Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga deputetja e kësaj force politike Mesila Doda si edhe Kryetari i Shoqatës “Çamëria” ishte sot në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, ku zhvilloi takime me banorët.
Në fjalën e tij Kreu i PDIU-së Idrizi theksoi se është detyrë funksionale e Shqipërisë që të kujdeset për të gjithë shqiptarët, të cilët janë jashtë atdheut.
“Ne nuk e shohim këtë si folklorizëm apo ndryshim kufijsh, por është një proces për të cilin duhet të fillojmë të punojmë. Duhet të bashkëpunojmë më shumë me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve, në arsim, në ekonomi dhe shumë fusha të tjera. Edhe në Kushtetutën e Shqipërisë parashikohet qartë që të punohet për bashkimin e shqiptarëve”, u shpreh Kryetari i PDIU-së.
Gjithashtu Idrizi vuri theksin tek rritja e trysnisë në mënyrë që shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të kenë më shumë të drejta në territorin ku jetojnë.
“Ne nuk duam që historia të përsëritet për shqiptarët, ashtu siç ndodhi me shqiptarët e Çamërisë. Pra, pamundësia për të jetuar aty, t’i detyrojnë për ta braktisur atë vend”, tha Idrizi.
Në këtë takim ishin të pranishëm Riza Halimi ish deputet shqiptar në Parlamentin Serb, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës Bujanovc dhe Xhelal Mehmeti zv/kryetar i Komunës Preshevë.
Diskutime rreth kësaj post