Nga Mikel Kurti
Deri sot u kemi rënë kot më qaf qeverive. Nuk janë ato që vjedhin zgjedhjet. Madje, sipas të gjitha gjasave, as kanë futur ndonjë herë dorë në kutitë e votimeve. Zgjedhjet administrohen nga KQZ-ja dhe komisionet e saj partiake, ndaj është e kotë që ta kërkojmë fajtorin në radhët e qeverive. Ky është zbulimi që bëri Kryeministri Edi Rama në News 24, duke kërkuar dhe që gazetarët të informohen kur akuzojnë Qeverinë si rrezik potencial për zgjedhjet.
Domethënë, heqja e votuesve nga listat, fshirja e të dhënave, blerja e votës, pagesat nën dorë të komisionerëve, kërcënimi i vëzhguesve, thyerja e kutive dhe numërimi “analfabet” i votave, nuk bëhen nga Qeveria. Nuk bëhen nga qeveria as shantazhet për heqje nga puna, kërcënimi për copën e bukës i njerëzve me asistencë dhe prerja e investimeve në zonat që nuk e shohin më sy të mirë qeverinë. Të gjitha këto i bëjnë disa komisionerë dhe anëtarë të KQZ-së që paskan më shumë pushtet se edhe vetë Kryeministrin. E tha vetë Kryeministri që është kështu dhe s’na mbetet veçse ta besojmë.
Formalisht vërtetë Kryeministri dhe Ministrat nuk kanë përgjegjësi direkte për zgjedhjet, por praktikisht gjithmonë kanë futur dorë në kutitë e votimit. Kjo ka ndodhur rregullisht që nga 1994-a, me referendumin e famshëm. Vite më pas vetëm është përsosur sistemi i vjedhjes, ku hajdutët e viteve ’90 duken amatorë përballë profesionistëve të sotëm.
Kryeministri ka deri diku të drejtë. Një qeveritar nuk ka mundësi të vjedhë vetë votat te kutitë e votimit, por as një komisioner nuk është aq i çmendur sa të manipulojë zgjedhje pa marrë më parë lejen e një qeveritari.
Por pas kësaj deklarata iluminuese të Kryeministri dhe të padëgjuar deri më sot në artikulimin publik, vetvetiu lindin disa pyetje.
Nëse zgjedhjet nuk i ka në dorë qeveria përse 4 vjet më parë Edi Rama thërriste nga çadra e grevës së urisë: “Na i vodhi zgjedhjet Qeveria e Berishës”?
Nëse zgjedhjet nuk i vjedh qeveria, si ka mundësi që gjithmonë për manipulime ankohet opozita?
Diskutime rreth kësaj post