Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka bërë një deklaratë të dyshimtë paraditen e kësaj të premteje gjatë një takimi
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) ka një version tjetër lidhur me koalicionet qeveritare.
Ka qenë vetë kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi, i cili gjatë një takimi me të rinj dhe simpatizantë të forcës që drejton në Bërzhitë të Tiranës, hodhi idenë se do të ishte më mirë sikur partitë politike të garonin më vete.
Sipas Idrizit do të ishte më e udhës nëse partitë politike nuk krijojnë koalicione parazgjedhore, por të dalin të vetme në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit.
“Sistemi ynë zgjedhor nuk është një sistem ku qytetarët të kenë akses të barabartë dhe të jetë transparent. Do doja t’ju pyesja juve, a e dini se përse Shqipëria është e ndarë në 12 qarqe dhe pse jo në më pak apo më shumë? E dini pse?! Sepse jemi të detyruar që të hyjmë në koalicione dhe prandaj PDIU e ka theksuar që, le të shkojnë të gjitha partitë jashtë koalicioneve. Le të shkojnë përballë qytetarit.
Të marrë gjithsecili votën dhe peshën që i takon e më pas të bëjmë koalcionet. Prandaj propozimi ynë është të bëjmë një propocional kombëtar. Po flitet shumë për votën, transparencën apo numërimin elektronik. Le të kalojmë në numërues jo politik. Ti japim mundësi të numërojnë votat qytetarët, ti japim mundësi atyre që nuk janë pjesë e sistemit politik, të jenë noterë, të jenë mësues apo çdokush tjetër.
Është koha dhe ne mund ta bëjmë atë që quhet numërimi elektronik. Kjo që ne po themi dhe çdo gjë tjetër është plotësisht e mundur të bëhet, nëse ekziston vullneti politik dhe politika shqiptare ka treguar në këto 25 vite pluralizëm, që ka qenë jashtëzakonisht e aftë për të prodhuar kriza dhe ka qenë totalisht e paaftë për ti absorvuar këto kriza”, – u shpreh kryetari i PDIU-së në takimin me të rinjtë dhe simpatizantët në Bërzhitë.
Gjithashtu Idrizi tha se votat e PDIU-së kanë qënë gjithmonë për reformat më të rëndësishme të vendit, siç është reforma administrative, reforma në drejtësi etj. Sipas Idrizit, vetëm me një pakt kombëtar mund të kalohet kriza aktuale politike. “Nëpërmjet një pakti kombëtar do të mund të votohet reforma në drejtësi, por do tëvijohet edhe me proceset e integrimit. Ky pakt kombëtar do të bëjë të mundur që tëgjitha forcat politike të ulen në një tavolinë dhe ti jepet fund krizës politike”, ka thënë ai.
PDIU ndodhet në koalicionin qeveritar tashmë prej 3 vitesh, së bashku me dy forcat e mëdha PS dhe LSI.
Diskutime rreth kësaj post