Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka vijuar në Durrës turin e takimeve elektorale me qytetarët. Përpara qytetarëve të shumtë dhe anëtarëve të komunitetit çam, Idrizi ka prezantuar kandidatin për deputet, Floran Tahiri, duke ftuar qytetarët që të votojnë numrin 9, koalicionin opozitar dhe numrin 10, kandidatin e PDIU.
Në fjalën e tij, kryetari i PDIU analizoi situatën që po kalon vendi duke theksuar se Shqipëria po kalon një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe demografike. Ekuilibrat e demokracisë janë prishur, tha Idrizi, ndërsa pushtetet sipas tij janë në një dorë, situatë kjo që ka sjellë rrënim ekonomik dhe varfërim të tejskajshëm të shqiptarëve, të cilët si rrugë të vetme shohin largimin nga vendi. Këto janë arsye të mjaftueshme, tha Idrizi, që shqiptarët të votojnë për ndryshim në 25 prill, për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit.
“Ne duhet të kuptojmë që ky përqendrim pushteti në një dorë e ka sjellë vendin në krizë shumë të madhe ekonomike, sociale, demografike dhe krizë në ekuilibrat politikë. Ne sot shohim që kemi një shtet që nuk i ka frikë qytetarët, por shohim qytetarë që kanë frikë shtetin e tyre sepse qeveria vjen me vota të inkriminuara, me vota të basofonëve të errëta qoftë edhe këtu në Durrës dhe që sigurisht është ajo që nuk e ka frikë qytetarin. Një nga krizat më të mëdha që ka Shqipëria sot, është kriza demografike, një krizë shumë e madhe njerëzore, 450 mijë shqiptarë kanë lënë vendin 4 vitet e fundit. Kemi qenë 4 mln në 1990 me moshë mesatare 26 vjeç, sot jemi 2.7, ose edhe më pak, mosha mesatare 46 vjeç. Kjo është një dramë shumë e madhe”, tha Idrizi duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se ngritën në sistem korrupsionin, aq sa sipas KLSH, abuzimet me fondet në 8 vite kapën shifrën e 7.7 mld euro, sa një buxhet e gjysmë.
Kreu i PDIU akuzoi Ramën se nuk mbajti premtimet për rritje pagash dhe pensionesh, ndërsa nga ana tjetër nuk hezitoi të rëndonte barrën fiskale të qytetarëve dhe bizneseve, duke rritur taksat dhe tatimet, çmimin e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.
Një javë përpara zgjedhjeve, kreu i PDIU denoncon se qeveria po bën gjithçka për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, nga tentativat për të blerë votat, premtimet për vende pune, e deri te legalizimet masive javët e fundit. Idrizi komentoi edhe ftesat e kryeministrit Edi Rama drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha, për bashkëqeverisje pas 25 prillit. Kreu i PDIU tha se Rama ka humbur sensin e arsyes, teksa njëherë fyen dhe ofendon kundërshtarët politikë, e më pas i fton për bashkëpunim.
“Etiketon e flet si me qenë llaxorja e Tiranës (nuk e di kë keni pasur ju këtu në Durrës) dhe pasi e bën këtë gjë, nuk le llaf pa thënë, sa thua ore, ça është ky?, pasi i ka marrë të gjithë nëpër gojë, një ditë të bukur thotë: “Dëgjo, a e bëjmë bashkë qeverinë nesër?” Sepse ky njeri bashkë me pushtetin po humb edhe dinjitetin njerëzor. Kjo është arsyeja pse në 25 prill, e shohim në sondazhe, e shohim kudo, takojmë përditë njerëz, nuk gjej një njeri që të mos thotë ky duhet të ikë, dhe kjo bëhet në radhë të parë për t’i dhënë shpresë vendit. Nuk ka një bilanc pozitiv, nuk ka një premtim të mbajtur”, tha ai.
Shpëtim Idrizi deklaroi se votat dhe mandatet parlamentare të PDIU-së do të jenë përcaktuese për fitoren e koalicionit opozitar dhe largimin nga qeveria të Edi Ramës.
“I shihni edhe sulmet ndaj nesh, e dini pse? Sepse votat e PDIU-së duke qenë në qarqe çifte siç jemi edhe këtu në Durrës, o sjellin 5 mandate këtu ku jemi, ose çonin 8 nga krahun tjetër, pikërisht për ato 76 mijë votat që ne ju thamë. Sepse pemës me kokrra i gjuhet dhe Rama e di shumë mirë forcën tonë, prandaj edhe tenton të fusë duart brenda nesh. Prandaj ia them këtu nga Durrësi, edhe një javë ka mbetur, votat e PDIU-së edhe çamëve do të të nxjerrin në opozitë dhe në stolin e turpit të historisë, mbajeni mend këtë gjë”, shtoi më tej Idrizi.
Kreu i PDIU u ndal edhe në thelbin e programit politik të kësaj force politike që është çështja Çame. Idrizi tha se në këto vite PDIU ka arritur rezultate konkrete që nga miratimi i rezolutës në Parlamentin e Shqipërisë për çështjen Çame, ngritja e Varrezave Monumentale, për 2900 çamë në Kllogjer, krijimi i Bashkisë së Çamërisë (Konispolit) e deri te ndërkombëtarizimi i çështjes Çame në Bruksel dhe Uashington.Sakaq, kandidati i PDIU për deputet në Qarkun e Durrësit, Florian Tahiri është një emër i njohur për qytetarët durrsakë. Për 5 vite ai ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Durrësit. Zgjidhja e çështjes Çame, tha Tahiri, ka qenë shtysë që ai të japë dorëheqje nga Bashkia e Durrësit dhe të garojë në zgjedhjet parlamentare si përfaqësues i PDIU.
“Ajo që më bëri më shumë për të dhënë dorëheqjen në këtë moment, ka qenë marrëveshja PDIU-PD, ku për herë të parë kemi një marrëveshje e firmosur e zeza mbi të bardhë, e firmosur nga kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi dhe Lulzim Basha, si kryetar i opozitës, ku marrin përsipër zgjidhjen e çështjes Çame në bazë të Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që ne kemi kërkuar gjithmonë. Por, këtë herë, një kryeministër i ardhshëm në fuqi shpreh diçka për të cilën ne kemi pasur kaq shumë nevojë. Kjo ishte edhe shtysa e parë për ta marrë përsipër dhe për të përfaqësuar PDIU-në në këto zgjedhje”, u shpreh Florian Tahiri.
Diskutime rreth kësaj post