Analisti Ilir Demalia ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Demalia tha se Partia Demokratike kishte kohë që ishte një parti pa akte, domethënë nuk prodhonte më si parti.
“Kjo ka ardhur nga vetë jeta e kësaj partie prej 30 vjetësh ku nuk është lejuar fryma demokratike në parti, ashtu si dhe në Shqipëri në partitë e tjera, nuk është lejuar konkurrenca por është ndërtuar një parti klanore. Kjo çka po ndodh tani në PD tregon që këtë parti Sali Berisha e ka pasur pronë. Por, për çfarë do ta përdorë këtë pronë Berisha kjo është çështje tjetër”, tha Demalia.
Sipas tij, kjo do të sjellë negativitete të tjera sepse konflikti nuk është një konflikt parimesh, idesh, një analize të krizës reale të kësaj partie.
“Kjo është një luftë klanesh për arsye të shpalljes “non grata” nga departamenti amerikan i shtetit dhe largimit të tij si kryetar i PD-së. Me një konflikt të tillë “mini bandash” nuk mund të prodhosh një gjë ndryshe. Si mund të besosh tek Berisha kur ai është shkaktar i kësaj gjëje. Lul Basha është produkt i Berishës, edhe Rama në një farë mënyre është produkt i Berishës”, u shpreh Demalia.
Diskutime rreth kësaj post