Nga Mero Baze
Ka dy episode të shtypit grek ditët e fundit që rikthejnë debatin mbi efektin që ka pasur qëndrimi i Edi Ramës ndaj fqinjëve tanë, për të zbuluar anën qesharake të tyre.
Episodi i parë është një emision në televizionin shtetëror grek ERT, për shkeljet që sipas tij, po i bëhen minoritetit grek në Shqipëri. Në rrjet kanë shpërthyer indinjata ndaj disa opinionistëve shqiptar, Fatos Lubonja, Artur Zheji Frok Çupi dhe Elsa Ballauri, të cilët janë cituar aty në një kontekst që plotëson objektivin e emisionit të porositur, për të dëgjuar atë që duan të dëgjojnë disa grekë për pakicën greke në Shqipëri.
Nuk dua të mbroj askënd prej opinionistëve, por është e qartë, se ata janë përdorur në atë emision. Dëshira e tyre për të sulmuar Edi Ramën, dhe për tu dukur më evropianë se ai në opinionin e tyre, në fakt i ka vënë ata tani në pozita qesharake më shumë se sa poshtëruese, duke i rreshtuar me mendjet më të mykyra të Greqisë. Ata i kanë thënë vërtet ato që janë cituar, por natyrisht që kanë thënë dhe gjëra të tjera, që gazetarit grek nuk i janë dashur.
Zemërimi i opinionit publik shqiptar me këta tre opinionist, në një farë mënyre, është i padrejtë, pasi ata vet janë pjesë e një produkti jo të lirë gazetaresk. Ata janë përdorur në një emision të porositur, larg të vërtetës dhe të montuar për të dëshmuar dicka që në fakt nuk egziston. Në një farë mënyre ata po paguajnë zellin e tyre të tepëruar politik kundër kryeministrit të vendit tyre, dhe janë përfshirë në një debat spekulativ ndërkombëtar në favor të kundërshtarëve të tij. Këtu natyrisht nuk kam parasysh Frokun se ai është vërtet më i zellshëm se gazetarët grek në këtë pikë, por ka një meritë se kështu ka qenë gjithë jetën. Dhe kur e emëruan Drejtor të ATSH më 1997, shkoi një herë në Athinë mori leje pastaj pranoi.
E vërteta është se në Shqipëri ka zero persekutim etnik, për të mos thënë që ka diskriminim pozitiv të pakicës greke. Mund të debatohet për qëndrimet e ashpra të Edi Ramës ndaj fqinjëve, politikën populiste të tij, por nuk mund të mohohet se Edi Rama me këtë stil ka nxjerr në shesh primitivizimin e shumë segmenteve të fqinjëve tanë, si në Serbi ashtu dhe në Greqi, por dhe në Shqipëri. Intervista e tij në shtypin grek ishte provokative dhe ndau opinion publik në Greqi, mes atyre që janë mendjehapur dhe pro evropianë dhe këtyre opinionistëve të “sillogjeve”. Ai është padyshim provokuesi më i madh i këtij llumi në shoqëritë e Ballkanit, dhe e vetmja gjë që mund ta diskutojmë është, nëse kjo është e rrezikshme, apo e shëndetëshme. Por nuk mund ta mohojmë që i ka bërë grekët të pabesueshëm në retorikën e tyre etnike kundër Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Serbinë. Është hera e parë që një deputet grek ankohet publikisht në Bruskel për këto qëndrime dhe injorohet nga Bruskeli pikërisht pse qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë e kanë ndarë në pro perëndimore dhe antiperëndimore debatuesit e tij në Greqi. Nuk i ndodhte e njëjta gjë Sali Berishës. Ai duke ju servilosur grekëve dhe duke i mbajtur në pëllëmb të dorës, mjaftonte një teshtimë e një deputeti grek në Bruksel, të bëhej nami. Besushmëria ishte në anën e Greqisë. Tani nuk është më. Edi Rama ja ka arritur kësaj.
Tani grekët kanë në dorë vetëm të debatojën dhe të dëshmojnë kushë janë. E vetmja gjë groteske është se emisononi i kontrolluar dhe i përgatitur nga mendje të mbylllura, i ka rreshtuar dhe këta “mendjehapurit” tanë në anën e grekëve qesharakë para Evropës dh ejo në anën e grekëve normalë dhe dinjitozë. Dhe mendoj se këtë meritojnë këtë rreshtim.
Episodi i dytë paksa më qesharak, është kjo që bën me Mimi Kodhelin. Kjo në fakt nuk të nervozon, po të bën për të qeshur. Një shtyp i tillë me gjithë hallet që ka Shqipëria nuk egziston më në Shqipëri. Kemi plot gomerë e delirantë që e vënë Shqipërinë në kërthizën e botës, apo që glorifikojnë fitore që si kemi arritur kurrë, por fal zotit nuk kemi arritur të themi për shembull që Dora Bakojani ka qenë dashnore e Azemit, meqë ai i ka shkuar tek shtëpia, ngaqë e kishte mik babai i saj, Micotaqis. Biles as Kaç Myftari që nuk lë rast ti ik po qe se ka fakte që ke qenë në një shtëpi me një femër, nuk e ka shkruar këtë.
Po të kishim gazetarë kaq të marrë sa ky greku që ka shkruar për Mimin dhe mund ta bënim. Shto pastaj dhe faktin që artikullshrkuesi duhet të ishte konsultuar të paktën me Berishën, dhe ta dinte që Mimit, sipas Doktorit, atëhere i thërrisnin Mrika dhe s’kish si ta njihte me këtë emër(!) E vetmja gjë pozitive që ka kjo ngjarje, është se tani, kur Mimi të shkoj në Samitin e NATO me Panon e Greqisë në krah, vë bast që Panua në vend të avionëve do fantazoj Mimin 25 vjec dhe nuk do na kërcënoj më se do zbutet .
Kjo është Greqia qesharake, që nuk ka lidhje me Greqinë reale, Greqinë e lirë dhe plot halle që ka ngel peng i disa atavizmave të sillogjeve greke dhe delireve të disa njerëzve që dhe nazizmin e bëjnë qesharak.
Kjo provon faktin që Greqia është një vend i lirë, por jo deri atje sa të ndjehen të lirë me shqiptarët në krahë. E vetmja vlerë e asaj që ka bërë Edi Rama, është se ka nxjer nga skutat mendje të tilla dhe ka ndarë shtypi serioz grek nga shtypi që rreshtohet në emër të “patriotizmit” grek dhe bën gomarllëqe të tilla. Provokimi i tij ka funksionuar dhe ai jashtë parashikimeve të tij, ka arritur ti bashkoj në një thes të gjitha mendjet e mbyllura, nga Serbia në Shqipëri e Greqi, duke i bërë bashkë dhe duke i bërë po ashtu qesharakë. Kaq meritë duhet ta njohim.
Diskutime rreth kësaj post