Në ndryshim nga dhjetorët e mëparshëm, sivjet muaji i dymbëdhjetë i vitit hyri më i trishtë se kurrë, pa shkëlqimin dhe harenë e zakonshme. Tërmeti i 26 nëntorit la pas jo vetëm 51 viktima dhe qindra qytetarë pa një çati mbi kokë, por copëtoi zemrat e një populli të tërë. Por jeta vazhdon dhe të gjithë po përpiqen të lënë pas atë moment të errët dhe të kobshëm.
Moderatorja e njohur Arbana Osmani është një prej tyre, megjithatë para se të përgatitet për një vit të ri ajo ka zbuluar për ndjekësit si ka qenë 2019-a në sytë e saj.
“Ka hyrë Dhjetori po kalon dhe java e parë .. Ne të gjithë filluam të qetësohemi nga pak dhe të flemë gjumë natës pas ditëve ku dukej se s’kishte datë, ditë, natë as vit, ku dukej sikur forca e të gjithëve ne bashkë ishte e pa forcë. Sa nevojë ka njeriu të ketë shpresë! Thonë se në ferr kjo është vuajtja më e madhe “s’ka shpresë”. S’ka shpresë për të dalë më S‘ka shpresë për të pasur një shans të dytë. S‘ka shpresë, një përjetësi të pashpresë. Por ne jemi në tokë. Rrojmë këtu. Nesër lind një ditë e re. Në 26 ditë lind një vit i ri. Plot shpresë, plot jetë, plot qëllime, plot ëndrra, plot e përplot me shpresë!!!
Këto ditë qoftë dhe në trafik njerëzit prisnin, hapnin rrugën edhe pse vetë kishin prioritet. Këto ditë edhe komshinjtë që takuam poshtë pallatit me rrobat e gjumit gjatë lëkundjeve të forta të tokës, filluan të pyesin më tej njëri-tjetrin si je.. Prej këtyre ditëve, kosovarët nuk përkufizohen më si ata që na pushtuan Durrësin, por si shqiptarët nga Kosova e jo vetëm që erdhën të shpëtojnë Durrësin e gjithçka mundën, me gjithçka patën. Ka hyrë Dhjetori dhe duket sikur po zgjohemi nga një ëndërr e keqe, me e keqja qëkur u bëmë të mbajmë mend … e ndërsa lavatriçja tundet pak më shumë, frymëmarrja për pak na merret a thua se ç’po tundet. Por aq … , kujtohemi që një lavatriçe si për fat shpëtoi një jetë njeriu këto ditë. Këto ditë e shumë ditë të tjera ata që humbën të tyrët nuk do t‘i harrojnë. Në fakt nuk do t’i harrojnë kurrë. Lutem për forcë për ta sonte në këtë natë. Me ta dhimbjen ndajmë të gjithë. E bëmë çfarë mundëm e çfarë patëm mundësi . Ky Dhjetor po ikën. Ky vit po mbaron. Dua t’i them ik e mos u kthe më!
Dua t’i them shumë gjëra … për janarin, marsin, për shtatorin, për nëntorin për shumë gjëra që shkuan jo mirë, mbase keq si për dreq. Por do e shoh në sy. Do i ulem përballë. Do i them përtej të gjithë këtyre që shkruajta sa munda shkurt, gjëra prej të cilave ende nuk jemi krejtësisht të kthjellët .. do ta shoh në sy e do t‘i numëroj të gjitha herët kur buzëqesha, kur gëzova, kur fluturova, kur harrova se u rrëzova e u ngrita, kur heshturazi fola, ngrita zërin e bërtita, gëzova, nënvizova gjërat e mira të lumtura!”, – shkruan ajo në një postim në Instagram.
Diskutime rreth kësaj post