Ditën e djeshme, rreth orës 11:45, gjatë kontrollit të shtetasit Besnik Bali, 40 vjeç, në ambientet e kontrollit në IEVP Lushnjë, u gjet e fshehur në ushqime lëndë narkotike, e presuar dhe e paketuar përmes mbështjelljes me natriban.
Droga ishte futur brenda një sasie mishi, të cilën Besnik Bali po ia dërgonte një shtetasi të dënuar, i cili vuan dënimin në IEVP Lushnjë. U kryen të gjithë veprimet procedurale dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Elbasan u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Besnik Bali.
Hetimi në lidhje me tentativën për të futur sasinë e drogës në ambientet e burgut të Lushnjës është fokusuar në dyshimin kryesor se porositësi, Lulzim Caka, do ta shpërndante më pas atë te të dënuarit e tjerë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka dyshime të forta se Lulzim Caka ishte “punësuar” si shpërndarës droge. Ky dyshim bazohet edhe te sasia e madhe e drogës së sekuestruar, e cila tejkalon atë të një përdorimi vetjak.
Lulzim Caka njihet si i “tmerrshmi i Beratit”, pasi ka qenë në krye të një grupi kriminal që kryente vrasje në vitet ’95-’97.
Diskutime rreth kësaj post