Në një deklaratë për mediat, drejtuar popullit amerikan, presidenti Joe Biden mbrojti vendimin e tij për të tërhequr trupat e SHBA nga Afganistani.
Biden e pranoi se skenat e kaosit nga Afganistani janë të dhimbshme për veteranët, por ai theksoi se nuk do të dërgohen më trupa amerikanë që të luftojnë luftën civile të Afganistanit.
“Skenat që ne po shohim në Afganistan, janë shqetësuese, veçanërisht për veteranët tanë, diplomatët tanë, punonjësit humanitarë, për këdo që ka kaluar kohë në terren duke punuar për të mbështetur popullin afgan. Për ata që kanë humbur të dashurit në Afganistan, dhe për amerikanët që kanë luftuar dhe shërbyer në vend, i shërbyen vendit tonë në Afganistan. Kjo është thellësisht, thellësisht personale. Është edhe për mua.”
Gjithashtu, presidenti amerikan tha se SHBA do të vijojë që të mbështesë popullin afgan.
“Unë jam takuar me njerëzit, kam folur me udhëheqësit. Kam kaluar kohë me trupat tona dhe kam kuptuar nga afër atë që ishte dhe nuk ishte e mundur në Afganistan. Kështu që tani ne jemi të fokusuar në atë që është e mundur. Ne do të vazhdojë të mbështesë popullin afgan“.
Ndërsa theksoi se nuk do t’i përsërisë gabimet e së shkuarës, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se e di që do të ketë shumë kritika ndaj tij, por shtoi se është gati që t’i përballojë kritikat dhe të mos dërgohen më të rinj amerikanë për të vdekur në Afganistan.
Diskutime rreth kësaj post