Nga Blendi Fevziu
E shpalli Kosovën Republikë, ndërtoi një qeveri dhe institucione paralele, një shtet të tërë paralel dhe zhvilloi zgjedhje që e nxorën President. Për shumë vite me rradhë i bindi kosovarët se prosperiteti i tyre politik dhe historik do të vinte me atë mënyrë siç nuk kishte ardhur kurrë, me rezistencën paqësore, me një lloj gandizmi që nga këto anë të globit nuk ishte njohur kurrë
Nuk e di pse ngjarjet, rastësia, profesioni dhe padyshim koha që jetuam më bëri të jem pranë dhe një vëzhgues i vëmendshëm i karrierës së tij të jashtëzakonshme. Në Janar të 2006, ndërsa ecja pas kortezhit që përcillte arkivolin e tij, ndërsa shihja njerëzit që qëndronin në këmbë rrugëve të Prishtinës në një të ftohtë acar, minus 18 gradë, ndërsa dalloja sjelljen e rëndë dhe me tis mortor të familjarëve dhe bashkëpuntorëve të tij të vjetër, nuk e di pse ndjeva se të portretizoje Ibrahim Rugovën ishte thuajse e pamundur! T’i jepje emër atij personi dhe të orientoheshe midis asaj amalgame adhurimi, akuzash, dëshurie, dhimbjeje, por edhe urrejtjeje, do të kërkonte kohë, mund dhe padyshim shumë stil. A mund të shkruaj diçka për të, pyesja veten? A mund t’i jap një emër a portret? Ndërsa ecja pas arkivolit të tij, i humbur në një det njerëzish që zvarrisnin hapat ngadalë, me ritmin e makinës ushtarake që tërhiqte shtratin e topit ku qe vendosur arkivoli i tij. Jam i sigurtë se në gjallje nuk e kishte dashur këtë ceremoni; se shumë të tjerë mund ta ëndërronin, por për të, gjithçka formale nuk kishte vlerë, ose e kishte humbur vlerën prej kohësh. E kishte kuptuar se ai do të kishte një tjetër matës për lavdinë e tij dhe ky matës unikal, i ishte rezervuar shumë pak shqiptarëve të tjerë në historinë e saj.
Emrin e Ibrahim Rugovës e kisha dëgjuar herët, në mes të viteve ’80 – të, kur Ben Blushi, më kishte sjellë një libër që ky i fundit i kishte dhuruar gjyshit të tij, Dhimitër Shuteriqit. Ishte një studim letrar, një nga ata libra që pavarësisht lëndës që studionim na tërhiqnin pak, fare pak, por që kishte një lidhje dhe një emër interesant mbi të. E dija që ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe po kaq pakuptuar e dëgjova emrin e tij të asociouar me LDK – në. Vite më vonë, kur gazetaria filloi të gjurmonte fillesat e LDK – së, kur ithtarët e përdornin këtë si një avantazh të madh ndërsa kundërshtarët si një shenjë se ai ishte shitur ndërkohë, të zbuloje diçka brenda LDK – së ishte thuajse e pamundur. Një nga njerëzit që Qeveria komuniste e kohës e kishte ngarkuar të zbulonte enigmën e krijimit të LDK – së dhe rolin që Rugova kishte në të, Sofokli Lazri , më ka thënë po këtë gjë. Në verën e vitit 1998, ndërsa flisja me të në shtëpinë e tij të vjetër në Vuno, më sqaroi se kishte bërë seanca të tëra takimesh se e kishte pyetur Rugovën me detaje, por se kurrë nuk kishte marrë një përgjigje tjetër përveçse asaj që përmblidhej me një fjalë: Ja ashtu!
Nuk është çudi që të ketë qenë diçka e thjeshtë, banale, pa ndonjë plan të menduar mirë, një rastësi nga ato që jeta ka plot dhe që i dha Kosovës një lider. Por jo vetëm kaq, i dha asaj njeriun që transformoi ëndërrën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe që përpunoi një ëndërr të re, atë të Kosovës së pavarur. Një ëndërr që siç rrallë ndodh në botë, arriti të bëhej realitet. Madje thuajse e plotë, që në gjallje të tij.
Më ka qëlluar që ta njoh personalisht në prill të vitit 1992, ndërsa qemë ulur pranë e pranë në kafenenë e brendshme të Parlamentit të Shqipërisë. Ishte një kohë e vrullshme, kur PD sapo kishte ardhur në pushtet dhe rregullat strikte të parlamentit qenë bjerrur, në kafen e tij vërtiteshin politikanë e gazetarë dhe debati politik ishte më i prekshëm se në sallë. Qëlloi që filluam të bisedojmë për një temë fare banale, për ndihmat e vonuara të BE ndaj Shqipërisë dhe akuzat që ZP, gazeta e opozitës kishte bërë atë ditë. Seanca ishte në zhvillim e sipër e në kafe kishte fare pak vetë, kur ai befas më foli në emër. Isha ende 23 vjeç, gazetar i njohur në rrethet politike që nga lëvizja studentore, por nuk kisha asnjë lidhje e kontakt në Kosovë. Nuk e di nga më njihte, nuk e pyeta për këtë. Nuk e di a i kishte lexuar shkrimet e mia. Atë ditë, si shumë rrallë në herët e tjera, foli shumë. Aq sa mund të quhej “shumë” në të folurën e tij. Më tregoi për strukturat paralele në Kosovë, për shkollat e shtëpive, për emigrimin që po rritej shumë dhe mbi të gjitha për disporën kosovare në botë. Në tre takimet e mëpasme, në raste kur jam gjendur në të njëjtat ambiente me të, kurrë nuk ka folur aq gjatë, nuk ka qenë aq shpjegues. Më krijoi përshtypjen e një njeriu të mirë, por jo shumë të thellë. Më vonë, kam pasur bindjen se nuk ka qenë thellësia problemi i tij. Më shumë se sa i zgjuar, më shumë se sa politikan, ai ishte një misionar. Një nga ata njerëz që besonin tek diçka dhe ky besim kthehej në gjithçka. Ishte qëllimi i madh i jetës së tyre, mënyra e jetesës dhe ushqimi i vetëm i saj. Vite më vonë, në vitin 2000 duke folur për të, Sali Berisha më kishte dhënë po këtë shpjegim: Ai nuk është një politikan, por një misionar!
Me frymëzimin e një misionari ai kishte bindur njerëzit për një ëndërr të re, të bukur, por larg ëndërrës shekullore të shqiptarëve, bashkimit. Që prej vitit 1912 kjo fjalë kishte qenë gjithçka. Patriotët, politikanët, gazetarët, njerëzit e letrave, por edhe ata më të thjeshtët kishin folur vetëm për këtë gjë, kishin pasur vetëm këtë ëndërr, bashkimin. Bashkimin e Kosovës me trungun amë, me atdheun, Shqipërinë. Rugova kish ecur në një rrugë tjetër: nuk kishte folur për bashkim, për unifikim, për ndryshime kufijsh apo diçka tjetër. Kish ngritur kultin e Kosovës së pavarur dhe shtetit të saj, duke krijuar kështu një ëndërr të re, një ëndërr që fati e solli të bëhej realitet ende në gjallje të tij. Dhe ai pati fatin të ishte Presidenti i parë i Kosovës.
Në fakt edhe rruga që zgjodhi ishte po kaq e pabesueshme. Një rrezistencë paqësore, një lloj gandizmi që po ashtu fare pak ishte gandizëm. Një rrezistencë pa asnjë filozofi mbështetëse që vetëm ai besonte se do ta nxirrte fitimtar. Dhe që ai besoi se e nxorri, por pak mundësi ka që të jetë kështu. Nëse UÇK nuk do të kishte dalë, dhe doli si reaksion ndaj tij, Kosova nuk do të ishte kjo që është sot…
Por besoj se pikërisht kjo ishte pika e tij më e fortë. Më 1999, në mes të luftës, kur më shumë se 1 milion refugjatë kosovarë strehoeshin në Shqipëri, kur populli i tij po ikte si në një eksod biblik, ai befas u shfaq në TV duke folur me Millosheviçin. Ishte i qeshur, pa ndonjë gjurmë frike dhe pa ankth. Të paktën kështu dukej. Kishte qenë i detyruar të shkonte në atë takim? Kishte shkuar vetë, apo të dyja përziheshin bashkë? Kishte ende besim tek paqja që nuk e solli dot, apo ishte thjeshtë një sfidë ndaj UÇK –së? Vështirë ta thuash. Ai nuk foli më kurrë për këtë, nuk bëri asnjë deklaratë dhe as deshi ta shpjegoi në ndonjë intervistë. Thuajse ashtu në mister, ishte i mbrojtur më mirë. Refuzoi të fliste për të, refuzoi të vizitonte Shqipërinë kur arriti të dilte nga Kosova, refuzoi të merrte pjesë aktive në atë që quhej luftë dhe befas e çuditërisht nuk humbi aspak nga besimi dhe simpatia që kishte. Jam gjendur në Kosovë ditën që u kthye për vetëm disa orë, pas luftës në korrik 1999. Në konferencën e shtypit nuk tha asgjë, por asnjë gazetar nuk e nguti ta bënte këtë. U ngjetha atë moment. Në Shqipëri do ta kishin kryqëzuar, bombarduar me pyetje, do ta kishin quajtur tradhëtar. Në Kosovë asgjë. Ishim në shtëpinë e tij në Velani, dhe kur pyeta kolegët e tjerë ngritën supet: Nuk flet për këtë.
Në fakt nuk kishte folur siç nuk kishte folur për shumë gjëra të tjera në jetë. Nuk kishte kritikuar dhe as debatuar asnjëherë, me asnjë kundërshtar politik. Veç një deklarate për UÇK në mars 1998 në repertorin e tij politik nuk gjen asnjë sulm. Ishte një njeri që kishte shumë kundërshtarë, por që me heshtjen e tij nuk konsideronte të tillë asnjë.
Jeta e tij ishte po kaq e pabesueshme. Kishte lindur në një malësi të veçuar, një ndër vendet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Ende foshnjë kish humbur babain dhe xhajën që qenë vrarë nga forcat komuniste jugosllave. Ishte rritur jetim, kishte arritur të shkollohej po falë komunistëve jugosllavë dhe madje, kishte arritur të ndiqte një kurs specializimi për letërsi krahasuese në Sorbonë në mes të viteve ’70 të. Në Prishtinën e kohës nuk ishte shquar për asgjë, përpos për oportunizëm. Nuk hynte tek guximtarët dhe as dukej se i admironte ata; nuk merrte pozicione publike dhe nuk mund të thoje se çfarë mendonte realisht. Dilte shpesh në TV dhe me fraza të zgjatura, fliste për një letërsi që pak kush e kuptonte në qytet. Letërsia e vjetër e Pjetër Bogdanit, një murg që kish jetuar plot 400 vjet më parë. Rastësisht ishte gjendur në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe po kaq rastësisht në krye të LDK – së. E kishte marrë kryesimin e saj, kur Rexhep Qosja, një ndër shkrimtarët më të njohur në qytet kishte refuzuar dhe ky refuzim kishte qenë rruga e tij drejt historisë!
Karriera politike kishte qenë po kaq e pabesueshme. E shpalli Kosovën Republikë, ndërtoi një qeveri dhe institucione paralele, një shtet të tërë paralel dhe zhvilloi zgjedhje që e nxorrën President. Për shumë vite me rradhë i bindi kosovarët se prosperiteti i tyre politik dhe historik do të vinte me atë mënyrë siç nuk kishte ardhur kurrë, me rezistencën paqësore, me një lloj gandizmi që nga këto anë të globit nuk ishte njohur kurrë.
Në fillim ishte mjaft aktiv me Shqipërinë, më pas, aty nga viti 1996, diçka u thye midis tij dhe vendit amë. I rralloi vizitat, refuzoi të zbresë në Rinas ndërsa kthehej nga Rambujeja me avionin ushtarak francez, edhe pse Presidenti Meidani dhe Kryeministri Majko e prisnin në sallën VIP bashkë me gjithë anëtarët e tjerë të delegacionit kosovar; tentoi të ndërtojë simbole krejt të tjera nga ato kombëtare e madje sajoi edhe një identitet të ri, kinse identitet, atë Dardan! Me shpresën se identiteti i ri, i munguar, do të mbushte boshllëkun që do të linte ai shqiptar. Nuk e di sa e arriti këtë. Besoj se ky ka qenë edhe dështimi i tij më i madh.
Po me atë befasim tronditës, por që nuk linte asnjë gjurmë në raportin e tij me vendin, befas deklaroi një ditë se ishte konvertuar në katolik. Cilido personalitet tjetër që do ta kishte bërë këtë në Kosovë do të ishte kryqëzuar ndërkohë. Ai jo! Si gjithnjë. Vijoi të lëkundej mes mosbesimit të disave, dyzimit, padijes, por gjithnjë triumfues. Në fakt e gjithë jeta e tij kishte qenë e tillë. Vështirë që një lider botëror, ose një gazetar i madh nga ata dhjetra që ai takoi në jetë të mund të japë një përkufizim të saktë për të. Vështirë që dikush të thotë se ai ishte një gjeni, por po kaq e vështirë që të thuash se nuk ishte askush. Ishte një njeri u çuditshëm, një misionar apo lider, quaje si të duash, që në momente të caktuara dinte të ishte brilant. I tillë qe edhe në një ndër momentet më të vështira të jetës së tij, në fund, kur mësoi se vuante nga kanceri. E trajtoi po me atë mospërfillje, po me atë lehtësi dhe thjeshtësi që kishte trajtuar gjithë problemet e mëdha në jetën e tij. Dhe jo vetëm të tijat, por edhe ato të popullit të tij. Dhe po kaq lehtë u largua… Një ditë Janari. Ishte ngrohtë dhe në Firence, ku ndodhesha për një takim Baton Haxhiu më telefonoi për të më thënë vetëm një frazë: Rugova vdiq!
Dy ditë më pas, ndërsa udhëtoja me avionin e Albanianairlines që dërgonte pothuajse gjithë personalitet e Shtetit Shqiptar në Kosovë, nuk e di pse mendova se vdekja e tij ishte akti i dytë i i bashkimit të Shqiptarëve pas eksodit të 1999. “Ra ky mort e u pamë” perifrazova një titull të Kadaresë. Asnjë mort tjetër, zyrtar ose jo, nuk kishte mbledhur kaq njerëz, nuk kishte koncentruar kaq dhimbje dhe dinjitet. Asnjëherë një ceremoni tjetër nuk kishte pasur një performancë të tillë. Njeriu që i kishte dhënë Kosovës një ëndërr, një ëndërr që e kishte besuar fillimisht vetë, po i bënte tani shërbimin e fundit, atë më madhorin: po i jepte një ceremoni dinjitoze si rrallë herë në historinë tonë. Ishte ftohtë, acar. Janari më i ftohtë në 37 vitet e jetës sime. Njerëzit qëndronin në këmbë, në dy anët e rrugës, me orë, me bindjen për t’i bërë homazhet e fundit njeriut që i kishte drejtuar për 16 vjet. Ai po ikte, duke lënë pas një vepër, një shtet thuajse të krijuar dhe një personalitet kompleks, plot ulje dhe ngritje, që askush nuk ka të drejtë ta gjykojë, veç historisë!
Diskutime rreth kësaj post