Një lojë e denjë për t’u quajtur “derbi” është parë nga të dyja ekipet e Milanos mbrëmjen e së dielës në San Siro, duke mbajtur gjatë gjithë 90 minutëshit nën ankth tifozeritë e të dyja ekipeve.
Të parët që kalojnë në avantazh janë zikaltrit me anë të Mauro Icardi në të 28-ën, goli i vetëm për pjesën e parë.
E ndërsa zikaltrit kanë qenë më dominantë në fraksionin e parë të ndeshjes, në të dytën është parë një variant tjetër i “kushërinjve”, ku që në fillim u aktivizua Cutrone në vend të Kessie. E pas një sërë tentativash, Suso në të 56-ën ka barazuar shifrat në 1-1.
Shtatë minuta më pas janë zikaltrit që përfitojnë në mbrojtje nga një gabim i Biglias dhe hidhen në kundërsulm duke kaluar sërish në avantazh me anë të Mauro Icardit. Por asgjë nuk ka përfunduar dhe në minutën e 80, Bonaventura shfrytëzon mjaft mirë një krosim të ardhur në zonë nga ana e Borinit dhe e ka dërguar në rrjetë, duke barazuar rezultatin.
Por kur të gjithë filluan të besonin se ndeshja po përfundonte në barazim 2-2, kryesori Paolo Tagliavento ka akorduar penallti në favor të zikaltërve, e cila është shndërruar në gol nga Icardi që shënon kështu golin e tretë personal në këtë derbi dhe të tretin për Interin.
Në minutat e mbetura nuk kishte asgjë për të shënuar dhe pas 3 minuta shtesë, Interi e sheh veten fitues i një ndeshjeje mjaft të vështirë dhe në vendin e dytë pas 8 javësh në Serinë A, vetëm 2 pikë pas Napolit kryesues me të cilin do të përballet javën e ardhshme.
Diskutime rreth kësaj post