Presidenti Ilir Meta ka bërë urimin e tij për natën e ndërrimit të viteve dhe për fillimin e Vitit të Ri 2020.
“Zhgënjimet që po lemë pas me vitin e vjetër, le të na ndihmojnë për një reflektim të thellë e të sinqertë në mënyrë që viti 2020 të jetë viti i realizimit të shpresave dhe ëndrrave të çdo shqiptari dhe familje shqiptare, por edhe viti që e afron Shqipërinë me familjen europiane dhe standardet e saj! Çdo shqiptar i ndershëm dhe punëtor kërkon më shumë shpresë dhe meriton mirëqenie, por edhe ndihmë, përkrahje e mbështetje, për të ndërtuar një jetë të denjë dhe një të ardhme të sigurt në Atdheun tonë.
Solidariteti mbarëkombëtar që treguam pas tërmetit tragjik, është një themel i fortë dhe i qëndrueshëm, që na frymëzon të gjithëve dhe na jep besim për sfidat që na presin! Sot ne shkëmbejmë urimet më të mira për Vitin e Ri, por nga 1 janari duhet të mendojmë dhe të punojmë më shumë, të gjithë së bashku, për t’i dhënë dritë dhe shpresë të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë në Atdheun tonë! E ardhmja është në dorën e secilit prej nesh dhe të bashkuar do t’ia dalim!
Numërimi mbrapsht ka filluar! Le të jetë 2020 viti i ndryshimit të madh!
Gëzuar në çdo vatër shqiptare! Zoti e bekoftë shqipërinë dhe kombin shqiptar!’, përfundoi Presidenti.
Diskutime rreth kësaj post