Banorët e zonës ku ndodhi grabitja me pasojë vdekjen e 52- vjeçarit Agim Buci, tregojnë se i kishin transportuar të plagosurit me një makinë autoshkolle.
Disa dëshmitarë, që banojnë pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë në Kamzë, treguan momentet e para pasi kishin dëgjuar të shtënat dhe si u kishin ardhur në ndihmë çiftit që deri në atë moment ishin të plagosur.
Ndërsa disa djem të rinj, që ndodheshin në rrugë në atë moment, kanë parë grabitësit kur po dilnin nga dyqani dhe u janë vënë pas për t’i ndaluar. Por ata kanë qëlluar me armë në ajër.
Më pas, u kanë drejtuar armët dhe i kanë kërcënuar: “Ikni se ju vramë edhe ju…”. “Unë ndodhesha në shtëpi në momentin kur ndodhi ngjarja. Dëgjova dy krisma dhe dola menjëherë nga shtëpia. Kur shkoj te dyqani i Agimit, e pashë që ishte i gjakosur ai dhe e shoqja. Kërkova ndihmë nga banorët e tjerë që kishin dalë në rrugë.
Me aq sa pashë, Agimi kishte mbaruar, e kishte plagën në gjoks. Ndërsa e shoqja bërtiste. Ambulanca po vonohej dhe i kërkuam një personi këtu që ka një autoshkollë dhe i transportuam me makinën e tij. Pas rreth 30 minutash erdhi ambulanca, ndërsa Policia erdhi shumë shpejt”, tregon një fqinj i familjes Buci.
Ndërsa disa të tjerë kanë arritur të shohin edhe autorët, por pa mundur t’i identifikojnë, pasi kishin kapuça në kokë.
“Ishim në rrugë kur ndodhi. I pamë dy grabitësit që dolën nga dyqani dhe po vraponim. Bashkë me një shok iu vumë pas dhe u bërtisnim që të ndalonin. Ata nisën të qëllojnë në ajër. Më pas, njëri u kthye nga ne, na drejtoi armën dhe na tha të iknim se do na vriste edhe ne. U frikësuam, nuk vazhduam dot më tej dhe ndaluam. Më pas, ata hipën në një makinë, që, me aq sa pamë ne, ishte një BMW”, tregon një i ri, banor i zonës. Dëshmitarët shprehen se zona ku ndodhi ngjarja është tërësisht e pandriçuar dhe për këtë arsye përdoret nga keqbërësit për të kryer krime, pasi, sipas tyre, aty ndodhin shpesh ngjarje kriminale.
Diskutime rreth kësaj post