Ndryshimi i kursit të mazhorancës në raport me çështjen çame në bisedimet me Greqinë duket se ka qenë arsyeja kryesore që ka nxitur kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, të kalojë në kampin e opozitës së bashkuar.
I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Idrizi tha se me Bashën ka qenë konkret dhe se PDIU ka nxjerrë mësimet e saj nga koalicionet e mëparshme.
Idrizi: U nisëm nga prioriteti që ka PDIU, që ka të bëjë me avancimin e çështje së shqiptarëve të Çamërisë. Kemi rënë dakord të avancojmë me zgjidhjen e kësaj çështje duke pasur mbështetjen jo vetëm të PD por dhe opozitës së bashkuar. Kam qenë shumë racional duke kërkuar të ikim nga folklorizmat dhe përdorimi i kësaj çështje dhe retorikat boshe por ta shohim këtë në kuadrin e Konventës Eropiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që ne ti japim zgjidhje dhe përmes diplomacisë dhe rrugës ligjore kujtesës historike për çështjen e genocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, vlerësimit dhe nderimit të gjithë viktimave të pafajshme të këtij genocidi dhe eksplorimit dhe përcaktimit të rrugës ligjore për zgjidhjen e çështjeve pronësore.
Jam i keqardhur sepse kam besuar se çështja e Çamërisë nuk është çështje vetëm e PDIU por gjithë shqiptarëve si një padrejtësi e madhe historike që i është bërë kombit shqiptar. Në gjithë këtë rrugëtim kemi marrë mësimet tona.Ajo që kam bërë mea-cupla dhe në Këshillin Kombëtar, unë e kam ditur që kemi përballë Greqinë por fatkeqësisht kuptuam se kemi përballë dhe politikën shqiptare.Në këtë kuptim kemi qenë shumë rigoroz që çështja e shqiptarëve të Çamërisë të futet në një zgjidhje reale.
Në këtë vit pas zgjedhjeve ku hymë gjithësesi të vetëm, PDIU ka qenë një parti që ka qenë në opozitë. Ato pak njerëz që kemi pasur të punësuar janë hequr nga puna.Mbi të gjitha, çështja e shqiptarëve të Çamërisë ka një kthim 360 gradë nga mazhoranca e sotme nisur nga fakti se në mandatin e dytë të kësaj qeverie çështja çame nuk është më pjesë e programit qeveritar. Nëse prisnin avancim dhe zgjidhje të çështjes, sot ne po flasim a të ekzistojë emri Çamëri.Sot vendosëm të bëhemi pjesë e opozitës zyrtare.
Por jo vetëm për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. PDIU është nën një zë me PD dhe partitë e tjera opozitare kur bëhet fjalë dhe për keqqeverisjen e qeverisë Rama dhe rritjen e kriminalitetit.
Idrizi: E dimë të gjithë që kemi një mazhorancë të madhe,të fuqishme dhe arrogante. Ekonomnia shqiptare është një ekonomi pa drejtim, pa busull, nuk është orientuar nga prodhimi. Kemi ambjent të rënduar sa i takon zbatimit të shtetit ligjor, kemi një reformë në drejtësi që nuk po funksionon megjithëse e kemi mbështetur.
Kemi një rritje të madhe të kriminalitetit, të drogës. Shqiptarët po e braktisin këtë vend. Besojmë se kalimi i PDIU nga opozita në opozitën zyrtare do të vlejë për të bërë një opozitë të fuqishme dhe për të korrigjuar këtë pushtet që është arrogant. Por opozita nuk ka nevojë të jetë vetëm reflektive por të kemi një opozitë që të formozojë një ofertë politike programore në mënyrë që të dalim nga ky tranzicion i tejzgjatur dhe ekonomia të drejtohet drejt prodhimit dhe punësimit. Besoj se po bëjmë aktin e duhur.
Por cilat janë garancitë që Idrizi ka marrë nga Basha?
Idrizi: Marrëveshjet politike bazohen mbi një program dhe marrëveshje. Kemi një marrëveshje të shkruar dhe luajiteti i PDIU do të varet nga zbatimi i pikës së çështjes çame dhe pikave të tjera të marrëveshjes.
Duke analizuar negociatat me Athinën zyrtare, Idrizi thotë se pala greke ka diktuar një axhendë të saj të cilën po e zbaton me përpikmëri, ndërsa nga pala shqiptare nuk ka asgjë.
Idrizi: Që ne të kemi një marrëveshje dhe të ulemi në tavolinë me Athinën është pozitive. Greqia është fqinji jonë që nuk mund ta zhvendosim dot dhe është e arsyeshme që ne të ulemi në tryezën e bisedimeve që të zgjidhim problemin që kemi me Greqinë por gjithmonë në konceptin e dinjitetit, sovranitetit kombëtar dhe reziprocitetit. Do të mirëkuptoja një marrëveshje që paralelisht zgjidh problemet që ka Shqipëria me Greqinë dhe problemet që Greqia mendon se ka me Shqipërinë. Por shohim se axhenda greke është bërë fakt.
Kemi marrëveshje për toponimet që është bërë fakt, është bërë 700 shqiptarë të Çamërisë që janë sot në limitet e moshës dhe kanë lindur në Çamëri. Janë të detyruar, se Greqia ka ndryshuar toponimet, të ndryshojnë vendlindjet e tyre në pasaportën e shtetit shqiptar, pronë e shtetit shqiptar. Dhe po të duan nuk e bëjnë sepse ky është shtet rrompallë. Nuk e bëjnë dot sepse në Gjendje Civile nuk është transmetuar kjo lloj marrëveshje dhe ato vazhdojnë të jenë akoma me vendlindjen në Çamëri. Kishim atë gruan në Vlorë që nuk merrte dot pasaportën shqiptare, deri këtu shkon absurdi.
Sot është bërë fakt që kemi ligj për minoritetet, për herë të parë Shqipëria del me 9 minoritete. 6 ka Kosova e detyruar nga pako e Ahtisarit.Është heq koncepti i zonave minoritare. Shqipëria që në 1937 e ka njohur zonën e Finiqit dhe Dropullit si zona minoritare. Kemi implementimin e marrëveshjes së varrezave për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri që kanë ardhur si pushtues. Unë e kuptoj që ky duhet të ishte një proces pajtimi. Duhet të shoqërohej në rradhë të parë me heqjen e ligjit të luftës dhe pastaj mund të flisnim për të rënët e 50 vjet e më parë.
Edhe pse kishte rënë dakord me ne, ky shtet nuk ka kërkuar për palën greke që të kishim një varrezë dhe për shqiptarët e Çamërisë. Për Tsipras dhe Kotzias, ushtarët e rënë grekë vlejnë shumë por nuk mendoja kurrë që të rënët e shqiptarëve të Çamërisë nuk vlejnë për qeverinë shqiptare. Ndërkohë axhenda e palës shqiptare që kalonte nga zgjidhja e shqiptarëve të Çamërisë, problemeve të kufirit, marrëveshja e detit etj nuk janë bërë.
Rezerva ka edhe për delimitimin e zonës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duke theksuar se marrëveshja e 2009 ka qenë në dëm të Shqipërisë, Idrizi refuzon edhe deklaratat e qeverisë shqiptare se marrëveshja e re do jetë më e mirë se e para.
Idrizi: Për marrëveshjen e ujërave dëgjojmë vetëm palën greke që shprehet. Marrëveshja e 2009 është një marrëveshje e hedhur poshtë nga Kushtetuesja, ishte qartësisht në dëm të Shqipërisë. Për këtë të renë kemi dëgjuar palën greke që do zgjerohemi nga 6 në 12 milje. Kur i drejtohemi Bushatit se çfarë do të thotë kjo, thotë: Ku di gjë unë se çfarë thotë ai. Pala shqiptare thotë kjo marrëveshje e re do jetë më e mirë se e para.Absurde. Ne e dimë që e para bjerrte sovranitetin e Shqipërisë, tani çfarë na thonë këta që ata të parë shitën 1000 milje detare, ndërsa këta do shesin 500?
Jo. Sovraniteti dhe integriteti nuk negociohen.Ajo që është e Shqipërisë është e Shqipërisë. Nuk jemi ne burrat që vendosim për integritetin dhe sovranitetin. Ne atdheun na e kanë marrë të parët dhe këtë atdhe duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë.Ajo që është në interesin direkt të PDIU, është çështja e shqiptarëve të Çamërisë. Kemi deklarime të papërgjegjshme të kryeministrit të Shqipërisë që thotë: Unë e përdora çështjen çame në një retorikë për të ngritur temperaturat me Athinën për ti ulur ata në tavolinë.
Kotzias në një takim me Ramën një vit më parë tha: Vdiq çështja çame sepse kryeministri nuk e përmendi. Ndërkohë Tsipras thotë se çështja çame nuk ekziston. Ka një bjerrje dhe kthim të pozicionit të kësaj mazhorance. Tani pala shqiptare thotë se ne e hapim çështjen çame por ata nuk na e pranojnë dhe pastaj i këpusin ndonjë valle me palën greke.PDIU dhe Shoqata Çamëria nuk mund të rrinë dhe të bëjnë sehir.
Diskutime rreth kësaj post