Çështja e Teatrit Kombëtar ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Presidenti Ilir Meta ka prej ditësh në tryezën e punës ligjin e miratuar më 5 korrik nga mazhoranca e majtë që i hap rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe faljen e një pjesë të truallit të tij për kompaninë ‘Fusha’, e cila do të ndërtojë 6 kulla të larta.
Aktualisht janë katër skenarë që mund të përcaktojnë të ardhmen e godinës së teatrit dhe të gjitha varen nga presidenti Meta.
Skenari 1 – Presidenti e dekreton ligjin
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të shprehej sot se vlerëson qëndrimet konstruktive të Ilir Metës dhe se beson te përpjekja e tij për ‘paqe sociale’. Veliaj tha se çështja e teatrit do të zgjidhej me qetësi dhe dashuri, duke krijuar përshypjen e arritjes së një marrëveshje me Presidencën.
Nëse Ilir Meta vendos të dekretojë ligjin, atëherë procesi i miratimit të tij në institucionet shtetërore përfundon. Pas publikimit në fletoren zyrtare ligji hyn në fuqi dhe kjo do të thotë se godina e Teatrit Kombëtar do të shkatërrohet (nëse qeveria i reziston kundërshtimit të aktorëve dhe shoqërisë civile).
Skenari 2 – Presidenti e kalon ligjin në heshtje
Kushtetuta i njeh të drejtën Presidentit të Republikës që të mos shprehet për ligjet që i vijnë nga Parlamenti. Kjo do të thotë se Ilir Meta mund të mos marrë asnjë vendim sa i përket dekretimit të ligjit për teatrin, duke e kaluar atë në heshtje, dhe kjo sjell hyrjen e ligjit në fuqi. Meta ka afat deri në 30 korrik për t’u shprehur, në të kundërt ligji hyn në fuqi automatikisht.
Skenari 3 – Presidenti e kthen ligjin në Parlament përpara 23 korrikut
Presidenti Meta ka mundësinë që ta rikthejë ligjin anti-teatër edhe njëherë tjetër për diskutim dhe për votim në Parlament. Nëse vendimi merret brenda kësaj jave dhe ligji kthehet, atëherë mazhoranca ka mundësi që ta fusë atë sërish me procedurë të përshpejtuar në agjendën e Parlamentit, ndërkohë që seanca e fundit për këtë legjislaturë është të hënën e 23 korrikut. Në këtë datë, deputetët e mazhorancës duhet të votojnë sërish nëse pranojnë apo jo shembjen e teatrit.
Skenari 4 – Presidenti e kthen ligjin në Parlament pas 23 korrikut
Por nëse presidenti Meta vendosë të marrë kohë në shqyrtimin e ligjit dhe ta kthejë atë në Parlament pas 23 korrikut, kur është edhe seanca e fundit, atëherë diskutimi do të shtyhet për të paktën dy muaj.
Edi Rama dhe deputetët e tij do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të votojnë sërish për këtë ligj vetëm pasi të jenë kthyer nga pushimet, në muajin shtator.
Kjo do të linte kohë që Qeveria të reflektonte dhe pse jo të tërhiqej nga ligji anti-teatër, ndërsa aktorët dhe shoqëria civile do të mobilizoheshin për të rifilluar betejën për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vjeshtën e këtij viti. /Politiko.al
‘Vizion Plus’ shtyn Ilir Metën drejt dekretimit të ligjit anti-teatër: Nuk ka asnjë shkelje kushtetuese. Precedentin e ke vendosur ti
Presioni ndaj Metës, gazetari kritika Vizion Plusit: Po kënaqen pronarët që i shërbejnë Qeverisë. ‘Aleanca’ të denoncojë mediat e korruptuara
Diskutime rreth kësaj post