humbësit nuk i afrohet as mëshira, përkundrazi përbuzet. Ai e di më mirë se kushdo. Nëse e ka harruar, bën mirë ta rikujtojë. Gongu ka rënë./dritare.net
Diskutime rreth kësaj post