Arben Buzhiqi u arrestua nga forcat policiore pasi akuzohet për hakimin e mbi 3,000 adresa rrjetesh sociale e emailesh në këmbim të pagesës.
20-vjeçari nga Tirana dyshohet se ishte aktiv që prej vitit 2010 dhe se ka vjedhur të dhënat e mijëra shtetasve të huaj dhe shqiptarë.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës bashkëpunuan për të arrestuar Buzhiqin. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një kompjuter dhe një telefon celular, në brendi të të cilëve u gjetën të dhëna inkriminuese.
Në pajisjet e sekuestruara u gjendën 11 llogari me të dhëna të rreme Facebook, që menaxhoheshin dhe përdoreshin nga Buzhiqi; 1,200 adresa të vjedhura emaili; mbi 400 fjalëkalime për adresa të ndryshme rrjetesh sociale; mbi 50 linqe të përdorur për phishing (të shtirurit si një sit i besueshëm për të vjedhur të dhëna të ndjeshme, si fjalëkalime apo të dhëna kartash krediti).
20-vjeçari akuzohet për “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “falsifikim kompjuterik” dhe “hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Diskutime rreth kësaj post